Korça ka tani edhe një Kullë tjetër, përveç Kullës
Vrojtuese. Bile duhet përmendur, që kjo Kullë nuk është risi, por gati një
kopje e Kullës së Sahatit, të ngritur mëse dyqind vjet më parë dhe të rrënuar
nga tërmeti i vitit 1960.
Ideja e ringritjes së Kullës me Sahat, i lindi një mendje
thuajse të ndritur të Rilindjes Socialiste, Artan Lames, të cilin para shumë
viteve, e kam marë për urbanist, për shkak të një shkrimi të tij në një gazetë
shqiptare, ku ju hakërrohej “arkitektëve
të djathtë“, për ato që po bënin në ndërtimin e qyteteve pas vitit 2005.
I kushtova një shkrim, “Artan Lame dhe arkitektët e majtë e të djathtë“, që u
botua në një gazetë tjetër dhe ndoshta është edhe në blog.
Lame kishte zbuluar foton e Sahatit të Korçës (dikur
Spiridon Iloja thoshte se I.M. Qafzezi zbulon të zbuluarat) dhe plot entusiazëm,
në kuadër të Rilindjes së Korçës, i kërkonte Peleshit ringritjen e Kullës me
Sahat. Ideja më lebetiti, se posa ishte përuruar Kulla Vrojtuese dhe një vëllim tjetër jo i
paqëm vertikal, do ishte i dëmshëm për atë zonë të Korçës dhe sidomos për
Xhaminë e Mirahorit. Ju drejtova menjëherë për të mësuar më shumë, një kolegut
dhe mikut tim, duke i thënë që do përpiqesha të bëja gjithshka që mos përsëritej
gabimi i parë. Më këshilloi të mos ndjehesha, se ndonjëherë zhurrma i nxit më
shumë Rilindasit në zullumet e tyre arkitekturore.
Dje mësova se ka disa kohë që është përfunduar.
Veç “bombës”, që u vendos në sheshin para Teatrit, tani Korça
ka edhe një “bombë me sahat”.
Kjo e fundit, më shumë se për motive historike apo
arkitekturore, është ngritur për motive “sociale”. Bashkëjetesën eharmonishme të
komuniteteve fetare! Për të mos lënë. që ndërtimet më të shumta publike të bëhen
në zonën e banuar tradicionalisht nga të krishterët, Rilindasit me bujari i dhuruan
një kullë edhe bashkësisë myslimane. Romët po e kanë Kullën e tyre të Hirit.
Tashmë nuk mbetet tjetër veç të gjenden edhe pasardhësit e
pehlivan Arifit, që të shkojnë mbi tel nga maja e njërës Kullë tek tjetra.
No comments:
Post a Comment