Edhe ajo ditë e shtunë ishte.
Agu me zor po vinte,
Mbuluar re të errëta ai qiell i huaj.
Ti kishe ditë të tëra nga pak flisje,
Ndoshta ishin bërë javë,
Ndoshta edhe muaj.
Dritares së madhe drita u var,
Mbi ballë të zbriti,
Por sytë kishe mbyllur.
Në vazon pranë shtratit,
Dy trëndafila të bardhë,
Të përzishëm dukeshin me kokën e ulur.
" I njëjtë është dheu kudo
Dhe njerëzit,
Dhe lulet"- më pate thënë.
"Të gjithëve ju bën dritë i njëjti diell,
Dhe netët ju ndriçon e njëjta hënë."
Për mua gjithshka e huaj ishte,
E pakuptimtë,
Boshe,
Plot mister.
Mortja që prej kohësh diku priste,
Të të merrte larg,
Në të pasosurin terr.
Mendimi që prej ditësh varur rrinte
Më qartë u shfaq,
Topitës si helmi:
"Nuk do të jetë më nënëza ime..."
Kokën mes duarsh morra,
Të nxehtë,
Si në çaste jermi
Dhe më pas u mbyta në ngashërime.
E shtun[ 7 shtator 2024
No comments:
Post a Comment