Wednesday, 6 November 2024

Shumica e amerikanëve jetojnë sot për sot


Edhe pse e pritshme, fitorja e mbrëmshme e Trump i tejkaloi pritshmëritë. Për më tepër edhe një numur i madh i të rinjve votuan për të dhe për kandidatët e tjerërepublikanë. Duket që "the Donald" do "mbretërojë" pa asnjë lloj pengese legjislative në katër vitet e ardhme. 

Dy ishin faktorët kryesorë që ndikuan në rikthimin e tij në pushtet. Gjendja ekonomike-financiare e familjeve amerikane dhe emigracioni.

Gjithë çështjet e tjera, që i takojnë një të ardhmen jo të largët, sikundër janë ngrohja globale dhe efekti i saj në globin tokësor, situata e demokracisë dhe e institucioneve të saj, ndikimi pozitiv ose jo i SHBA në marëdhëniet ndërkombëtare, rritja e mundshme e ideologjisë fashiste kudo në botë, patën kaluar në planin e tretë dhe të katërt.

Eshtë ky një tregues i fortë, që shumica e amerikanëve jetojnë sot për sot.

Rrënjët janë jo vetëm në arsimimi jo shumë i mirë i shumicës, koha e pakët që mbetet për të kuptuar botën si rrjedhojë e orëve të zgjatura të punës, por edhe tek një lloj vetbesimi arrogant si nënshtetas të shtetit më të fuqishëm në botë. Ndaj ndodh edhe që një përqindje jo e vogël e popullsisë beson se "bota është e sheshtë"(të gjithë këta janë përkrahës të presidentit Trump).

Me këtë nuk dua të justifikoj dështimin në politikat ekonomike dhe të emigracionit të administratës së sotme amerikane, (kam qënë gjithnjë mosbesues në aftësitë e Biden për të drejtuar), por bëj një përpjekje për të kuptuar se si është e mundur që kaq shumë njerëz nuk shohin dot më larg se hunda e tyre.

A vjen "fundi i botës" nga rizgjedhja e Trump?

Edhe pse nuk ka bazë për një parashikim të tillë apokaliptik, mendoj se 4 vitet e ardhëshme do jenë tepër të paqëndrueshme në planin ndërkombëtar dhe do varen shumë nga humori i një njeriu të pastabilizuar dhe të paparashikueshëm. 

Hapa pas do ketë në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. 

Hapa pas do ketë në rritjen e demokracive kudo në botë. 

Hapa të mëtejshëm do ketë në rritjen e forcave të ekstremit të djathtë dhe shtimin e autokracive.

Trump e koncepton politikën si biznes dhe si marrëdhënie transaksionale dhe në këtë mënyrë do të negociojë vetëm me udhëheqës "të fortë" pa patur pengesa ligjore dhe institucionale në të dy krahët.

Do ketë një gjallërim të ekonomisë, por është tepër naive të thuash se të gjithë mund të përfitojnë nga idetë e tij ekonomike, Prirja sot në botë është që të pasurit pasurohen gjithnjë e më shumë dhe hendeku midis tyre dhe masave thellohet gjithnjë e më tepër. Kjo prirje do kristalizohet edhe më shumë gjatë viteve të tij.

Ka vetëm një lloj ngushëllimi.

Janë vetëm katër vite dhe të zhgënjyerit do rikthejnë njerëz më të arsyeshëm, qofshin të djathtë apo të majtë në krye tëvendit më të madh dhe më të rëndësishëm në botë.

No comments:

Post a Comment