Wednesday, 23 October 2024

Ilir Meta, ky i burgosur "patriotik"


Kjo javë nisi me të papritura të këqia për Partinë e Lirisë dhe ish çiftin Meta-Kryemadhi. Ilir Meta u arrestua në mënyrë të dhunshme dhe Monika do ndiqet penalisht dhe për këtë ka një detyrim paraqitjeje në polici.

Por nëse proçedimi i tyre penal deri diku pritej, i papritur duket reagimi i ish-Presidentit prapa hekurave. Deklarata e tij është pak a shumë se ai po përndiqet për arsye patriotike?!

Deri më sot, politikanët e akuzuar për korrupsion dhe vjedhje janë vetëparaqitur si të arrestuar për arsye politike dhe kjo nis me Nanon , vazhdon me Tahirët, Kokat dhe Ahmetajt dhe mbyllet me Berishën.

Ilir Meta deklaron se po përndiqet se është një patriot i mirëfilltë. Pak a shumë si Sulejman Vokshi dhe Abdyl Frashëri.

Unë nuk e ve në dyshim se në kohët kur ka pasur në dorë, ai ka "trazuar" ca nga fondet publike,  por gjithashtu ve dorën në zjarr se për patriotizëm nuk ja ha dot hakun. Një prej provave të patriotizmit të tij të kulluar, ka qënë dekorimi i gjysmës së shqiptarëve kur ishte President. Po ta kishin lënë edhe një mandat të dytë, nuk do kishte mbetur asnjë shqiptar pa dekoratë. Synimi i tij ishte të ishim një popull trim, liridashës dhe i dekoruar.

Kam gjithashtu bindjen edhe se për Shqipërinë Meta do shkrinte të gjithë pasurinë e vjedhur. Nuk është çudi edhe që fondetpublike t'i ketë transferuar në llogaritë e tij personale për t'i pasur në një ditë të keqe për Shqipërinë, për të blerë armë dhe municione që të mbroheshim. 

Cështja duhet të jetë shumë e komplikuar se nga deklarata e tij nuk kuptohet se cilët janë armiqtë e jashtëm, të cilët në bashkëpunim me veglat e tyre brenda vendit, arritën të izolojnë përkohësisht patriotin skraparlli.

Pozicioni tepër i veçantë gjeopolitik i Shqipërisë, ndërthur tashmë interesa jo vetëm të Fuqive të Mëdha dhe të armiqve tradicionalë, por deri tek shtete të tilla si Izraeli, Arabia Saudite, Kina, India dhe deri tek Filipinet. Për më tepër, unë njoh pak nga raportet e Metës me Rusinë. Sërbinë apo Greqinë. Gjithashtu nuk di se cili ka qënë qëndrimi i tij ndaj Vatikanit të Baba Mondit, gjë që mund ta fusë në konflikt të hapur me Erdoganin.

Nga deklaratat patriotike që kujtoj, ka qënë ajo e vetëflijimit për çështjen shqiptare, kur ju drejtua ambasadores amerikane se "ishte gati të shkonte në Mali me Gropa dhe amerikanët ta asgjesonin me një raketë, po të moskishte të vrarë të tjerë!"

Të jetë Amerika pas arrestimit të Metës?

Nëse është kështu, të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit duhet të ngrihen e të denoncojnë veprimin antishqiptar të Shteteve të Bashkuara.

Se po na preke në patriotizëm ne shqiptarët e kemi dëshmuar se nuk pjerdhim as për Amerikën, por edhe sikur gjithëFuqitë e Mëdha të bëhen bashkë! 


No comments:

Post a Comment