Wednesday 5 June 2024

Ti Shqipëri më ep nderë- Më ep Ramën lider!


Edhe këtë herë më sosi durimi të ndiqja deri në fund intervistën e Ramës përgazetarin e RAI 3. Më bezdis fodullëku i tij edhe pse është i menderosur. I është krijuar bindja se kujtdo mund t'ja dalë me fjalë dhe batuta duke përforcuar idene edhe tek shikuesit e huaj se nuk ngjan me një kryeministër por me kreun e një klani mafioz, që nuk ka asnjë seriozitet apo ndjenjë përgjegjësie, por vetëm mundohet të bëjë fajtorë të tjerët se nuk po paraqesin asnjë fakt. (Ndoshta gazetari italian po të dinte atë anekdotën e njohur të kohës së komunizmit për "faktin" e tradhëtisë bashkëshortore do i ishte përgjigjur ndonjë çast: Fakti nuk dukej se ishte brënda!")

Linja kryesore e "mbrojtjes" së Ramës ishte se po goditeshin shqiptarët dhe Shqipëria për shkak të luftës politike brenda Italisë, por edhe nga motive të vjetra të racizmit ndaj shqiptarëve. Dhe në mënyrë të ngjashme me krerët e CosaNostras në Itali ai deklaroi se do e mbronte nderin e shqiptarëve të nëpërkëmbur nga deklaratat për "narkoshtet" apo për korrupsion të hapur.

Por edhe italianët dhe ahqiptarët e kuptojnë se emisioni Report shigjeton me fakte të vërtetuara apo edhe jo të vërtetuara (nuk është puna e gazetarisë por e prokurorisë të sjellë fakte tërësisht të dokumentuara)qeverinë Rama dhe jo shqiptarët dhe Shqipërinë. (Ndonëse duhet edhe të pranojmë që në krahasim me numurin e popullsisë jemi bajagi të përparuar në krimin e organizuar në botë.)

Edhe pse qëllimi i Report nuk ishte të hetonte thellësisht në problemet e shoqërisë shqiptare ai përsëriste diçka të njohur edhe nga vendasit , por edhe nga institucionet ndërkombëtare, që nuk ka një vijë ndarëse mes qeverisë dhe administratës shqiptare nga organizatat mafioze. Rama e ngriti qeverisjen e tij duke u mbështetur në organizatat kriminale dhe duke i mbështetur ato. Ndaj dhe kanë ndodhur ato që nuk ndodhin në çdo vend, që Ministri i brendshëm drejtonte rrjetin e drogës, që kriminelët bëheshin deputetë dhe kryetarë bashkie dhe që kryeministri dhe pasuesit e tij takoheshin hapur dhe hanin dreka e darka ose flini në hotelet e kriminelëve të njohur. Ndaj pa frikë edhe nëse mund të mos përdorim shprehjen "narkoshtet", me plot gojë mund të themi se kemi të bëjmë me një "narkoqeveri" dhe një "narkokryeministër". Ai vetë ka krijuar kushtet më të mira për pastrimin e parave të drogës, që në një pjesë të madhe janë motorri i ekonomisë shqiptare.

Të kthehemi tek nderi i shqiptarëve dhe Shqipërisë, cënimin e të cilit Rama e identifikon e cënimin e "nderit" të tij.

Opinioni im është se në vendet perëndimore ku jetojnë emigrantët shqiptarë, opinion publik është në gjendje të dallojë shqiptarëe ndershëm që janë shumica nga banditët. Edhe të huajt që shkojnë e vizitojnë Shqipërinë janë në gjendje të dallojnë cilësitë pozitive të shqiptarëve nga  korrupsioni i një pjese të administratës. Ndaj nuk mund të flitet për një "nder" apo "çnder" të përgjithshëm dhe gjithpërfshirës.

Nëse ka diçka për të cilën duhet t'i ankohemi Shqipërisë (shoqërisë shqiptare) është fakti që mban në krye prej më se 10 vitesh një lider tërësisht të çndershëm, si Edi Rama. 

No comments:

Post a Comment