Friday, 23 December 2016

Burrecët e “shtetit” shqiptar

Një sondazh i fundit i OSBE-së, disa shkrime dhe intervista 
të historianëve dhe politikanëve aktivë apo në pension, po krijojnë një situateë
tepër të dëmshme për brezin e ri shqiptar, të çorientuar mjaft nga gjendja e
sotme shoqërore dhe ekonomike.
Eshtë fjala, për raportet tona me të aluarën jo të largët dhe në mënyrë të veçantë me periudhën e Diktaturës së proletariatit dhe përfaqësuesve më të lartë të saj.
Nuk mund të them, se ata që mburrin ose justifikojnë Diktaturën, Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, e bëjnë për arsye të caktuara politke, se kanë harruar se në ç’kohë kanë jetuar apo se ëndërrojnë një rikthim të Blokut Socialist në Europë apo në të gjithë botën. Janë të ndryshëm, por i
bashkon një gjë edhe e gënjeshtër edhe tmerrësisht e dëmshme.
I quajnë Hoxhën dhe Shehun burra shteti.
Në këtë gafë të rëndë, bie së fundmi edhe ish-presidenti
Moisiu, i cili nga afër ka njohur Udhëheqësit më të lartë të Diktaturës. Në një
intervistë të fundit, ai e konsideron Mehmet Shehun një burrë shteti dhe
kryeministër shumë i zoti, si dhe aludon se Enver Hoxha po përgatiste
likuidimin e gardës së vjetër, për të mbrojtur pas vdekjes familjen e tij.
Duhet thënë me plot gojë, që Mehmet Shehu jo vetëm që nuk ka 
qënë burrë shteti, por nuk ka qënë as kryeministër i zoti.
Burra shteti janë ata, të cilët ndërtojnë institucione shtetërore,
ndërtojnë legjislacione në funksion të mbarëvajtjes të shoqërisë në të cilën
jetojnë, punojnë për të ekzekutuar ato çka mendojnë se I bëjnë mirë vendit. Një
bandë karrieristësh, të cilët pasi morën pushtetin me gjakun e shokëve të tyre
dhe që ngritën financat e shtetit duke torturuar të pasurit, që vranë njerëzit
e shkolluar për pikpamje ideologjike të ndryshme, që izoluan një popull të tërë
duke e shpënë disa herë në pragun e urisë, që ndërtuan një sistem idiot mbrojtës
dhe një ushtri të shpartallueshme, mund të quhen çdo gjë veç burra shteti.
Mehmet Shehu nuk mund të quhet as një kryeministë i zoti, se
në Diktaturë nuk ka Kryeministër, që të shkojë të mbrojë ligjet me debate në
parlament, por veç një administrator, që qeveris më shumë me forcë dhe mbi
direktiva se sa me mençuri e ligj, pa patur kënd ta kundërshtojë. Sigurisht, që
mund të ishte më I zoti se Adil Carçani, Manush Myftiu, Ramiz Alia a vetë Enver
Hoxha, por kjo e bën atë vetëm një “çinovnik” të rangut të lartë, që ka kërkesë
ndaj vartësve dhe di të organizojë dhe asgjë më shumë.
E çuditshme është edhe nostagjia Moisiut, për vitet kur ka
punuar “nën hyqmën” e Shehut. Ishin vitet e terrroit më të madh në Shqipëri. Në
gjuhën e Komitetit Qëndror, quheshin vite kur lufta e klasave ishte ashpërsuar
më shumë se kurrë. Si asnjëherë më parë, u pushkatuan dhe u burgosën nga antarët
e byrosë politike e deri në letrarë të rinj. Gjeneral Moisiu(në atë kohë nuk
kishte grada, por duket oficerët ëndërronin t’i drejtoheshn njëri tjetrit me
grada), kujton me ëndje se si punohej krah për krah “gjeneralëve” të tjerë si
Dumja, Backa e Cako nën drejtimin e “gjeneralissimos” Mehmet Shehu. Padashje, i
shpëton edhe një kujtim, që “burri i shtetit” ishte frikacak, se nuk ja bënte
dot dy fjalën Enver Hoxhës. Këta burreca, i trembeshin diktatorit, se vetë i kishin
mbajtur “ison” kur kishte pushkatuar shokët- rivalë të tyre duke filluar me
Ramize Gjebrenë e duke vazhduar me Xoxen, Liri Gegën, Teme Sejkon e të tjerë.
Po cili ishte roli i Mehmet Shehut, në kohën e goditjes së Beqir Ballukut dhe “grupit puçist në ushtri”?Ishte ai i spastrimit të kastës së oficerëve, që mund të 
ishin pro-sovjetikë edhe pse pak gjasa kishte, që të ishin të shumtë. Tarafe po
që kishte në ushtri. Kasta e oficerve dhe privilegjet  e tyre ishin goditur më 1966, dhe Mehmet
Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij drejtuan atë që u quajt “fshesa e hekurt”nga
1974 e deri më 1981. Shpenzimet në fortifikime u shtuan ndërsa ndihmat kineze
pakësoheshin dhe ushtria e “kalbur” e kazermave u kthye në një ushtri të “çorganizuar’
të popullit ushtar. Gjeneral Moisiu, është mirë të bëjë një “mea culpa” për gojën
që ka mbajtur mbyllur se i ikte koka dhe jo t’i kujtojë me nostalgji ato
vite,kur ushtarët e thjeshtë “torturoheshin” duke mbajtur mbi supe blloqe betoni,
për të ngjitur qëndra zjarri deri në majat më të larta ku nuk shkonte makina. Duhet
të mos harrojë, se si bashkë me ushtarakët e tjerë, ju shpjegonte ushtarëve dhe
popullit ushtar, se si ishim në gjendje të përballonim jo vetëm sulmin e një
armiku të vetëm, por edhe të një koalicioni armiqsh, ku futej edhe bashkëpunimi
I NATO-s me Traktatin e Varshavës!?


Koha i ka hedhur prej vitesh në koshin e plehrave të
historisë Hoxhën dhe Shehun. Përpjekjet për të grimuar figurat e dekompozuara të
tyre vetëm se bën që të kutërbojnë erë edhe ata që vetëquhen dëshmitarë të një
historie “të lavdishme”.




No comments:

Post a Comment