Thuajse 50 vjet më parë, në një bisedë në zyrën e tij pas fitores së zgjedhjeve të vitit 1974, Niksoni tha fjalët famëkeqe: "Shtypi është armiku. Establishmenti është armiku. Profesorët janëarmiku." Ishte 14 dhjetor dhe e gjithë Shtëpia e Bardhë ishte në ekstazën e fitores së thellë elektorale. Në entusiazmin e madh, ashtu si në dëshpërimin e thellë, njerëzit i nxjerrin ato që bluajnë brenda vetes dhe nuk mund t'i thonë çdo ditë hapur.
Por Niksoni ka kohë i vdekur dhe nuk ka ndonjë interes të merremi me figurën e tij, veç se të krahasojmë idetë e shprehura më 1974 me ato të propaganduara nga MAGA me 2016, 2020 dhe tani.
E gjithë turma që ndjek nga pas ish-presidentin Trump ka të njëjtën ndjenjë për Mediat (fjalën e lirë dhe informuese), establishmentin dhe profesorët(shkencën). Vetë Trump është kampioni i luftës ndaj informimit dhe shkencës. E ka dëshmuar në sulmet e egra ndaj mediave të pavarura dhe ndaj çështjeve të ngrohjes globale dhe të epidemive.
Rrezikshmëria e Trump dhe e amerikanëve që e ndjekin sjell dy probleme stërmëdha për Globin. E para është që Amerika ka shumë në dorë për vendosjen e gjithë ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe e dyta është që ndikimi i asaj që quhet "pop-culture" amerikan është ende shumë i fuqishëm në botë.
Në Shtetet e Bashkuara e kanë burimin edhe të gjitha teoritë komplotiste, të cilat po përqafohen gjithnjë e më shumë në botë dhe që janë tharmi i lulëzimit të grupeve të ekstremit të djathtë.
Injorancë, besimi tek komplotet, kundërshtim i të dhënave shkencore, mosbesimi tek informacioni i mediave tradicionale janë karakteristikat e pjesëve të popullsisë që mbështesin të djathtën ekstreme dhe që po gjallërohen gjithnjë e më shumë në botë. Dhe shumica e tyre janë njerëz të varfër, të zhgënjyer nga sistemi dhe të dëshpëruar, që janë gati mos ndalen për asnjë veprim të dhunshëm.
Duket dhe që elitat liberale nuk janë në gjendje të kuptojnë se ku janë gabimet e tyre të rënda, të cilat sjellin në fuqi Trump dhe Trumpët e tjerë në vendet e zhvilluara demokratike. Nëse ato ende nuk do dinë se si të merren dhe të parandalojnë fenomenin Trump në shoqëritë perëndimore, atëhere Mediat, Institucionet dhe Profesorët kanë për të mbetur armiku i turmave, që rrezikon të sjellë në fuqi jo vetëm Autokratë, por edhe Diktatorë.
No comments:
Post a Comment