Friday 17 May 2024

Unë e mirëpres kryeministrin tim


Nuk di ta spjegoj tamam se ç'është forca magnetike me të cilën na tërheq Atdheu, që nuk ka se si të jetë e ngjashme me Forcën e Tërheqjes së Gjithësishme, se në të kundërt nuk do kisha ikur si shumë të tjerë. Por ja po të më pyesin se cili është kryeministri im, menjëherë hidhem dhe them Rama dhe jo sikundër do ishte më e logjikshme, të përgjigjesha - Trudo. Eshtë si një lloj fiksimi i përhershëm mendor Shqipëria, shqipëtarët,gjuha shqipe, gjërat shqipe, shqiponjat, shënja e shqiponjës me duar e të tjera si këto. Kur udhëtoj mes natyrës së këtij vendi të pamatë, në kokë më rrinë vetëm vargjet :

"Kanadaja plot liqene

Si Shqipëria s'je moj qene!"

të cilat i kam dëgjuar nga goja e ndonjë patrioti, ose janë sajuar nga pjesa nacionaliste e Nënndërgjegjes sime

Ndaj dhe mezi pres që në turin e madh të takimeve të kryeministrit tim me emigrantët në Milano, Dyseldorf dhe Londër, të shtohet edhe një takim  në Toronto ose në Montreal.

U ngazëlleva kur pashë entusiazmin e emigrantëve të Athinës, që përzjehehej me entusiazmin e punonjësve të administratës shqiptare, që nuk duan të humbasin vendet e punës dhe privilegjet e ndonjë pisllëku që bëjnë ndërsa ushtrojnë detyrën.

Ja për të këtilla gjëra ke!mi nevojë ne qyqet e Mërgatës shqiptare kudo që jemi. Flamuj, folklor, thirrje patiotike si "O sa mir me ken' shqiptar", dhe më në fund gjunjëzimin e kryeministrit, Padishahut vetë, para popullit të tij. (Se ne nuk jemi koka e Zeusit- thoshte dikur idhulli i Edi Ramës.)

Nuk di se sa do jetë e mundur të realizohet kjo ëndërr (jo vetëm e imja , por e mijra qyqeve të Kanadasë), se është e vështirë të jepen viza për qindra e qindra socialistë shqiptarë që duan të shoqërojnë Ramën kudo që shkon. (Për shpenzimet nuk është ndonjë problem i madh se edhe sikur mos e përballojë dot buxheti i shtetit, diçka do japin Maneja me Kastratin.)

Në se do ketë gjasa që të bëhet, do shkoj menjëherë të ble një kostum të kuq, të më shkojë me këpuzët e zeza, një flamur pak më të madhe se një çarçaf dopio dhe një bikerinë me vezë për t'i pirë esëll mëngjesave të dy javëve para takimit.

Për të thirrur me sa kam në kokë:

"Yjaaaaaaaaaaa!!!"

No comments:

Post a Comment