Friday, 28 October 2016

A vlen Mirësia?


Shikoj këtë foto, të cilën nuk e kam parë kurrë më parë. Bile nuk kisha dëgjuar për varrimin e Vangjush Mios.
Në një arkivol të thjeshtë, i mbajtur nga kolegët, nxënësit dhe aktorët e Teatrit, përcillet piktori më i mirë shqiptar i shekullit të XX-të. Nuk di nëse ka pasur fanfarë, që të ekzekutonte marshet funebër, por duket nga mosprania e autoriteteve të Tiranës dhe të Korçës, që varrimi edhe pse zyrtar, është bërë nga njerëzit, që e donin dhe vlerësonin.
Mioja ishte jo vetëm i talentuar por edhe një njeri i shkëlqyer. I thjeshtë, i papërtuar, në moshë të shtyrë, ai merrte në krahë pjesë dekoresh të pikturuara prej tij dhe i shpinte nga Pallati i Kulturës në Teatër. Në një kohë tjetër, talenti do e kishte bërë shumë të pasur, por i miri Mio mjaftohej duke punuar e punuar, në fushat e pyjet e Korçës, pranë gjolit të Pogradecit, pasi kishte bërë rrugën e gjatë mbi biçikletë, ditëve të ftohta të vjeshtës. për të na lënë ne mrekullitë e penelit të tij.
Dikush një ditë më përmendi, që kishte “një Mio”. Ndoshta edhe të tjerë, kanë në shtëpitë e tyre vepra të piktorit të madh. Rreth “zhdukjes e dukjes “së tyre, ka pasur edhe një proces gjyqësor, si ndodh shpesh me veprat e gjenijve të pikturës.
Po a kanë “grabitur” diçka nga Mirësia e tij, ata që në dhomat e ndenies shijojnë veprat e grabitura?

A ka vlerë Mirësia e tij, po aq sa Talenti?

No comments:

Post a Comment