Wednesday, 3 January 2024

Viti i palaçove dhe bombave?


Sigurisht që copëzimi i kohës në vite nuk ka të bëjë me një karakteristikë të caktuar të segmentit kohor. Jeta vazhdon rrjedhën e saj pa marrë parasysh që ka një ndryshim të shifrave. E megjithatë ka ngjarje të caktuara që kanë një natyrë periodike, të cilat bëhen përcaktuese të një viti, dhjetvjeçari apo më tepër. 

Janë zgjedhjet presidenciale amerikane kete rradhe ato që kushtëzojnë një natyrë jo paqësore për globin dhe shoqërinë njerëzore.

Përgjithesisht gjatë vitit zgjedhor, amerikanët janë më të përmbajtur në rolin e tyre si udhëheqës botërorë dhe kjo bën që shumë udhëheqëa autoritarë të kenë më pak "fre" në ato ç'ka bëjnë kundër popujve të tyre dhe popujve të tjerë. Tre fushatat e fundit(përfshirë këtu edhe kjo e 2024) kanë qënë edhe më delikate në këtë pikpamje, sepse ndryshimi në Shtëpinë e Bardhë do ishte më radikal se në fushatat e tjera. Padyshim që një zgjedhje e Trump do e fusë Amerikën dhe Botën në ujra të panjohura më parë. Ndaj ndërsa për 11 muaj popujt dhe pjesët paqedashëse të shoqërisë do mbajnë frymën me frikë për rezultatin, të gjithë regjimet autoritare do jenë më të guximshëm në hapat e tyre agresive në dëm të demokracisë, paqes dhe mbrojtjes ekologjike të Globit.

Ndaj është për të pasur frikë se ky vit do jetë i "palaçove dhe bombave".

Dalja në ballkonin e një apartamenti në Tiranë të një "gërxhoje", i cili ka minuar demokracinë e vendit dhe ka ndihur të pasurohen fëmijët dhe rrethi i tij, është një nga aspektet më në miniaturë të këtij viti në Botë. Berisha do gërrthasë se po sulmohet politikisht për tu "eliminuar opozita politike e vendit". Gjatë gjithë vitit, ithtarët e tij do gënjejnë veten se "kur të fitojë Trump, Berisha nuk do jetë më non grata dhe se PD-ja do të favorizohet nga administratat amerikane. Asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur edhe nëse Trump fiton dhe po aq më mirë ndjehet palaçoja tjetër shqiptare, Edi Rama. Për të fitorja e Trump sjell më shumë' amulli në botë dhe në këtë mënyrë më shumë mundësi për të vjedhur dhe për të mbuluar vjedhjet e së kaluarës.

Por nëse për "palaçot autoritarë" të vendeve të vogla (Erdogan, Orban, Vuçiç), ky vit favorizon vjedhjet dhe ngushtimin e hapësirave demokratike, për regjime si ai i Putinit, Iranit apo Kinës, ky vit sjell mundësi më të mëdha për te qënë më agresivë ndaj kundërshtarëve të tyre. Putin do shkallëzojë sulmet ndaj Ukrainës dhe nuk është çudi që Kina të mundohet të aneksojë Taivanin. Më shumë bomba, më shumë të vrarë dhe më pak liri për popujt.

Një tjetër palaço, që ka probleme me drejtësinë e vendit të tij për korrupsion, Bibi Netanjahu, ka për të mbjellë më shumë zjarr në territoret e Palestinës me justifikimin se do shfarosë Hamasin.

A mund të ndodhë edhe më keq se kaq?

Pesimizmi nuk ndih, sepse shkurajon të gjithë forcat pozitive të Njerëzimit, të cilat mund dhe duhet t'i bëjnë ballë forcave të errëta dhe luftënxitëse. E megjithatë luftërat janë një biznes i madh në botë dhe palaçot nuk ndalen në përpjekjet e tyre për të nxjerrë fitime nga çdo lloj biznesi.

Le të shpresojmë se do jetë jo keqësisht një vit anormal!


No comments:

Post a Comment