Tuesday, 13 December 2016

Për hir të Kadaresë le ta shqyejmë Lubonjën!

Le të themi, se Fatos Lubonja është një anti-Kadareist. Në 
fushën e gjerë të artit , letrave dhe poitikës ka pasur gjithnjë kritikë
anti-Mikelanxhelo, anti-Vagner, anti-Pikaso, anti-Cërçill e kështu me rradhë,
mijra e mijra. Duke e rrjeshtuar Lubonjën mes tyre, po them edhe se Kadareja i afrohet
nivelit të gjenijve të sipërpërmendur edhe pse nuk e kam të plotë këtë bindje. Megjithatë,
meqënëse është shkrimtari jonë më i lexuar, më i përkthyer dhe më I njohur në
botë, për lehtësi të shkrimit po e le në atë Olimp.
Le t’I kthehemi debatit të dy javëve të fundit, të
shkaktuar nga botimi i librit të Dashnor Kaloçit dhe sidomos nga komentet e
Lubonjës rreth fabrikimit të historisë nga vetë Kadareja.
Të gjithë duhet të pranojmë, se vepra e Kadaresë, që s’ka se
si të mos reflektojë edhe natyrën e autorit, ka shumë dritë-hije, rropatje,
vezullime, prapaskena, çmime, përndjekje, ambiguitete duke e shpënë autorin nga
majat më të larta të nderimit dhe përfitimit në Diktaturë dhe deri pranë dyerve
të burgut. Një djalosh 17 vjeçar, që habiti botën letrare të kohës me poezitë e
tij mbresëlënëse, duke qënë më prodhimtari dhe më i talentuari i kohës, nuk
kishte se si mos i shpëtonte ulje ngritjeve të tilla. Vetë Ismaili, ishte jo
vetëm spektator, por edhe aktor i dramës së veprës së tij në procesin e botimit
dhe pas botimit në kohën e Hoxhës. Nuk i përngjante të mëdhenjve të tjerë, që
ishin tërhequr, sikundër kishin bërë Lasgushi, Kuteli, Markoja e ndonjë tjetër.
Arsyet më mirë se kushdo i di vetë Kadareja, por ai ishte aktiv ne rrethet e
gazetarisë dhe ato letrare, që nga bisedat e ngushta, në nxitjen e klaneve, në
përkrahjen e të rinjve, në shkrimet dhe intervistat, në takimet me Nomenklaturën
dhe deri në hyrjen në parti dhe pjesëmarrjen në mbledhjet e organizatës bazë. 
Ndaj është e gabuar paraqitja e tij si “shkrimtar oborri” po aq sa e gabuar është ta paraqesësh si të përndjekur apo akoma më tepër si disident.
Po le të kthemi në Fatos Lubonja dhe sulmet tepër të egra, qëi bëhen atij rreth atyre ç’ka tha për Kadarenë dhe librin e Kaloçit.
Një libër me dokumenta(qoftë këto edhe të manipuluar nga
Sigurimi i asaj kohe) nuk mund të ketë monopolin e të vërtetës rreth raportit të
Kadaresë me Diktaturën dhe me Diktatorin. Do duhen edhe shumë vepra të tjera
dhe studime të thella për të përcaktuar se cili ishte Ismail Kadare, prej
viteve ‘60 e deri në largimin e tij nga Shqipëria. Një libër apo edhe disa të
tillë, nuk mund të arrijnë në konkluzionin e thjeshtë se veprat, të cilat u
botuan në 3 dhjetvjeçarë e patën fatin të dinin në dritë thjesht nga talenti i autorit
apo nga cilësia e tyre. Bota letrare e përzjerë me botën politke të atyre kohëve,
ishte shumë më komplekse dhe më e ndryshueshme se sa paraqitet sot. Shumë gjëra
vareshin nga direktivat e ndryshme politike, që herë hapnin një frymë liberale
dhe herë shtrëngoheshin në një konservatorizëm të pashoq, vareshin nga mënyra
se si i lexonte apo i shikonte Hoxha, por vareshin edhe nga tarafet e krijuesve,
kritikëve apo aparatçikëve të kulturës në Komitetin Qëndror.
Ndaj edhe “perandoria e veprës së Kadaresë“, si e quajnë
disa(një term shumë i tepruar), ka shumë faqe të ndritshme , por edhe skuta të
errëta. Lubonja gabon kur e thjeshtëzon.
Por shumë më shumë gabojnë ata që i janë turrur, për ta
xhavalitur Fatosin, i cili është sot një nga njerëzit, të cilit I peshon më
shumë fjala në Shqipëri. Duke mos pasur argumenta, ose përgjigje për pyetjet që
ai ngre, ai sulmohet për krimet, që ka bërë i jati, për zili dhe akoma më shumë
për ligësi dhe antipatriotizëm.
Unë nuk kam pse të rrjeshtoj ato që ka hequr Lubonja nën diktaturë që kur ishte 23 vjeç, se as ato nuk kanë të bëjnë me temën. 
Gjithashtu shijet e tij për letërsinë apo opinion për
Kadarenë, nuk kanë pse të diskutohen as prej meje dhe as prej të tjerëve. Ai
mendon dhe mundohet të argumentojë, se Kadareja direkt apo indirekt po lejon të
falsifikohet historia e veprës së tij dhe të atij vetë nën Diktaturë. Mund të
jetë plotësisht i gabuar, siç mund të ketë edhe pjesërisht të drejtë, por në
vend që të përshëndetet për pozicionin e ndryshëm rreth një çështje komplekse,
anatemohet deri antishqiptar e ku e di unë ç’farë.


Për hir të Lubonjës nuk do e sulmoja Kadarenë, por aq më pak
për hir të Kadaresë do shqyeja Lubonjën.

Nuk I bën mirë as Ismailit, as veprës së tij dhe as letërsisë
shqipe dhe historisë së saj.

No comments:

Post a Comment