Thursday 16 May 2024

Rikthehen atentatet politike


Në këtë vit të krisur, me luftë në Ukrainë dhe Gaza, me gjyqe dhe fushatë elektorale në SHBA, me kërcënime armësh bërthamore, sikur këto mos ishin të mjafta, rikthehen edheatentatet politike ndaj një politikani në shkallët më të larta në pushtet. Një i moshuar sllovak mbi 70 vjeç, është përpjekur të vrasë kryeministrin Robert Fico. Për fat të mirë Fico e ka kaluar rrezikun e humbjes së jetës.

Ndjehet një atmosferë e tensionuar në Europë, që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Atentat ndaj një personaliteti të lartë nuk kishte ndodhur që prej vitit 2003, kur klani i Zemunitvrau kryeministrin sërb Zoran Xhinçiç. 

Partia e kryeministrit Fico, të cilin europianët e quajnë një politikan populist dhe pro Putin, akuzojnë për atentatin, shtypin sllovak liberal, që sipas tyre ka ngjallur urrejtje në pjesë të caktuara të popullsisë sllovake ndaj kryeministrit. Nuk është e pamundur të jetë edhe kjo, por si ndodh zakonisht në politikë, palët janë të predispozuara të gjejnë fajtorët në kundërshtarët edhe pse vetë mund të përdorin të njëjtën gjuhë të helmuar ndaj të tjerëve. Kështu bëjnë pjesa më e madhe e partive politike dhe në mënyrë të veçantë ato me prirje populiste.

Kur ndodhin ngjarje të tilla të rënda dhe për të cilat akuzohen mediat liberale, të shkon mendja që është mirë tek ne, ku Lali Eri dhe Rama kontrollojnë dhe përdorin në dobi të tyre 90% të mediave. Edhe pse mund të ketë deformime në informacion, të paktën shoqëria jonë e ka të garantuar jetën e udhëheqësve. Se kudo mund të gjenden pleq 70 e ca vjeçarë, që ushqehen nga mëngjesi deri në darkë me gazeta dhe lajme nga kanalet televizive dhe larg qoftë, ngrihen dhe i këutin ndonjë koqe plumbi kryeministrit apo kryetari të bashkisë.

Se nuk ka gjë më të keqe se vrasja e një lideri!

Nga pikpamja njerëzore, shoqërore dhe ekonomike. I kemi hequr këto trauma kur ndodhi atentati ndaj Heroit të demokracisë Azem Hajdari, kur funerali u kthye në grusht shteti dhe Berisha me të tijtët u "nisën të shpëtonin Shqipërinë", por nuk i la ta shpëtonin ambasadorja amerikane Lino. Dhe i ndjeri hero Azem nuk kishte qënë as ministër ndonjëherë. Mendo ç'katrahurë mund të sjellë (allahsëndëk) atentati ndaj një kryeministri.

Më e thjeshta pasojë është një javë zi kombëtare, ndërprerja e tërë veprimtarive kulturore dhe sportive, e vazhdimi më pas me vendosjen e shtatoreve në sheshin Skënderbe, në Veliera në Durrës dhe në Lungomaren e Vlorës. E të gjitha shpenzimet nga xhepat e taksapaguesve. Se për heroin e Demokracisë (që nuk ishte as ministër) dhe kemi një përmendore në Qëndër të Tiranës dhe një shtatore në Qytetin e Studentit.

Të rrënqethet trupi vetëm ta mendosh një ngjarje të tillë.

Po si e përmenda dhe më lart, demokracia shqiptare është e imunizuar nga të tilla mundësi, "kur të vjen nga se pandeh"se mediat janë të moderuara dhe njëkohësisht dashamirëse ndaj pushtetit. Ka zëra që kryeministri po përgatit një ligj për mediat që të jenë edhe më të moderuara edhe më dashamirëse dhe kjo do sjellë garanci për vazhdimësinë e pushtetit nën sloganin "Ymër Padishahut!"

No comments:

Post a Comment