Sunday, 30 October 2016

A ka vdekur Trebeshina si dikur Lasgushi?




Tetori i personaliteteve(diur muaji i letërsisë dhe arteve)po shkon drejt mbylljes dhe ka nisur të fashitet zhurrma e tam-tameve, intervistave, ditirambeve, sharrjeve ndaj Hoxhës, Agollit, Berishës, Alisë e ndonjë tjetri. Gati u harrua Migjeni. U përmend diku, vetëm si objekt i temës së diplomës të Dritëroit në BS, ku mbrojtësit të diplomës i njihej merita, që “në vend ta klasifikonte si pararendës të realizmit socialist, e kishte quajtur përfaqësues të realizmit kritik”!?
Po kemi ne një kujtesë të dobët, përzgjedhëse apo manipuluese?
Sivjet, një tjetër shkrimtar i madh shqiptar, mbushi 90 vjet dhe u dënua me “harresë përsëgjalli”. Quhet Kasëm Trebeshina. Me të po ndodh, ajo që ndodhi dikur me Lasgushin. Pjesa më e madhe e atyre që e njihnin ose e kishin lexuar, kujtonin se kishte vdekur, ndërsa pjesa më e madhe e të rinjve nuk e njihnin. Diktatura e kishte dënuar me “heshtje”. Nuk është ende e qartë pse nuk e kishte shpënë para togës së pushkatimit.
Po nëse diktaturat nuk e kishin të vështirë asgjesimin e një personaliteti, apo “varrosjen me heshtje”, është e habitshme se si në një sistem të lirë, ku gëlojnë televizionet e gazetat, ku ka më shumë shtëpi botuese se shitore librash, ku dekorohen artistë, letrarë, filozofë nga më mediokrit, një personalitet kaq i madh sa Trebeshina. pasi e kanë quajtur “kriminel”, “sigurims”, “turkoman”, ta injorojnë plotësisht. Ndoshta 5 gushti, përvjetori I tij i 90-të ishte plot diskutime për reformën në drejtësi dhe foto të personaliteteve në plazhe, por ka diçka më shumë se kaq në heshtjen e pushtetit, opozitës dhe mediave rreth tij.
Trebeshina është anti-konfromist “sui generis”dhe kjo e bën të urrehet nga pushtetet, përfshirë këtu edhe pushtetin e katërt.
“Pasqyra e të vërtetës”, që ju ve përpara Trebeshina, i bën të duken me hundë shumë të gjatë Ramën, Berishën, Metën dhe të gjithë lakejtë e tyre. Standarti i tij moral i bën të skuqen autorët, që I kanë shërbyer dikur apo edhe sot regjimeve, ndaj shembulli i tij nuk i duhet kujt. Na duhet të nxisim konformistët, me të cilët jeta e të gjithëve bëhet më e lehtë.
Probleme me njerëzit, që thonë të vëtetën, nuk i ka vetëm populli jonë dhe as vetëm politikanët e mediat tona. Edhe në histori shkojnë më herët  se Greqia e Vjetër.  Veçoria jonë, është se pasi vdesin, ngrihemi dhe ju thurrim lavde, pasi si ateistë të thekur që jemi, e dimë që nga HiçI, ata nuk mund të ngrihen më e të na çjerrin maskat. Të vërtetat e shkruara të tyre i kemi lënë dhe do i lëmë në heshtje.
Këtë vit, Enver Hoxha do ishte 108 vjeç ndërsa Ramiz Alia 96. Migjeni do kishte mbushur 105.
Të gjallët, Ismail Kadare 80, Dritëro Agolli 85 dhe Sali Berisha 72.
I vërteti Kasëm Trebeshina 90.
Po a na duhet e Vërteta, qoftë dhe e shkruar mirë?

No comments:

Post a Comment