Saturday, 21 December 2013

Ignorantus, Ignoranta, Ignorantum

E gjeta edhe një latinishtkë tjetër, edhe pse për të nuk kërkova shumë. E kisha dëgjuar ta përsëriste shpesh këtë shprehje të Molierit, babaj, kur fliste rreth shokëve drejtues të letërsisë e arteve në Korçë. E kam zakon, për t’ju bërë sa më shumë përshtypje miqve të mij të pakët të FB, në fillim gjej titullin latinisht dhe më pas mendohem se ç’mund të them rreth tij. E shoh që dita ditës edhe miqtë firojnë, e për këtë më kanë tërhequr vëmendjen që do më mbyllin llogarinë, nga Komiteti Qendror I Fejsbukut. Ndaj duhet të shkruaj më shumë për të mbajtur ata që kam dhe për të ndjellë ndonjë të ri. M’u duk e përshtatshme që ky titull mund të shkojë me gjendjen e elitës intelektuale në Atdhe. Vërtet po godas pak sis humë lart, se I njoh pak, por nisem nga ajo ç’kam kontrolluar kohë pas kohe në shtypin shqiptar(nuk kam kanale tv të vendit ku “më ka rënë koka”). Në përgjithësi më është dukur e mjerë, por kam gjykuar, që intelektualët e vërtetë, rrinë mënjanë dhe nuk humbin kohë të shkruajnë rreth problemeve kryesore të jetës së përditshme. Së fundmi kam gjetur një mënyrë më të thjeshtë. Lexoj ç’ka shkruan Klodi Stralla dhe komentet rreth shkrimeve të tij. Kam përmendur diku, që Klodi është nga më të kulturuarit që kam njohur. Inteligjent, njohës I disa gjuhëvetë huaja, I formuar në shkencat e sakta dhe mbi to edhe studim të ligjeve e shkencave shoqërore, ai përbën një pikë referimi për të parë se ku është niveli I atyre që kanë në kokë dhe nuk kanë frikë të thonë ato që kanë. E kam pasur zili kur e kam patur mësues për qartësinë dhe thjeshtësinë me të cilën I spjegonte dukuritë apo çështjet që lidheshin me fizikën. Me një bagazh të madh kulturor dhe me vite të tëra përvoje, Klodi mund të bëhet edhe një analist profesionist në Shqipëri. Gjithsesi, nuk mund të ketë analistë apo spjegues pa auditorin e tyre. Edhe Klodi ka të tijin në FB, të një larmie të pazakontë (të paktën për mua). Por kjo e bën më të lehtë të shoh se ç’mendojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Psh. Deri disa javë më parë, shkrimet e tij komentoheshin nga njëfarë Alfred Cako, ballist, botues e përkthyes, për të cilin mësova se kishte qënë dikur edhe deputet. Cako gjithashtu shkruan dendur në shtypin shqiptar dhe pavarësisht nga fantazitë e tij komplotiste, me Strallën këmbenin komente të mirëkuptimit intelektual e të respektit reciprok. Sigurisht, kjo dëshmon për frymën tolerante, megjithëse më duket se tolerance nuk vlen në diskutime rreth fushave të mendimit, e sidomos kur tjetri shkruan marrëzira. Më vonë vura re se edhe Klodi ishte një përkrahës I fshehur I teorive komplotiste, por kjo nuk e zbehte opinionin pozitiv që kisha për të. Dora dorës, ndjeva se turma e injorantëve që e duartrokiste në FB për shkrimet e tij, po e tëriqte edhe profesorin tim me vete. Shkrimet jo vetëm po bëheshin tepër subjective e të paskta, por në to mungonte ajo çka është në thelb të Klodit fizikan- njohja e lëndës para se të flasësh. Nën elozhet e komentuesve të dehur apo delirantë, të të shkolluarve që kanë mbyllur librat atë ditë që kanë marrë diplomën, e të korruptuarve që duan të paraqiten të ndershëm, edhe Klodi filloi t’ja “fusë p….kot!”. E megjithatë, një I diplomuar që nuk ka qënë kurrë gazetar e quante me ekzaltim analist të saktë dhe Klodi me modesti I shkruan , “ti je I zanatit”, gazetarit që nuk ka qënë kurrë I tillë. Në shënimin e tij të fundit rreth “fshehjes” së shoqërisë civile, ai shkruan si dikush që jo vetëm nuk njeh objektin për të cilin shkruan, por edhe që nuk njeh aspak shoqërinë në të cilën jeton. Detyrimisht mes turmës që e ndjek do krijohet iluzionet e tipit “Ah të kishim shoqëri civile!”, apo “S’na I kanë fajin vetëm politikanët! Edhe civilja ka pjesën e saj!”. Dhe më tej komentuesit(thuajse të gjithë me diploma universiteti) do debatojnë nëse kemi apo s’kemi apo e kemi fallco shoqërinë civile. Më vinte të klithja “O k…, ju nuk kini një institucion të saktë ku të përplasni kokën e kërkoni shoqëri civile!”. Por kjo do sillte sigurisht mbylljen e menjëhershme të llogarisë nga KQF dhe nuk do zbavitesha dot më në Fb. Po pse nuk del e shet në Pazar një kovë me pleh organik, por humbet kohën duke lexuar komentet e turmës Klodiane në Fb?- mund të më pyesni me të drejtë të dashur miqtë e mij të pakët. “Sepse bie shi dhe çmimi i benzinës është i lartë“- do ju përgjigjesha pa ju gënjyer.

No comments:

Post a Comment