Nëse ka një epitet që i shkon më mirë Bill Klinton, është “zuzar”.
Në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. I adhuruar jo vetëm nga femrat, por edhe
nga meshkujt “macho”, Billi është një fenomen i politikës bashkëkohore. Me
instiktin e lindur për të thënë gjënë e duhur, në çastin e duhur para një
njeriu a një grupi të duhur. Ishte në gjendje t’i bënte njerëzit për vete. Kudo
në botë. Veçanërisht në Europë.
Personaliteti i Billit ishte ai i duhuri në kohën kur sa
kishte rënë Muri i Berlinit dhe Amerika ishte tashmë shpresa e të gjithëve për
një botë me paqe dhe begati. Shumicës së njerëzve nuk ju bëhej vonë se në
rrethet konservatore, të lidhura me industrinë ushtarake, shkurtimet e bëra nga
administrata e Klintonit nuk shiheshin me sy të mirë. Bota me kampin komunist të
mposhtur dhe me një Kinë që kishte ndërmarë shumë reforma kapitaliste dukej se
do ishte tashmë një tjetër botë nga ajo e Luftës së Ftohtë.
Vetë kisha bërë “tifo” për Billin që në fushatën e vitit ’92,
edhe pse një i njohuri im në Amerikë ma kishte karakterizuar si një gënjeshtar
të pacipë. Ndoshta kishte ndikuar mosha e Bushit, Lufta e Gjirit a mbase dhe
fakti që kishte qënë drejtues i CIA-s, që të kisha antipati për të Xhorxhin dhe
simpati për Billin. Edhe pse i panjohur në arenën ndërkombëtare, Klintoni ishte
i një brezi tjetër, që ngjallte shpresën e ndryshimit të politikave të vjetra.
Kjo ide mu përforcua në shtator të vitit 1993, kur Klinton
arriti kurorëzimin e marëveshjes mes Palestinës dhe Izraelit. Qëllova në Amerikë
ato ditë dhe të dukej se kur u arrit një marëveshje e tillë, çdo gjë ishte e
mundur në arenën ndërkombëtare. Brenda Shteteve të Bashkuara kishte filluar
edhe një lloj ringjallje e ekonomisë, pas krizës ekonomike të fundit të viteve ’80
dhe fillimit të viteve ’90.
Por nën presidencën e Klintonit vazhduan dhe u itensifikuan luftërat brenda Jugosllavisë. Edhe pse nuk
mund të akuzohet administrata amerikane për fillimin e luftës Sërbi- Kroaci, Sërbi-Bosnjë
dhe më vonë për genocidin ndaj Kosovarëve, duhet thënë se amerikanët(po ashtu
dhe europianët) për interesat e tyre gjeopolitike nuk bënë asgjë për të
shmangur luftën. Ishte në interesin e tyre, që Jugosllavia ku dominonte një Sërbi
pro-ruse të shpërbëhej dhe ata e lanë të shpërbëhej edhe ndërsa humbisnin jetën
dhe çvendoseshin mijëra sllavë. Vetëm në luftën Sërbi-Kroaci u vranë mbi 20 mijë
vetë. Administrata amerikane veproi gjithashtu me ngathësi për ndalimin e
genocidit në Bosnjë. Madje në fillim edhe ndaj problemit tonë kombëtar, sepse
interesat e shqiptarëve u goditën rëndë në Marëveshjen e Dejtonit.
Për fat të mirë të çështjes shqiptare, qëndrimi amerikan pas
Marëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 filloi të ndryshonte. Dhe mes mbështetësve
kryesorë në SHBA ishte senatori MeKejn, i cili në mënyrë të vazhdueshme
propagandonte kundër Millosheviçit dhe në mbështetje të luftëtarëve shqiptarë. Administrata
e Klintonit deri në vitin 1998, UCK-në e kishte në listën e organizatave
terroriste. Por pas shkallëzimit të krimeve të Millosheviçit dhe përndjekjes së
shqiptarëve, pasi kishte lejuar dy luftëra shkatërruese në Ballkan, Klintoni u
detyrua të merrte vendimin për të aktivizuar NATO-n në mbrojtje të Kosovarëve.
Këtu lind edhe mithi i “baballarëve” të Kosovës Klinton dhe Bler. Ishte në
interesin e kombit shqiptar dhe ndaj ju jemi mirënjohës, por ka pasur një
hezitim të madh në vënien e Millosheviçit me shpatulla pas muri për të njohur
Pavarësinë e Kosovës.
Në gjithë politikën ndaj Ballkanit, veprimet e Klintonit, si
pasqyrë e politikës amerikane, kanë qënë të lëkundura dhe jo parimore. Në njëfarë
mënyre ato reflektojnë edhe karakterin e Billit, si njeri që do t’i kënaqë të
gjithë. Edhe pse me një tërësi problemesh të ndërlikuara, kufijtë e rinj të
Ballkanit, me ndihmën e Ushingtonit dhe Brukselit, mund të ishin konfiguruar pa
arritur në shumë e shumë humbje njerëzore.
Natyrën prej “zuzari centrist”, Billi e ka dëshmuar edhe në
miqësitë dhe skandalet e tij në marëdhëniet me femrat. Veçanërisht miqësia shumë
e afërt me famëkeqin Xhefri Epshtin (Jeffrey Epstein) e përforcon idenë e
mungesës së skrupujve moralë të Billit.
E megjithatë, “zuzari Bill” mbetet një politikan tepër
simpatik për shumicën e amerikanëve dhe europianëve, si dhe shumicën dërmuese të
shqiptarëve.
Mirësevjen i dashur Bill!