Friday, 25 October 2024

A është arrestimi i Metës i dobishëm për shqiptarin e thjeshtë?


Sigurisht që arrestimi i Metës as ka për të ndikuar në rritjen e pensioneve dhe as në uljen e çmimeve në Shqipëri. As dhe kënaqësia shpirtërore që mund të ndjejnë pjesa më e madhe e shqiptarëve për arrestimin e një prej "të fuqishmëve" nuk përbën ndonjë dobi të madhe për ta.

Shumë nga kundërshtarët e Ramës thonë se përfituesi më i madh nga arrestimi është Rama, pasi ai do ta ketë fare të lehtë fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Madje një pjesë syresh thonë se është pikërisht Rama që kontrollon SPAK dhe ka urdhëruar arrestimin e Metës.

Fitorja e zgjedhjeve të 2025 nga PS është e sigurt me ose pa arrestimin e Metës.

Edhe pse kryemininistri aktual, për shkak të pushtetit të pakufizuar që zotëron, ka ndikimin e tij në SPAK, unë nuk mendoj se ai ka qënë dhe është i interesuar për ndjekjen ligjore të Metës (dhe Berishës). Një opozitë të udhëhequr prej tyre ai e ka mundur dhe do vazhdonte ta mundte në zgjedhjet. Shqiptarët edhe pse mund të mos e duan Ramën, nuk kanë asnjë besim tek dyshja Berisha - Meta. Mungesa e një opozite të besueshme është edhe arsyeja se pse ata vazhdojnë të largohen nga Shqipëria. Ndryshe do të ndodhte nëse opozita do kishte fytyrën e Arlind Qorrit apo Endri Shabanit. Por shpresa e një opozite të tillë mund të krijohet vetëm në mandatin e ardhshëm të drejtuar nga Rama.

A po pastrohet skena politike shqiptare?

Ndryshe nga ata që predikojnë se dy standartet e Drejtësisë janë më keq për shoqërinë shqiptare dhe shqiptarin e thjeshtë, unë mendoj se në rrugën e gjatë të shëndoshjes së politikës(por edhe të shoqërisë) shqiptare, arrestimi i Metës është një hap para. Dy janë ata që kanë mbetur për tu arrestuar në të ardhmen. Erion Veliaj dhe Edi Rama. Nëse i pari mundtë përfundojë në burg vitin që vjen, për të dytin them se do jenë zullumet e 4 viteve të ardhme që do ta shpien pas hekurave. Grykësia e tij ka kaluar çdo kufi dhe do jetë e tillë edhe në vitet që vijne. Ai funksionon mbi vjedhjen e organizuar, kontrollon nëpërmjet vjedhjes masive dhe nuk mund të shkojë kundër sistemit që e mban në fuqi.

Nisur nga kjo pikpamje mendoj se për shqiptarin që jeton me djersë, arrestimi i njërit prej njerëzve më të korruptuardhe kontribuesve kryesorë në ngritjen e sistemit të korrupsionit,si Ilir Meta, është i dobishëm. Edhe pse nuk mund të jem shumë optimist( kam dëshëruar dhe parashikuar që Meta do arrestohej mëse 10 vjet më parë), përsëri e theksoj se është një lajm i mirë.

Në një vend ideal me një shoqëri ideale, këtë vit duhet të ishin arrestuar edhe Rama edhe Veliaj dhe disa të tjerë bashkë me të. Por ne jemi larg një vendi ideal me një shoqëri ideale. Le të kënaqeme edhe me standartin e dyfishtë të goditjeve të SPAK.


No comments:

Post a Comment