Saturday, 14 December 2013
Në fillim ishe B-ja (2)
(vijim)
Përshtatja me shokët dhe shoqet e reja ishte e shpejtë. Gjysmën e klasës e përbënin nxënësit e Muzikës që kishin 8 vjet bashkë dhe për më tepër ishin të gjithë të hapur dhe me një shpirt disi rebel. Si duket gjatë përpilimit të listave të vitit të parë, Konomi, që na njihte mirë prej 8-vjeçare, kishte seleksionuar shëmbullorët dhe i kishte lënë Elit tërë “ngatërrestarët”. Shpejt, e urta Eli e kuptoi që kishte të bënte me një klasë “të paudhësh” të cilën hjo vetëm ajo, por do e kishin vështirë ta shtronin edhe pedagogët më autoritarë. Shpirti rebel i B-së, që u manifestua vrullshëm gjatë viti të parë, vazhdoi edhe në vitet e mëpasme në sajë të protagonizmit të Kozes, Katit, Dudit, Rozalinas,Gjekes, Qabit, Vironit e të tjerëve. Ishte shpirti i të panënshtruarve, natyra e vërtetë e të gjithë adoleshentëve në botë. Gjithnjë mua dhe Benit na mbeti peng që na hoqën nga ajo klasë. Ndjeheshim gjatë gjithë gjimnazit mirë me ta sepse kishim të njëjtat cilësi(për të mos thënë që ishim “kryetëpaudhë).
Si ndodhte çdo fillim viti, në shtator bëmë zgjedhjet e Rinisë dhe si kishim bërë dhe herë tjetër, zgjodhëm në krye Vjollcan, e cila i përkushtohej asaj detyre, të cilës i shmangeshin të tjerët. Nga mesi i vitit bashkë me Benin u penduam dhe bëmë një përpjekje për “grusht shteti”, përpjekje që dështoi me sukses, në sajë të vigjilencës revolucionare të sekretarit të Partisë Andonaq Lubonja dhe sekretares së shkollës Ksena Lalazi. Për ata që nuk e dinë këtë komplot(dhe që janë shumica dërmuese) po them se si dy adoleshentë idiotë, unë dhe Beni në dimrin e 1974-ës, pasi studiuam statutin e BRPSH-së, menduam se mund të kërkonim një mbledhje të organizatës, ku pasi të kritikonim drejtimin e Vjollcas, të vendosnim në vend të saj një udhëheqëse më të moderuar. Profesor Andonaqi e dërmoi përpjekjen duke thënë publikisht frazën e tij të famshme(për ne që e komentonim duke u gajasur): “ A është Mara, një biçim maçok, që bashkë me disa shokë të tij do t’i kundërvihet si bllok pjesës së shëndoshë të organizaës së klasës. Po ne nuk do t’i leme…” Atë vit, morëm mësimin e madh që nuk mund të bësh dot asnjë komplot, nëse nuk ke përkrahjen dhe angazhimin e Partisë ose të organizatave të masave.
Klasa e jonë ishte klasa me derën gati nënshkallë dhe ishte një lloj kabineti i thjeshtë i matematikës. Në mure binte në sy thënia e Marksit “Asnjë shkencë nuk mund të quhete përsosur në rast se nuk është në gjendje të përdorë matematikën” dhe mbi dërrasën e zezë nuk kujtoj nëse ishte Ramiz Alia apo ndonjë Biroist tjetër. Deri atë kohë vazhdonin fotot e një antari në çdo klasë. Më vonë, pas spastrimeve të shumta, kur u kuptua që shokët e Birosë nuk kishin garanci, portretet u zëvendësuan të gjitha me ato të sho Enver.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment