Wednesday 18 September 2024

Për fat të keq Trump do fitojë


Në mediat kryesore të Perëndimit ndjehet një lloj entusiazmi për një fitore të mundëshme të Kamalas në zgjedhjet e Nëntorit.Nuk di nëse e bëjnë qëllimisht për të gjallëruar pjesën indiferente të zgjedhësve që të votojnë për Demokratët apo se vërtet kanë bindjen që Harris do zgjidhet Presidente.Për mendimin tim ka disa arsye që do e risjellin Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Frika

Në votime njerëzit ndikohen më shumë nga ndjenjat se nga arsyeja. Dhe frika ështënjë ndjenjë shumë e fortë dhe një "kartë" që Trump ka ditur ta luajë mirë. Veçanërisht "rrezikun" nga emigracioni ilegal që vjen nga Amerika Latine nëpërmjet kufirit me  Meksikën. Në mitingjet e tij "The Donald" ripërsërit se kufiri është i hapur për kriminelët dhe përdhunuesit. Sipas tij kriminaliteti në gjithë vendet e Amerikës Latine ka rënë sepse kriminelët janë larguar drejt Shteteve të Bashkuara, kur kriminaliteti është rritur së tepërmi?! Kjo e fundit është kryekëput gënjeshtër, se statistikat tregojnë të kundërtën. Të tjera absurditete përsëriten prej tij dhe njerëzve që ka përreth, se gjoja emigrantët haitianë po rrëmbejnë qenët dhe macet e fqinjëve dhe po i hanë?!!

Racizmi

Amerika nuk është gati të ketë një grua me ngjyrë si Presidente. Ka shumë racizëm të fshehur mes të bardhëve (ndoshta edhe racizmi i atyre me ngjyrë ndaj të bardhëve.) Vitet e Obamës e bënë të mundur që racizmi të demonstrohej më hapur dhe sollën në pushtet Trump, i cili pat qënë flamurtari i lëvizjes, që Barak Obama kishte lindur në Afrikëdhe jo në Shtetet e Bashkuara.

Për disa dollarë më shumë

Një pjesë e mirë e amerikanëve janë të bindur se administrata e drejtuar nga Trump do përmirësojë gjendjen financiare të familjeve të tyre. Edhe pse rritja mund të jetë minimale, për një pjesë të popullsisë, kjo është më e rëndësishme se dëmi që do ju shkaktojë institucioneve demokratike. Të zhgënjyer nga e gjithë klasa e politikanëve ka shumë që thonë: "Të gjithë gënjejnë ndaj le të kemi në krye këtë që do na i mbushë xhepin sadopak!"

Njerëzve ju pëlqen t'i gënjejnë

Kjo është një e vërtetë e hedhur dhe është baza e suksesit të mashtrueve dhe sharlatanëve. Ndaj dhe çdo ditë dëgjon për skema mashtrimi të suksesshme. Gjatë gjithë karrierës së tij si biznesmen, Trump ka qënë një reklamues i pacipë i bizneseve të tij. Në të njëjtën mënyrë ka hyrë edhe në politikë, ku ka reklamuar "mallin" që në këtë rast është vetja e tij. Fjalimet e tij (ose më mirë çorbat me fjalë) janë të mbushura me mburrjet se ai vetë është një gjeni, një udhëhqës i jashtëzakonshëm, Presidenti më i mirë që ka pasur Amerika, njeriu iduhur për paqen në botë e të tjera si këto. Duket e çuditshme që shumë njerëz jo vetëme durojnë. por dhe e besojnë një mburravec të tillë. Por ja që ndodh për të keqen e Amerikës dhe të mbarë Globit.

Duke i shkruar këto rrjeshta vazhdimisht uroj të jem i gabuar dhe çka parashtroj të mos ndodhë.

Por kjo është vetën një dëshirë. 

No comments:

Post a Comment