Friday 10 May 2024

A duhet të presim "mrekullitë" nga SPAK?


Si të gjithë mesdhetarët, ne shqiptarët jemi të paduruar, Ndoshta edhe më të paduruar se të tjerët (përjashto këtu grekët). Dikush mund të thotë se pas 34 vjetësh tranzicion kemi të drejtë të jemi të paduruar se gjërat kanë shkuar më keq dhe nuk duket se mund të përmirësohen.

E vërteta është se ka gjëra që kanë shkuar më keq, por edhe shumë gjëra janë përmirësuar në Shqipëri. Vërtet shkalla e korrupsionit është rritur dhe skandalet janë nga më të paimagjinueshmet, por ka edhe zyrtarë që janë duke u ndjekur penalisht për korrupsion, si dhe ndjehet një "atmosferë frike" për nëpunësit e lartë se mund të arrestohen nga SPAK.

SPAK është kryefjala e shumë debateve në media dhe opinionet janë nga më të ndryshmet: institucion efikas, institucion i kapur, institucion që punon me dy standarte, i kontrolluar nga amerikanët, i kontrolluar nga Rama dhe të tjera variante dhe nënvariante të ngjashme.

Por në thelb c'farë janë SPAK dhe Gjykata e Posaçme?

Janë institucione shqiptare , në të cilët punojnë juristë shqiptarë, të formuar në shkolla shqiptare. Detyrimisht nuk ka se si të jetë një "makinë perëndimore" që funksionon me përpikmëri. Për vetë formimin e tyre njerëzor dhe profesional, prokurorët e SPAK janë të ngjashëm me kolegët (si i quan Veliaj) e tyre në të gjitha fushat e jetës shqiptare. Kanë mangësitë e tyre profesionale dhe mangësitë në karakter, që mund të variojnë nga ashpërsia e panevojshme, në përdorimin e dy standarteve, në "elasticitetin" ndaj të fuqishmëve, në dëshirën për protagonizëm dhe deri në mendësitë primitive të hakmarrjes. Edhe presioni apo kontrolli që mund të bëjnë amerikanët nuk mund t'i kthejë ata në juristë të devotshëm apo juristë të klasit të parë.

Përgatitja e dosjeve penale për ato që quhen "krime të jakave të bardha" është një proces i vështirë edhe në vendet me shumë përvojë juridike, me juristë të klasit dhe me numur të madh punonjësish. Ndaj shpesh herë është objektive edhe mungesa e cilësisë në përgatitjen e dosjeve ndaj zyrtarëve shqiptarë, që ka sjellë dënimet minimale të tyre.

Nga SPAK nuk duhet të presim të ç'rrënjosë korrupsionin. Ai institucion nuk mund të sjellë "mrekullira" sepse e tillë është dëshira jonë edhe sikur të ishte i përbërë nga juristë anglo-saksonë. Në një vend me korrupsion të gjërë dhe të kudondodhur SPAK vetëm mund të vendosë disa "standarte frike" për ata të cilët i druhen burgut ose kanë turp të shkojnë atje. Pasi në shumë të rinj shqiptarë tani ka hyrë edhe psikologjia se "le të kem mundësi të bëj 3-4 milion euro, pa i bëj edhe dy vjet burg!"

Pra mrekullia e krijimit të një shteti me korrupsion të pakët dhe institucione të fuqishme do dy gjëra: Kohë dhe përpjekjen e gjithë shoqërisë për të luftuar korrupsionin nga rryshfeti më i vogël dhe deri në vjedhjet stërmëdha të taksapaguesve.

Sigurisht që këtë mrekulli nuk mund ta sjellë Rama. Ai ka meritën se ka ngritur në shkallën më të lartë korrupsionin shtetëror. Dalja e tij nga skena politike do ishte një mrekulli, por edhe kjo do kohë që të ndodhë.

No comments:

Post a Comment