Ndjehet sikur është -33 gradë celsius dhe nuk ka shpresë për
të mbledhur aguliçe.
Aguliçe mbase ka në Vietnam, por presidenti Trump po kthehet
duarbosh.
Duarboshër ka më shumë se duarplotë, ndoshta po në të njëjtin
raport që janë të s’kamurit me të kamurit.
Kamja dhe s’kamja janë dy anët e të njëjtës medalje.
Medalje po shpërndan gjithandej presidenti Meta, por a duhet
pranuar medalja që të jep një faqezi.
Të akuzosh dikë se është faqezi nuk do të thotë që je
racist.
Racistë nuk lindim por vdesim të tillë.
“Të tillë dhe të atillë“ është një shprehje e pastër, që përshkruan
njerëz me cilësi të fëlliqura.
Nuk mund të fëlliqesh po të mos jesh i pastër.
Pastërtia e figurës morale është një cilësi që nuk ju shkon
elitave.
Po hyre në elitë mbetesh elitar në jetë të jetëve, bile vend
elitar të japin edhe në varreza.
Varret më madhështore në Amerikë i kanë mafiozët.
Nëse mafiozi është anëtar i një organizate, xhepisti mund të
quhet “ujk i vetmuar”.
Ujku i vetmuar e ka shumë të vështirë të dalë nga dimri i paleqendisur.
Leqendisja është dobësimi i gjymtyrëve, që sjell lëkundjen e
mbijetesës të grabitqarëve.
Grabitqarë dhe të grabitur të të gjitha vendeve bashkohuni!
Shkurti që shkurton urët, po i le vendin marsit…
No comments:
Post a Comment