Në një shekull të qënies së shtetit shqiptar ka pasur vetëm 4 udhëheqës politikë, që kanë drejtuar vendin. Edhe pse me ndryshime nga njëri tjetri të katër mund të kategorizohen si Sundimtarë. Janë Ahmet Zogolli, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Edvin Rama.
Ka pasur edhe periudha ndërmjetëse, ku në krye të vendit kanë qënë personalitete të tjerë, por asnjë prej tyre nuk ka përcaktuar një epokë të caktuar, si koha e Zogut, e Enverit e Berishës dhe e Ramës. Askush prej të tjerëve nuk ka pasur forcën dhe ambicien e duhur për të sunduar.
Natyrisht, në një vend të vogël dhe me pak histori shtetformuese, një rol kryesor ka luajtur raporti mes Fuqive të Mëdha dhe situata rajonale dhe ndërkombëtare, por përsa i përket situatës së brendëshme, për fat të keq duhet pranuar tashmë se jemi një shoqëri që e ka të nevojshme t sundohet nga një Udhëheqës i vetëm. Dhe pavarësisht nga ndryshimet, të katër sundimtarët shqiptarë janë shquar për makiavelizmin e tyre dhe për mosstepjen ndaj çdo vendimi, që sillte edhe sakrifikim jetësh, por ju konsolidonte pushtetin.
Nën këtë prizëm të forcohet bindja se Rama (nëse diçka e ardhur nga qiejt nuk i ndodh), do e kalojë shumë shpejt kohët e sundimit të Zogut dhe të Berishës (përkatësisht 15 dhe 13 vjet) dhe do arrije gjysmën e kohës dyzetvjeçare të idhullit të tij- Enver Hoxhës.
Por a duhet fajësuar Rama për këtë?
Një shoqëri e cila nuk është në gjendje të përballojë vrullin dhe energjitë e një narcisisti për të ardhur në krye dhe për të ndenjur në krye një kohë të gjatë, është një shoqëri me pak energji pozitive, me shumë pak nevojë për institucione demokratike dhe me shumë pak kujtesë dhe largpamësi.
Koha e Ramës mund të përcaktohet si koha e largimit nga shteti i të drejtës dhe demokracisë, kohë e lulëzimit të bizneseve të fëlliqura, kohë e hapave pas në formimin e institucioneve të domosdoshme të një shoqërie liberale.
Por jo gjithshka mund të jetë e errët edhe në kohë të tilla. Në vend ka një qarkullim të madh të parave të pista, që ndihmon ekonominë e brishtë të funksionojë, që ndihmon krijimin e një infrastrukture për turizmin, ndaj edhe ka një standart të mirë jetese për një pjesë të shoqërisë. Eshtë kjo shtresë, që ndihmon sundimin e Ramës edhe në kushtet kur nuk kemi të bëjmë me një Diktaturë.
A do i fitojë po kaq lehtë edhe dy zgjedhjet e tjera për Parlament Rama?
Nuk ka se si mos i fitojë. Cdp gjë në vend ose është nën kontrollin e tij ose është e mpirë. Ndaj edhe periudha post-Rama i përket diku vitit 2033, kur Edvini të ketë plotësuar 20 vitet si Udhëheqës Fuqiplotë i Shqipërisë.
No comments:
Post a Comment