Iku shumë shpejt. Nuk di nëse është e saktë të them që e vranë, sepse kishte muaj me një sëmundje jo të lehtë, por mund të them me siguri që ja përshpejtuan me shumë vite largimin nga njerëzit që e donin.
50 vjet më parë, në këto ditë, vuante në spitalin e Korçës dhe vetëm familjarët e afërt mund ta vizitonin e t’i përkujdeseshin. Edhe mjekët që e kishin shumë të afërt kishin frikë të hynin në dhomën e tij, veçanërisht kur ishte ditë e kishte lëvizje.
I tillë ishte terrori i atij regjimi të egër në fund të vitit 1975.
Po ç’i kishte bërë Gavril Kolaci Diktaturës së Proletariatit?
Asgjë.
Ishte në njerëzit më të mençur dhe më të mirë që kam njohur. I bënte mirë gjithkujt. Nuk dalloje tek ai asnjë mllef ndaj të tjerëve dhe as ndaj regjimit edhe pse në mendje mund të kishte dyshime të forta për komunizmin feudal shqiptar. Edhe mund të druhej nga egërsia dhe arbitrariteti i komunistëve fanatikë, pasi shumë vite më parë i kishin pushkatuar xhaxhanë në Vithkuq. Por nuk besoj se dëshëronte thellë përmbysjen e regjimit. E jetonte jetën me dinjitet, përkushtim dhe me shumë dashuri për njerëzit që meritonin t’i doje. Xhaxhanë mbase as nuk e kishte njohur se i jati ishte ndarë shumë vite më parë prej tij.
Fotoja është e vetmja ku ndodhemi bashkë. Eshtë dasma e tij, fragmente të së cilës i kujtoj ende, edhe pse isha vetëm 3 vjet e gjysëm. Ishte ngjarje e shënuar për fisin tonë, pasi Gavrili ishte më i madhi i nipërve dhe mbesave të Miti dhe Peçi Treskës. Edhe më i miri.
Kishte studiuar për gjeometër dhe më vonë për fizikë. Kudo kishte shkëlqyer. “Njolla në biografi” e kishte penguar të studionte jashtë shtetit, por asnjëherë nuk e kisha dëgjuar të ankohej apo fliste me përçmim për njerëz të studiuar jashtë edhe pse syresh kishte bashkëmoshatarë, që kishin mbetur “kunguj”.
Kishte mirësi dhe butësi në bisedë dhe një humor të këndshëm, por edhe shumë të përmbajtur. Nuk donte që dikush të ndjehej keq.
Vërtet diferenca e jonë në moshë ishte e madhe(28 vjet), por në vitet e adoleshencës sime (që ishin edhe vitet e fundit të tij) i pëlqente të më mbante afër dhe të më tregonte. Ndoshta jo gjëra tepër të thella e të sofistikuara, por ndodhi nga të cilat mund të kuptoje rreth jetës dhe njerëzve. Ndjehesha i lumtur që tregonte se më deshte dhe kishte një lloj vlerësimi sepse kushëriri im ishte pedagog fizike në gjimnazin tjetër dhe nga shokët kisha dëgjuar shumë e shumë fjalë të mira për të. Nuk ishte e pakët të të vlerësonte një pedagog fizike i gjimnazit. Fizika për ne ishte kulmi i shkencave të sakta.
Kështu deri atë ditë nëntori 1975, kur e internuan bashkë me gjithë familjen.
Ishin internimet e para të natyrës politike qysh prej një dhjetvjeçari. Njerëzit kishin marrë frymë më lehtë në fund të viteve ‘60 dhe fillimit të viteve ‘70. Kishte pasur goditje të herë pas hershme, por një internim në masë, i shumë familjeve në të njëjtën natë, kishte që në vitet ‘40-’50 që nuk kishte ndodhur. Në lëvizje ishin vënë ligësia, zilitë, mllefet, etjet për gjak të njerëzve më të këqij të shoqërisë shqiptare. Ishin ata që përgojonin, që sugjeronin emra për listat e internimit, që vendosnin pa ju dridhur dora për fatet e njerëzve të mirë e të ndershëm, që nuk kishin bërë asgjë, se në të kundërt do i kishin burgosur me kohë.
Komisionet e dëbim-internimeve ishin një nga mekanizmat më të poshtër të Diktaturës, sepse nuk i nënshtroheshin asnjë procedure ligjore. Ishte arbitrariteti më i egër dhe pa asnjë lloj maske. Nën këtë mekanizëm makabër u shtyp Gavrili jonë i vyer. Bashkë me të Mirësia, Bujaria, Urtësia dhe Buzëqeshja. Edhe një pjesë e shpirtit tonë.














