Thursday, 13 February 2025

Zemërimi i shtirur i Ed-hem beut


Ka dy ditë shpërthimi, sharrjesh, shungullimi nga Beu i Madh i Shqipërisë (jo Skënderi, por Ed-hemi) ndaj Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion për shkak të arrestimit të Erion Veliajt.

A duhet besuar se kryeministri është tmerrësisht i shqetësuar sa t’i lejojë vetes të pështyjë në atë çka e quante deri tani si arritja më e madhe e dy mandateve të fundit të qeverisjes së tij dhe që është Reforma në Drejtësi?

Rama ka kohë që është i shqetësuar për mungesën e kontrollit të plotë të SPAK. Ndaj ka kohë që ka ngritur pranë Kuvendit komisionin Xhafa, nëpërmjet të cilit ka dashur të bëjë ndryshime tek SPAK. të cilat nuk i kanë pëlqyer as Strukturës vetë, por edhe amerikanëve që kanë kërkuar gjithnjë një pavarësi të SPAK nga ekzekutivi. Por në të njëjtën kohë aia ka dashur që njerëzit, sidomos të tijtë të besojnë se përgjithësisht Rama e kontrollon Strukturën. Jo më pak se dy javë më parë nga rrethi i tij pat dalë lajmi se “SPAK ishte gati të arrestonte Veliajn, por Rama ju tha që këtu është vija e kuqe dhe ata u stepën!” Lajmi i sajuar doli edhe për t’i dhënë zemër Lali Erit, por kryesisht për të konsoliduar opinionin se kryeministri kontrollon gjithshka. Kjo më shumë se kurrë i duhet tani në prag zgjedhje për të mbajtur lart moralin e kazermës së tij.

Por Rama ka qënë i përgatitur edhe për variantin që ndodhi. Ai e kishte braktisur Lalin që në gusht dhe me këtë i kishte lënë dorë të lirë Strukturës që të vepronte në thellësi për “dosjen e fustaneve” për deri sa nuk i shkohej në thellësi dosjeve të Inceneratorit të Tiranës dhe asaj të “5D”. Ndaj prej shtatorit të kaluar pritej një veprim për ndalimin e Kryetarit të Bashkisë. Për më tepër nuk është aspak e pamundur që “dosja e fustaneve” të jetë dorëzuar në SPAK edhe me miratimin vetë Ramës.

Në situatën e e tashme dy janë interesat kryesore të Ramës: E para dhe kryesorja është fitorja e zgjedhjeve më 11 maj dhe e dyta është zbatimi i “Omertës” nga Erion Veliaj. Për garantimin e të dyjave Ed-hem beut i shkon për shtat të shungullojë. Sidomos e dyta është edhe më delikate, sepse në një moment kur qehajaj Veliaj të jetë i bindur se është braktisur plotësisht nga Beu i tij, edhe mund të “lajthitë“ e të nxjerrë ndonjë pisllëk në të cilin Rama ka ideuar dhe ka qënë përfituesi kryesor.

Për deri sa ka edhe 3 muaj deri në zgjedhje dhe duke marrë në konsideratë dobësitë e opozitës , por edhe harresën e shpejtë që karakterizon popujt në përgjithësi, Rama e di që arrestimi i Veliajt nuk do ketë një pasojë të rëndë në zgjedhjet e 11 majit. Deri pas 3 muajsh ai e di që “çështja Lali” nuk do jetë në rendin e ditës dhe duke patur në kontroll mediat ai mund ta manipulojë përsëri opinionin publik.

Unë kam bindjen që pjesëmarrja në zgjedhje do jetë më e ulët se më parë dhe edhe pse Ed-hemi nuk do fitojë dot 84 deputetë ai do jetë në gjendje të formojë qeverinë.

Ndaj dhe nuk i besoj aktrimit të shpifur të ditëve të fundit të tij.


No comments:

Post a Comment