Tuesday, 11 February 2025

“Kufoma Veliaj” dhe mosndryshimi në Shqipëri


Dje u arrestua kryebashkiaku i Tiranës, që prej disa muajsh ishte një “kufomë politike”. Pati të gëzuar mes njerëzve të thjeshtë, mes kundërshtarëve politikë të PS-së dhe mes armiqve të tij brenda PS-së.

Për mua nuk ka asgjë për tu gëzuar. Jemi ende shumë larg të kthimit në “kufomë“ të sistemit autokratiko-kleptokratik, që sundon sot në Tiranë.

Treguesi më i qartë i gjendjes politike në Shqipëri është sondazhi i fundit i Euronews, rreth preferencës politike të shqiptarëve, të cilët jetojnë brenda kufijve të atdheut. Shumica dërmuese e tyre ende mbështesin dy partitë kryesore. që janë përgjegjëse për krijimin e sistemit të sotëm. Me një fjalë mbështetës të Edi Ramës dhe Sali Berishës. Të gjitha partitë e tjera, të papërzjera deri tani në vjedhjen masive të fondeve publike, së bashku nuk e kalojnë 15%.

Eshtë e vështirë të saktësosh arsyet kryesore të kësaj inercie politike të shoqërisë shqiptare, që ka mbetur vetëm mes dy alternativave, që janë thuajse identike, ose njëra më e keqe se tjetra.

Mund të numurosh mungesën e traditës politike pluraliste, patronazhistët, kontrollin e plotë të shtyllave të pushtetit nga një njeri, korrupsionin e mediave, dobësitë e mesazhit të partive të reja, por të gjitha këto nuk shpjegojnë se si një pjesë e madhe e popullsisë, mendon se ndryshimi pozitiv mund të vijë nga Sali Berisha dhe “qëndrestarët “ pranë tij.

Duke u kthyer në “kufoma politike” Veliaj dhe nëse arrestimi i tij mund të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, kam bindjen se efekti do jetë i papërfillshëm. Mund të ketë disa të zhgënjyer më shumë në rradhët e PS-së, të cilët nuk të shkojnë në zgjedhje, por jo më tepër se kaq. I ashtuquajturi “elektorati gri” është tepër i mpitë sa nuk bën të mundur atë që quhet “efekti pendul” (gjë që ndodh rëndom në demokracitë e zhvilluara), kur pas një skandali të madh, partia në fuqi i humbet zgjedhjet.

Dhe skandal më të madh se të ndiqen penalisht për korrupsion një zv.kryeministër, disa ministra dhe tashmë edhe kryetari i Bashkisë më të madhe nuk mund të ketë. Në asnjë vend europian nuk ka pasur kaq shumë politikanë që janë para drejtësisë për vjedhje, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Po ç’farë mund të parashikohet për zgjedhjet e majit?

Një pjesëmarrje nga më të ultat në votime; një fitore e re e Ramës; konsolidim i opozitës së Berishës dhe nga një ose dy deputetë për tre ose katër parti të reja.

Pra status quo.

Fituesi kryesor në këtë gjendje të palëvizshme do jetë Rama; më pas Berisha, që do mbetet faktor në politikën shqiptare dhe do arrijë t’i shpëtojë Drejtësisë së bashku me familjarët; madje edhe Meta duke qënë në vend të sigurt si deputet mund t’i shpëtojë dënimit.

Fati i Veliajt?

Aspak i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare dhe jetën e saj politike.

No comments:

Post a Comment