Realist është dikush që i pranon dhe sillet ndaj situatave sikundër ato janë.
Ky është njëri nga përcaktimet thelbësore të të qënit realist. E megjithëse është i qartë në çështjen e pranimit, është i mjegullt në atë të sjelljes ndaj rrethanave.
Le të supozojmë se si duhet të sillet në “realist” në gjendjen e sotme të shoqërisë shqiptare dhe veçanërisht atë të politikës shqiptare.
Thuajse të gjithë, (me ndonjë përjashtim të vogël) e pranojnë se korrupsioni është shtrirë në çdo qelizë të jetës shqiptare dhe më shumë akoma në rangjet e larta të politikanëve dhe të gjithë atyre “që kanë në dorë“. Pra thuajse tç gjithë janë realistë për këtë çështje, por nuk ngjasojnë plotësisht me njëri tjetrin. Varet se sillen ndaj këtij realiteti.
Një nga mënyrat me të cilat mund të veprojë “realisti” është të sillet edhe ai si shumica dhe të tentojë të zerë një vend me ndikim dhe me lidhje “ku të kapë ç’farë të kapë!” Pa pëmendur nëse kjo është në kundërshtim me moralin, është e rrezikshme se është në kundërshtim me ligjin. “Realisti” rrezikon të përballet në një moment të caktuar me ligjin dhe të shkatërrojë karrierën apo edhe të ardhmen e tij. Nuk ka siguri se në një sistem ku sundon korrupsioni ai mund t’i shpëtojë pafundësisht ndëshkimit. Provë është fakti që shumë nëpunës shtetërorë (por edhe privatë) janë dënuar për korrupsion. Pra kthimi në një “realist konformist” (që sillet ndaj sistemit në përputhje me sistemin) është një thikë me dy presa. Siguron disa të ardhura, por rrezikon jo vetëm netë pa gjumë, por edhe netë në një qeli të ftohtë.
Një tjetër mënyrë sjellje ndaj situatës është ajo e “mbajtjes sehir” me bindjen se asgjë nuk mund të ndryshojë. Ky është “realisti pasiv”, i cili ndjehet shumë i mençur, por që në të vërtetë nuk është aspak i tillë, sepse realiteti të cilin e pranon dhe nuk bën asgjë për ta ndryshuar është edhe në kurriz të tij dhe të familjes së tij. Më tepër se një “sehirxhi”, “realisti pasiv” është një miop, që nuk sheh dot më larg se realiteti.
Një variant i “realistit pasiv” është ai i “realistit iluzionist” (term disi kontradiktor), që e pranon realitetin, por mendon dhe predikon se “do e ndryshojnë amerikanët apo Bashkimi Europian”.
Mënyra e tretë e sjelljes është ajo e kundërshtimit të realitetit. Jo e mohimit të tij, por e kundërshtimit dhe e përpjekjeve për ta ndryshuar. Këtë mund ta quajmë “realisti kundërshtues” dhe është një qëndrim i vështirë, i gjatë dhe i lodhshëm, por i vetmi qëndrim i dobishëm për vetë individin dhe shoqërinë. Nëse nuk e kundërshton realitetin, që në bisedat e thjeshta familjare, me protesta të vogla e të mëdha, me denoncime në media apo në organet që zbatojnë ligjin, atëhere nuk ke bërë asgjë për veten dhe për familjen.
Ndaj le të bëhemi realistë, por realistë kundërshtues ama!
No comments:
Post a Comment