Monday, 24 November 2025

Dukesha Bela dhe Viskonti Lali


Oborri i mbretit Eduin i Parë (ose Skënderbeu i Ri) duket tani më i trazuar se kurrë. Para një viti, në shënimin “ Oborri i degjeneruar i Skënderbeut të ri”, kisha prekur në mënyrë fotografike gjendjen e një klani qeverisës autoritar, ku veç vjedhjeve dhe skandaleve erotike, ka edhe intriga se kush t’i afrohet më shumë të Plotfuqishmit. Një tablo e ngjashme me oborret mbretërore të Mesjetës, por dhe ato të mëvonshme. Përshtypja ime në atë kohë ishte se Eduini i Parë qe i patundur në pushtetin e tij, po aq sa Luigji i Katërmbëdhjetë.

Kjo përshtypje nuk më ndryshoi as pas arrestimit të Lali Erit dhe u përforcua në zgjedhjet e majit të këtij viti.

Por duket se kam qënë jo tejpamës. Nëse titujt aristokratike të oborreve europiane janë të pandryshueshme, “titujt” e dhënë nga Eduini i Parë, mbret i shqiptarëve, socialistëve dhe patronazhistëve, nuk janë vetëm në dorë të mbretit. Struktura e Posaçme ja hoqi titullin Viskontit Lali dhe sëfundmi edhe Dukeshës Bela, të cilët krahas vjedhjes për vete dhe për llogari të Mbretit, 3-4 vitet e fundit ishin angazhuar në intriga ndaj njëri tjetrit. (Nuk duhet të harrojmë edhe Markezin Ahmetaj, një tjetër aristokrat i përfshirë në lojërat prapaskene, por që ishte syrgjynosur herët nga vetë Eduini i Parë.)

Njëri në burg dhe tjetra pa ofiqe, tashmë duhet të kenë harruar rivalitetin dhe intrigat dhe me siguri veç keqardhjes ndaj vetes, ndoshta mendojnë se janë bashkëgjyhnaqarë dhe bashkëvuajtës. Sajë tahmasë së tyre dhe zellit për të plotësuar grykësinë e tejskajshme të Palloshit të Gjatë.

Po a janë këto lëkundje, shënja se edhe froni mbretëror nuk është aq i sigurt?

Ndoshta për këtë mund të na japë ndonjë info më të saktë Baroni derdimen Di Lana (aq derdimen nuk është se çifligun e Korçës e administron mirë), por unë kam shkruar shpesh kundër tij dhe nuk kam kurajo ta pyes.

A ngjan Eduini në fund të vitit 2025 me Luigjin e Katërmbëdhjetë, apo po merr tiparet e strënipit të tij,

Luigjit të Gjashtëmbëdhjetë?

Dhe ky i fundit, për fat të keq, përfundoi në gijotinë.

No comments:

Post a Comment