Në piskun e dimrit, kur çdo gjë është më e shtrenjtë na duheshin edhe tarifat e Trump, që fillojnë të martë më drekëherë. Edhe kryeministri jonë Dru-do, do i përgjigjet tarifave 25% që do aplikojë Trump mbi eksportet kanadeze, me tarifa 25% mbi eksportet amerikane në Kanada.
Mund të thoni me të drejtë , “ti nuk je as eksportues dhe as importues, ndaj nuk të hyn në qese se ç’bëjnë qeveritë me tarifat.”
Jo. Kanë të bëjnë edhe me mua që ç’ke me të se tarifat e ndërsjellta sjellin luftë tregëtare dhe lufta tregëtare sjell kriza, dhe sikundër ma ka mësuar Dalip Cota në lëndën e Ekonomisë Kapitaliste, të pasurit barrën e krizës e hedhin në kurriz të të varfërve dhe doemos edhe në kurrizin tim.
Por edhe sikur ta ve në dyshim atë që më ka mësuar Dalipi, unë e di që shumë nga ushqimet që blej vijnë nga Amerika duke filluar me portokajtë dhe lëngjet e portokajve, qitrot dhe lëngjet e qitrove, sallatat jeshile dhe shumëngjyrëshe, luleshtrydhet, brokolat, lulelakrat, salca e domates dhe majonezat e shumë e shumë pije alkolike. Duke filluar nga e marta ato do kushtojnë një djall e një çerek, gjë që do më detyrojë të ha më shumë patate, makarona, oriz dhe brumëra, që nuk më bëjnë mirë për shëndetin.
Dhe sikur mos mjaftojnë tarifat, kompanitë shtetëtërore të shitjes së alkolit kanë vendosur të heqin nga raftet pijet alkolike amerikane. Kështu që në vend të pimë të djelave dhe festave ndonjë verë të mirë Kalifornie do detyrohemi të pimë ndonjë shollomotkë nga ato që bëhen me rrushin e vreshtave të Kanadasë.
Në mënyrë të ngjashme do rriten çmimet në Meksikë dhe në SHBA, por në Meksikë unë nuk kam ndonjë kushëri apo të njohur dhe amerikanëve mirë t’ju bëhet se për këtë President votuan.
Për tu larguar nga ky humor i zi, duhet thënë se sikundër parashikohej, vitet e presidencës Trump do jenë të vështira për të gjithë globin. Tensionet ndjehen në gjithë titujt kryesorë të lajmeve në mediat botërorë.
Të vjen për të qeshur e për të qarë, kur dëgjon që “The Donald” ankohet se deri tani të gjithë vendet e zhvilluara në botë “ja kanë hedhur” Amerikës në tregëti ndaj dhe ndaj duhen tarifat “për të mos u treguar më budalla!”
Amerika ka që në vitin 1945, që dikton të gjitha ligjet dhe marëveshjet ndërkombëtare ekonomike dhe politike në botë. Ka shkruar rregullat e lojës në favor të saj dhe tani Trump është i pakënaqur edhe me to, por do rregulla të tjera të cilat e favorizojnë më shumë shtetin dhe ekonominë amerikane!
Nuk është e pamundur, që shumë rajone të botës dhe veçanërisht Amerika e Veriut të hyjë në një krizë të thellë ekonomike. Sipas shumë specialistëve të njohur, disa tregues makroekonomikë e dëshmojnë këtë dhe ç’ka po bën Trump po shpie edhe më shumë në atë drejtim. Pritet ajo që quhet “stagflacion” dhe që karakterizohet nga rritje e inflacionit, ulje e rritjes ekonomike vjetore dhe rritje e papunësisë.
Ndoshta kët mars mund të shpëtojmë dhe ta lëmë lëkurën marsin e ardhmë.
No comments:
Post a Comment