Saturday, 27 December 2025

Gavrili


Iku shumë shpejt. Nuk di nëse është e saktë të them që e vranë, sepse kishte muaj me një sëmundje jo të lehtë, por mund të them me siguri që ja përshpejtuan me shumë vite largimin nga njerëzit që e donin.

50 vjet më parë, në këto ditë, vuante në spitalin e Korçës dhe vetëm familjarët e afërt mund ta vizitonin e t’i përkujdeseshin. Edhe mjekët që e kishin shumë të afërt kishin frikë të hynin në dhomën e tij, veçanërisht kur ishte ditë e kishte lëvizje.

I tillë ishte terrori i atij regjimi të egër në fund të vitit 1975.

Po ç’i kishte bërë Gavril Kolaci Diktaturës së Proletariatit?

Asgjë.

Ishte në njerëzit më të mençur dhe më të mirë që kam njohur. I bënte mirë gjithkujt. Nuk dalloje tek ai asnjë mllef ndaj të tjerëve dhe as ndaj regjimit edhe pse në mendje mund të kishte dyshime të forta për komunizmin feudal shqiptar. Edhe mund të druhej nga egërsia dhe arbitrariteti i komunistëve fanatikë, pasi shumë vite më parë i kishin pushkatuar xhaxhanë në Vithkuq. Por nuk besoj se dëshëronte thellë përmbysjen e regjimit. E jetonte jetën me dinjitet, përkushtim dhe me shumë dashuri për njerëzit që meritonin t’i doje. Xhaxhanë mbase as nuk e kishte njohur se i jati ishte ndarë shumë vite më parë prej tij.

Fotoja është e vetmja ku ndodhemi bashkë. Eshtë dasma e tij, fragmente të së cilës i kujtoj ende, edhe pse isha vetëm 3 vjet e gjysëm. Ishte ngjarje e shënuar për fisin tonë, pasi Gavrili ishte më i madhi i nipërve dhe mbesave të Miti dhe Peçi Treskës. Edhe më i miri.

Kishte studiuar për gjeometër dhe më vonë për fizikë. Kudo kishte shkëlqyer. “Njolla në biografi” e kishte penguar të studionte jashtë shtetit, por asnjëherë nuk e kisha dëgjuar të ankohej apo fliste me përçmim për njerëz të studiuar jashtë edhe pse syresh kishte bashkëmoshatarë, që kishin mbetur “kunguj”.

Kishte mirësi dhe butësi në bisedë dhe një humor të këndshëm, por edhe shumë të përmbajtur. Nuk donte që dikush të ndjehej keq.

Vërtet diferenca e jonë në moshë ishte e madhe(28 vjet), por në vitet e adoleshencës sime (që ishin edhe vitet e fundit të tij) i pëlqente të më mbante afër dhe të më tregonte. Ndoshta jo gjëra tepër të thella e të sofistikuara, por ndodhi nga të cilat mund të kuptoje rreth jetës dhe njerëzve. Ndjehesha i lumtur që tregonte se më deshte dhe kishte një lloj vlerësimi sepse kushëriri im ishte pedagog fizike në gjimnazin tjetër dhe nga shokët kisha dëgjuar shumë e shumë fjalë të mira për të. Nuk ishte e pakët të të vlerësonte një pedagog fizike i gjimnazit. Fizika për ne ishte kulmi i shkencave të sakta.

Kështu deri atë ditë nëntori 1975, kur e internuan bashkë me gjithë familjen.

Ishin internimet e para të natyrës politike qysh prej një dhjetvjeçari. Njerëzit kishin marrë frymë më lehtë në fund të viteve ‘60 dhe fillimit të viteve ‘70. Kishte pasur goditje të herë pas hershme, por një internim në masë, i shumë familjeve në të njëjtën natë, kishte që në vitet ‘40-’50 që nuk kishte ndodhur. Në lëvizje ishin vënë ligësia, zilitë, mllefet, etjet për gjak të njerëzve më të këqij të shoqërisë shqiptare. Ishin ata që përgojonin, që sugjeronin emra për listat e internimit, që vendosnin pa ju dridhur dora për fatet e njerëzve të mirë e të ndershëm, që nuk kishin bërë asgjë, se në të kundërt do i kishin burgosur me kohë.

Komisionet e dëbim-internimeve ishin një nga mekanizmat më të poshtër të Diktaturës, sepse nuk i nënshtroheshin asnjë procedure ligjore. Ishte arbitrariteti më i egër dhe pa asnjë lloj maske. Nën këtë mekanizëm makabër u shtyp Gavrili jonë i vyer. Bashkë me të Mirësia, Bujaria, Urtësia dhe Buzëqeshja. Edhe një pjesë e shpirtit tonë.

Thursday, 25 December 2025

Bukuria e fshatrave tona ortodokse


Një kushërira ime më bëri sot një urim të veçantë për Krishtlindjen. Ishte një video muzikore e YouTube, ku këndonin dy priftërinj të krahinës sonë. Kujtova se kënga do ishte me temë fetare, por ishte laike, gjë që dëshmon se tradita e Nolit të madh nuk ka humbur tek klerikët ortodoksë.

Kënga ishte krijim i Papa Spiro Katundit dhe këndohej prej tij dhe si zë i dytë nga papa Viktori i Ziçishtit.

Ndjenja e parë e imja ishte ajo e keqardhjes, që nuk pata shkuar asnjëherë në Ziçisht (disa e quanin edhe Ziqisht në rininë time) edhe pse kisha shkelur thuajse të gjithë fshatrat e Korçës dhe Devollit. Nga teksti i këngës kuptova që fshati duhet të ishte i një bukurie të rrallë natyrore, se edhe vetë titulli i këngës është “Kush e pa Ziçishtin dhe s’tha” (diçka e ngjashme me shprehjen italiane “shiko Napolin e pastaj vdis!)

Por Ziçishtin nuk e bën të bukur vetëm natyra. Janë njerëzit e tij, që jetojnë të lumtur dhe këndojnë që nga mëngjesi deri në darkë. (Nuk di nëse bëjnë pushim gjatë kreshmëve.) Diçka jo aq e përhapur në fshatrat e Shqipërisë, nga të cilat njerëzit largohen gjithnjë e më shumë. Janë genet e ziçishtarëve, uji i burimeve apo balta e Devollit (jo larg nga Ziçishti rrëmbeu Dritëroi një copë baltë që e shpuri dikur në Lidhjen e Shkrimtarëve) që i bën fshatarët të këndojnë gjithë ditën, për këtë unë nuk di ç’të them dhe është pak e studiuar nga shkencëtarët devollinj dhe ata të krahinës së Korçës.

Papa Spiroja shkëlqen në kontributin e tij artistik në Korçë dhe në fshatrat përreth. Jo më kot disa herë ai ka fituar edhe çmimin “Poet Botëror”. Por nuk mund të përjashtoj këtu frymëzimin e nxitur nga Papa Viktori, i cili ka lindur dhe jeton në Ziçisht. Si përmendet në video, ka qënë idea e tij për të pasur këtë këngë të bukur, që do shërbejë si Himni Kombëtar i Ziçishtit, në rast se një ditë do kemi shumë shtete dhe principata shqiptare të pavarme.

Ka ndonjë varg në tekst që edhe mund të ishte shmangur, por besoj se vjen nga lidhja e fortë shpirtërore e priftit të Hoçishtit me bashkëfshatarët e tij dhe ata i rrëfejnë gjithshka. Vargu në fjalë është pjesë e refrenit:

Fshati yn’ ësht’ i bukur

Gratë e kanë të ndukur,

Kush e pa Ziçishtin dhe s’tha


Wednesday, 24 December 2025

Dhjetorët dhe patriotizmi dixhital (fund)

 


(vijim)

Dhjetor 2008

Ishte vitit, kur Facebook ishte “the coolest thing” në Internet. Të gjithë flisnin rreth avantazheve që krijonte platforma për tu vënë në kontakt me të njohur e të panjohur dhe për të mësuar se ç’ndodhte në jetët e njerëzve me të cilët mund të kishe vite pa biseduar. Në hyrje të dimrit krijova dhe unë “llogarinë“ time dhe kërkova emrat e shokëve, miqve dhe kushërinjve. Shumë syresh kishin llogari në FB dhe ndjeje një lloj ekzaltimi kur bisedoje me të njohur në Atdhe, Europë, Amerikë dhe deri në Australi.

Edhe pse jetoja në Kanada, të gjithë miqtë e mij të FB (me ndonjë përjashtim të rrallë) ishin shqiptarë. Kryesisht “baby boomers”.

Dhe sërish. menjëherë “nxorri kokën” deliri jonë shqiptaromadh. Për shkak edhe të pjesëmarrjes me emra të vërtetë, tashmë ishte më e rrallë fryma kritike ndaj absurditeteve patriotike. Shumica druheshin se mund të ndoteshin nga stërkalat e jargëve dixhitale të atyre që brohorisnin për Shqipërinë dhe shqiptarët, për Historinë që e kishim çarë me shpatë në dorë. për epërsinë tonë morale ndaj të tjerëve. Të rrallë ishin ata që i përmbaheshin idesë të shprehur saktësisht nga Kadareja “si gjithnjë ne jemi të fundit në Europë për të bërë punë të mira.” Dhe historia bashkëkohore e dëshmon më së miri këtë. Të fundit që rrëzuam sistemin komunist; të fundit në luftën ndaj korrupsionit; të vetmit që patëm një gjendje kaotike si ajo e vitit 1997; të fundit në luftën ndaj trafikut të drogës dhe të qënieve njerëzore.

Në diskutimet rreth këtyre temave gjithnjë gishti drejtohej ndaj fqinjëve shovinistë dhe Europës kurvë, që nuk na i kishte dashur kurrë të mirën!

Mungonin tërësisht “pse-të“, apo autokritikat ndaj vetes dhe bashkësisë shqiptare. E keqja gjendej lehtë tek Enveri, Saliu apo Nanoja, (madje shumë e më shumë në sundimi shekullor otoman), por jo në karakteristikat e shqiptarëve që parapëlqejnë individualizmin në vend të solidarizimit dhe servilizmin në vend të kundërshtimit të autoriteteve.

Shumë (përfshi këtu edhe të ashtuquajtur intelektualë) parap[lqenin të postonin foto me flamur, qeleshe apo xhamadan, veçanërisht në javën e festës kombëtare për të dëshmuar se “linin kokën për Atdheun dhe çështjen kombëtare”. Deri në diskutimet për letërsinë e Kadaresë duhej të ishe i kujdesshëm, se të suleshin duke të thënë se Gjeniu shqiptar duhej të mbrohej si pjesë e Mbrojtjes së Kombit!

Dhe midis tyre “shkëlqenin” ish-komunistët, që kishin patur poste me rëndësi në administratën e Diktaturës dhe ishin përgjegjës për shkatërrimin e jetës të shumë familjeve shqiptare. Tamam në përputhje me shprehjen e Shopenhauerit-” nacionalizmi është streha e fundit e horrave.”

I indinjuar nga palaçollëqet, postova një shkrim të shkurtër (dhjetor 2013) të titulluar “Flamuri”(duhet të jetë edhe në blog), për të cilin një shok i imi patriot më dërgoi një mesazh privat:” Po me flamurin ç’pate?!” Nuk sjell ndërmend se si ju përgjigja, por kujtoj që ishte një shkrim, që solli një ndryshim të madh në jetën time.

Me një fjalë patriotizmi ndih! Qoftë edhe dixhital!

Monday, 22 December 2025

Dhjetorët dhe patriotizmi dixhital (2)

 


(vijim)

Dhjetor 2005

Nuk e di pse duhet të kalonin 7 vjet, që të guxoja sërish të hyja në një Forum shqiptar. Ndoshta kishte të bënte me një izolim të ri brenda izolimit kanadez. Isha çvendosur në Shën Katerinat (St. Catharines) dhe nuk kisha asnjë të njohur më pranë se 90 kilometra. Nënndërgjegja më drejtoi sërish tek atdhetarët e botës dixhitale. Forumi Horizont, ishte kafeneja e madhe virtuale, ku mblidheshin kryesisht studentë shqiptarë që jetonin jashtë Mëmëdheut. Me droje, mendova se edhe pse më i moshuar dhe më i prapambetur se ata, do përfitoja nga këndvështrimet e tyre të mençura dhe të sofistikuara. Forumi kishte shumë e shumë degë të dijes brenda tij. Gjithashtu pjesëmarrësit përdornin “nofka” në vend të emrave të vërtetë.

Kishte postime interesante në shumë fusha të dijes, por përsëri qendrën e diskutimeve të zjarrta e zinte atdhedashuria, identiteti shqiptar dhe raportet e tij me popujt e tjerë, veçanërisht me fqinjët. U habita veçanërisht me sulmet ndaj kryepeshkopit Janullatos. Nuk prisja të rinj universitarë që shkolloheshin nëpër botë (qoftë dhe në Tiranë) të kishin këtë urrejtje ndaj një kleriku, që po bënte diçka për të ndryshuar frymën ateiste të periudhës së Diktaturës. U mundova të rrija larg atij diskutimi dhe ndonjëherë shkarrazi, të përmendja se krerët e një Bashkësie fetare duhet të gjykohen nga bashkësia e tyre dhe jo nga të tjerët. Më pas kuptova që ishte një frymë e nxitur nga “patrioti” Koço Kokëdhima, i cili duket se kishte gjetur tek Janullatosi pengesë për të shtrirë kthetrat e tij grabitqare në Kishën Autoqefale shqiptare. Forumi Horizont ishte i financuar prej tij dhe i kontrolluar nga i nipi, njëfarë Dori, që kishte studiuar ose studionte në Itali.

Dori vetë (ai përdorte nofkën Fajtori), nuk përzjehej shumë në diskutim, por kuptohej që nxiste ata që ishin kundër Janullatosit dhe kundër grekëve. Mes shqiptaromëdhenjve shquhej një me nofkë “kontinenti”, që nga atdhedashuria nxirrte histori të bëra e të pabëra që dëshmonin vjetërsinë e kombit dhe gjuhës sonë dhe që shëjegonte idetë themelore të Njerëzimit me fjalë që i kishin rrënjët në shqipja. Nga zelli disi i ngjashëm me gazetarin patriot Martin Mema. Jo vetëm Mitologjia greke ishte e gjitha e ndërtuar mbi shqipen e vjetër, por edhe personazhe të kohëve të reja si Napoleoni apo Uashingtoni, ishin shqiptarë nga koka deri në thonjtë e këmbëve.

Po jo të gjithë pjesëmarrësit ishin si “kontinenti” dhe mbështetësit e tij. Kishte shumë studentë shqiptarë në Itali, Amerikë dhe Gjermani, që qeshnin me marrëzitë patriotike të shqiptaromëdhenjve. Me disa nisa të këmbeja mesazhe private dhe kuptova se ndonëse të kujdesshëm se mos damkoseshin si tradhëtarë, ata e kuptonin që absurditetet shqiptaromëdha nuk të bënin as të mençur dhe as të shtonin vlerat njerëzore.

Isha kureshtar të dija nëse në Forumet e popujve të tjerë ballkanikë, të rinjtë e shkolluar shkruanin marrëzira të ngjashme, por këtë gjë nuk mund ta verifikoja dot.

Pas disa muajsh pjesëmarrjeje aktive dhe talljesh të hapura ndaj “kontinenentit” dhe të tjerëve të ngjashëm, moderatorët e Forumit (Dori i 2K) më dëbuan prej tij.

Pata kuptuar, se për fat të keq, të rinjtë e fillimit të shekullit të ri, jo vetëm nuk ishin më mendjehapur se të rinjtë e brezit tim, por se nuk ishte e vështirë që me rritjen e propagandës nacionaliste, të krijohej një atmosferë përplasjesh të panevojshme me fqinjët. Jo se sërbët, grekët, malazezët apo maqedonasit janë më të mençur dhe më tolerantë se ne, por se në mënyrë absurde tek ne po fryhej një nacionalizëm ekstrem, nga i cili përfitojnë vetëm delenxhinjtë dhe bastardët .

Diçka të ngjashme po bënte në politikën shqiptare të asaj kohe, një dallkauk i quajtur Kreshnik Spahiu me forcën e tij politike “Aleanca kuqezi”. Për fat të mir nuk pati sukses dhe më vonë përfundoi në një vend të Europës Perëndimore.

Nacionalizmi dhe racizmi që hasa në atë treg dixhital mbushur me të rinj, më bëri të dyshoj se kishim të bënim me një masturbim kolektiv për të lënaqur mendjet e tona të kompleksuara me një shfrim epshesh raciste. Përçmoheshin jo vetëm grekët, sërbët dhe maqedonasit, por edhe italianët e spanjollët. Kuptohet që popujt e tjerë aziatikë apo latinë, konsideroheshin vërtet inferiorë.

Nuk di ku përfunduan miqtë e mij të rinj, që kishin një shikim më të logjikshëm të Shqipërisë dhe vendit të saj në hartën gjigande botërore.

(vijon)

Sunday, 21 December 2025

Dhjetorët dhe patriotizmi dixhital


A ka lidhje mes muajit dhjetor dhe shpërthimeve tona patriotike?

Nuk jam i sigurt për këtë. Ndoshta festimi i 28 Nëntorit gjallëron mendësinë tonë kuqezi dhe i drejtohemi njëri tjetrit me deklarata nga më patriotiket, kryesisht duke vënë Shqipërinë në qendër të Historisë europiane dhe gjuhën shqipe në rrënjët e zhvillimit linguistik dhe kulturor botëror.

Ka pasur disa dhjetorë të mij, ku kam hasur këtë entusiazëm patriotik. Mbase ka të bëjë me dimrin, ditët e shkurtra dhe orët më të shumta që kaloj në Internet, por gjithsesi përkimet kanë qënë me vlerë të përmenden.

Dhjetor 1998

Kisha diçka më shumë se një vit që kisha emigruar dhe thuajse po aq kohë që “lundroja” në Internet, i cili ishte shumë larg shpejtësisë dhe larmisë të World Wide Web të sotëm. Më dukej se në këtë botë të mistershme të Internetit do gjeja gjithfarë mrekullish dhe përgjigje të pyetjeve të mbetura pa gjegje gjatë jetës. Natyrisht që kërkova një “site” në shqip se e kisha më lehtë të “ushqehesha” dhe ta “përtypja” informacionin e ri. Dhe “rrashë“ në një , që ndoshta ishte i vetmi ose një nga të paktit në gjuhën tonë. Nuk ja kujtoj emrin, por diçka me Alba ishte. Një lloj forumi ku mund të lexoje , shkruaje, pyesje, përgjigjeshe dhe natyrisht, si një shqiptar i thekur, edhe mund të shaheshe me rrënjë dhe degë.

Atë dhjetor nuk kisha mbushur ende 40, por për herë të parë mësova se krenaria që kishim pasur si fëmijë shqiptarë të kohës së sho Enver, ishte ku e ku sa larg asaj që duhej të ndjenim si shqiptarë të lirë në botën e fundit të shekullit të XX.

Duhej të ndjeheshim të tillë jo vetëm si europianë “autoktonë“, por si populli me gjakun më të pastër, me gjuhën më të vjetër në botë dhe me virtyte si Besa, trimëria, bujaria, mospërkulja, besnikëria, altruizmi, largpamësia, vigjilenca, dashamirësia, thjeshtësia, drejtësia dhe morali.

U ndjeva krenar për pak çaste në fillim dhe më pas nisa të dyshoja se kisha vetëm 14 muaj që kisha lënë vitin 1997 të Shqipërisë, ku kishim manifestuar gjithë të kundërtat e këtyre virtyteve. Gjatë atij viti pata parë pabesinë, egoizmin, tradhëtinë, tahmaqarllëkun, etjen për gjak, hakmarrjen, pafytyrysinë, legenllëkun, miopinë, egërsinë, banditizmin, zbythjen, prapaniclëpirjen e plot vese të tjera në një shkallë të paimagjinueshme.

Megjithatë nuk u largova, por u mundova të shkruaja herë herë ndonjë paragraf të logjikshëm, që më shumë sillej rrth idesë “nuk jemi as më të mirë dhe as më të këqij se të tjerët”. Një lloj qëndrimi i moderuar (pakës hipokrit} për të mos u përplasur keq me kryepatriotët. Përgjithësisht pjesëmarrësit nuk ishin me emrat e tyre dhe kjo më bënte edhe mua të ndjehesha jo i kërcënuar nga ndonjë fyerje e drejtpërdrejtë apo përmendja e sojit e sorollopit deri në 7 breza.

Bashpatriotët i printe dikush që quhej Kolec Traboini dhe nuk jam i sigurt nëse merrte pjesë në Forum me emrin e tij, apo e shpalosi gjatë ndonjë diskutimi të nxehtë. Traboini shkruante rreth lavdisë së të parëve të familjes së tij dhe kulmeve të lëvizjeve patriotike të zonave të Shkodrës dhe Dukagjinit. Superlativat dhe ekzagjerimet i kalonin kufijtë e të pranueshmes dhe bashkë me dy tre të tjerë filluam ta ngacmonim deri sa me gjithë miopinë e tij patriotike e kuptoi dhe mes të hedhurave dhe të priturave një ditë më shkrojti:

-Na rrofsh topat o Gëllçi i Partisë!, se duket mendonte se pas “nofkës sime dixhitale” ishte gazetari Thoma Gëllçi, atë kohë ndoshta ende në Boston. Leci më bënte të gajasesha dhe më pas ju përgjigja me një bejte të gjatë që fillonte:

Posa fjalën e lëshoi,

Lajmi botën mbarë merr,

Traboini mendjendritur

Përgjërohet për berber!

Ilariteti në Forum e xhindosi, por ai dhe bashpatriotët e tjet nuk u tërhoqën nga gjoksrrahja shqiptaromadhe dhe ndoshta në të hyrë të janarit isha unë që hoqa dorë nga “tregu patriotik” me emër që fillonte ose mbaronte me Alba.

(vijon)

Saturday, 20 December 2025

Di Lana më “katolik” se Gramoz Ruci


Për mua, fytyra e errët e Gramoz Rucit, ka qënë personifikimi i vazhdimësisë Parti e Punës – Parti Socialiste. I pakulturuar, me një theks të vrazhdë, prej fundit të viteve ‘80 dhe fillimit të viteve ‘90, tepelenasi Ruci të kallte datën dhe të dukej sikur terrori feudalo-komunist nuk do kishte fund kurrë.

Edhe pse i përzjerë në krimin politk të prillit 1991, kur u vranë nga shteti 4 të rinj në Shkodër, Gramoz Ruci jo vetëm nuk u largua nga skena politike, por mbeti figurë kryesore organizative e ish Partisë së Punës. Gjithashtu mbajti poste të rëndësishme deri sa doli në pension. Djemtë e tij luajtën rol të dorës së parë në zgjedhjen e Ramës si kryetar i PS, në natën kur gjtha gjasat ishin që kryetar të zgjidhej Rexhep Meidani. Rama ja u shpërbleu me të mira të mëdha financiare.

Por ç’ka të bëjë fytyra e vrazhdë e Rucit me fytyrën e qeshur të Peleshit, të cilin po e përmend në këtë shënim me variantin katolik të emrit të tij, Nicolo Di Lana.

Deri në fund të vitit 1998, Di Lana ishte e kundërta e Rucit. Një ish student i mirë, i pakënaqur dhe i emigruar në Perëndim, ishte kthyer në Shqipëri dhe përpiqej jo vetëm të ndërtonte një biznes privat, por edhe të merrte pjesë në politikë, për të larguar përfundimisht Rucët e Shqipërisë nga çdo lloj pushteti. Më pas u nga antiRuc u kthye në një funksionar lokal i partisë së Rucit dhe vazhdoi me një karrierë për të pasur zili brenda saj.

Por përse them se Di Lana është më “katolik” se Ruci?

Në fund të vitit 2017, fytyrvrazhdi Gramoz Ruci ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Në atë kohë ishte “e nxehtë“ çështja e Saimir Tahirit. Por ish-ministrit të brendshëm jo vetëm se ju hoq imuniteti, por dhe seancat e Komisionit të Mandateve ishin të hapura, madje edhe transmetoheshin në televizion.

8 vjet më vonë, Peleshi pe Korçe (dhe detyrimisht me shumë kyltyr) jo vetëm që nuk lejon seanca të hapura, por mund ta kthejë veten në një lëvere, vetëm për t’i shërbyer sa më mirë Ramës!

Ja kalon nga devotshmëria për Prijësin edhe pse mund të bëhet gazi i botës, edhe kryetarëve kokëboshë të kohës së Dullës, Pali Miska dhe Simos Stefani.

Berisha dikur e akuzonte (mbase pa të dejtë) se Gramoz Ruci ishte veshur si grua në vitin 1997, për të kaluar kufirin në Greqi, i trembur se gjatë rrëmujërave mund ta vrisnin. Edhe po ta ketë bërë, e ka bërë për të shpëtuar kokën (ndonëse nuk besoj se ndonjë bandit apo vrasës i Berishës mund të besonte se fytyra e ti ishte fytyrë gruaje.)

Në vitin 2025, pa patur rrezik se humb jetën (madje as postin) Di Lana duket sikut ka veshur tajerin e shoqes Shenka. (Më ndjeni, gërma e parë e shoqes nuk është sh).

Wednesday, 17 December 2025

Dumani, je uon!


Shprehja “je uon!”, i atribuhohet një mësuesi gjimnazi, i cili për arsye jo të njohuara mirë, kishte një theksim të çuditshëm të shumë fjalëve shqip. Ajo që theshte në këtë rast dhe që nxënësit e kuptonin, ishte “je vonë!” dhe i drejtohej një nxënësi të zellshëm, që edhe pse kishte rënë zilja e fillimit të mësimit dhe mësuesi ishte në klasë, këmbëngulte për tu bashkuar edhe ai me nxënësit e tjerë në mësim. “Je uon!” u përsërit disa herë dhe mbeti si refren i një brezi 4 vjet para nesh. Qysh prej më shumë se 50 vjetësh ende e përdorim mes të njohurve tanë.

Kjo më shkoi ndërmend dje, kur dëgjova se prokurori Dumani i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të Bela Ballukut.

Mandati i Dumanit mbaron pas disa ditësh dhe ai nxitoi të “hakmerrej” ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Ramës, që patën bllokuar pezullimin nga detyra të zëvendës kryeministres.

Po pse është i vonuar ky veprim i Dumanit?

Veprimi inatçor i Dumanit (dhe prokurorit Premçi) është i vonuar dhe qesharak, sepse heqja e imunitetit mund të ishte kërkuar dy javë më parë, kur Balluku u pezullua nga detyra dhe ju ndalua dalja jashtë vendit prej Prokurorisë së Dumanit dhe Gjykatës së Posaçme.

Eshtë i vonuar dhe njëkohësisht i dështuar, sepse reparti ushtarak i deputetëve të PS-së ka për të votuar kundër heqjes së imunitetit.

Unë nuk di se ç’mendon juristi Dumani kur merr vendimi të këtij lloji, që përforcojnë profilin e tij si prokuror i pakorruptuar por njëkohësisht mendjengushtë dhe abuzues i fuqisë që i jep detyra. Por e gjykoj të vonuar dhe të prapambetur, sepse ka zellin dhe vendosmërinë e prokurorëve të Diktaturave. Nuk dua të aludoj se ai i shërben Drejtuesit të administratës shqiptare, por një sërë veprimesh të tij gjatë periudhës trevjeçare dëshmojnë se është larg figurës së një prokurori modern të një vendi perëndimor. Kuptohet që ai do ishte produkt i bashkësisë së juristëve shqiptare dhe mentalitetit të saj, por për fat jo të mirë, i përkiste pjesës më “fondamentaliste” të saj.

Arrestimet e shumta, mbajtja në burg e Metës dhe Veliajt duke luajtur me afatet, arresti i gjatë shtëpiak i Berishës janë disa nga shembujt që e dëshmojnë këtë.

Kundërshtarë të tezës sime mund të thonë se Dumani ka pasur vazhdimisht mbështetjen amerikane, si dhe të opinionit publik shqiptar. Për të dytin mund të them se ka një kulturë të pakët juridike për shkak të kohës së gjatë nën Diktaturë dhe të shkeljes në atë kohë me të dyja këmbët të çdo të drejte të njerëzve që përballeshin me ligjin. Ndaj dhe eksitohet dhe brohoret kur tringëllojnë prangat për politikanët e lartë të korruptuar.

Për të parët them se duan të arrijnë një qëllim – frenimin e korrupsionit arrogant të Rilindjes- dhe për këtë nuik e gjykojnë të nevojshme të përmendin në deklaratat e tyre nevojën për standarte perëndimore të Prokurorisë së Posaçme.

Por Dumani është i vonuar edhe për diçka tjetër tepër thelbësore. Nëse vërtet në kokën e tij ai donte t’i ngjante një paladini të ligjit që nuk ndalet para asnjë force pushteti, ai duhet të kishte luftuar krimin zgjedhor, që e ka bërë kaq të fortë pushtetin e Ramës. Në kohën që Eduini kontrollon Kuvendin dhe jo vetëm lejon apo ndalon heqjen e imunitetit të deputetëve sipas dëshirave dhe interesave të tij, por mund të ndryshojë edhe ligjet që kanë të bëjnë me SPAK-un, është qesharake të hiqesh si protagonist.

Ndaj Dumani është “uon” dhe modeli i tij i prokurorit është i prapambetur dhe jo efikas.

Ai ka të bëjë me shtimin e frikës nga Ligji dhe jo me shtimin e respektit ndaj tij. Në një shoqëri moderne këto dy nocione janë shumë larg njëra tjetrës.

Tuesday, 16 December 2025

Më braktisi edhe... Miu


Po bëhen 15 vjet që kam nisur këtë “të folur me vete” rrugëve të Internetit dhe kalimtarët që më shohin me habi, kureshtje, keqardhje, përbuzje, indiferencë duken se bëhen çdo ditë e më të pakët. Ndoshta se “mevetefolësit” janë shtuar shumë, ndoshta se unë bëlbëzoj të njëjtat gjëra, ndoshta se ju duket e natyrshme që dikush që po shkon drejt të 70-ve të jetë i rrjedhur.

Unë e kam marrë me lehtësi këtë braktisje (në Atdhe thonë “me sportivitet”), se unë flas rrugëve me vete jo për të më dëgjuar të tjerët, por se nuk kam kontrollin e nevojshëm vetiak për të mos e bërë këtë. Vite më parë, disa prej “ligjërimeve” të moskontrolluara i dërgoja edhe në ndonjë redaksi dhe disa prej tyre botoheshin (pa pagesë madje dhe pa falenderim), por tash nuk kam asnjë shtysë t’i nis dhe të shoh emrin tim në ndonjë qoshe gazete, apo në ndonjë platformë dixhitale.

Kam arritur në një gjendje që amerikanoveriorët e quajnë: “I don’t give a shit!” dhe përkthimi më i afërt në dialektin tim është: “Nuk më pëlcet gajdeja!”

Por e vetmja që më bën të ndjej diçka, është braktisja nga Miu i Gjirizave. Ai nxirrte shpesh kokën jashtë pusetave të rrugëve të Internetit dhe më jepte nga një kafshim të parrezikshëm, se edhe pse gjirizor, ai nuk mbarte mikrobet që sjellin kolerën, salmonelën apo sifilizin.

Miu i Gjirizave ishte personifikimi i atyre që fshihen në mediat shoqërore dhe përgjojnë çdo lëvizje të të njohurve dhe rreken të hedhin fshehtazi disa komente malinjë për të kënaqur ekziztencën e tyre të mjerë.

Diku e kisha përshkruar si një person që lexonte në mënyrë sipërfaqësore, kishte njohuri muzikore dhe një kokë pak të deformuar në lindje, ose gjatë stërvitjeve të vështira në ushtri. Nga çka komentonte ndonjëherë mendoja se mund të ishte dhe pak pedofil, se është në natyrën e tyre të presin qosheve të Internetit ku mund të ekspozohen hire gjimnazistesh, që rregullisht janë të mbuluara.

E megjithë këto që rendita, më duhet të pranoj se Miu i Gjirizave më mungon. Braktisja e tij më ka lënduar. Nuk mund të zëvendësohet nga asnjë trampist, patronazhist apo nikopeleshist. Ishte origjinal në kutërbimin e tij.

Duket se edhe pas pushimeve të herëpashershme, unë do vazhdoj të belbëzoj në këtë blog, me shpresën se ai një ditë do rishfaqet.

A është kjo një lloj simbioze?

Një Mevetefolës, që e ka të domosdoshëm bashkëudhëtarin e tij Mi?

Nuk jam i sigurt, por çka më sipër ishin ato që më shkuan në mendje këtë mëngjes dhe që nuk munda t’i mbaja vetëm në mendje.

Monday, 15 December 2025

A po i dridhen këmbët Ramës?


Ka një shqetësim në përkrahësit e Ramës dhe një ngazëllim mes kundërshtarëve të tij, se “kryeministërllëku” i tij nuk do jetë i gjatë pasi me të janë të pakënaqur kryesisht në Uashington dhe disi më pak në Bruksel.

Kështu përmenden faktet që amerikanët nuk po e takojnë por takojnë vetëm prokurorët e SPAK, tekstet e urimeve të Trump dhe Rubios për 28 nëntorin dhe veçanërisht ndjekja penale dhe pezullimi i Ballukut pas presionit të amerikanëve ndaj prokurorit Premçi. Këto vërtet nuk janë tregues të parëndësishëm.

Po janë domethënëse se kemi të bëjmë me një lëkundje të fortë të pozitave të tij?

Që t’i dridhen këmbët drejtuesit të një vendi të vogël me aspirata demokratike dhe anëtar i NATO-s, duhet të tronditet thellë baza mbi të cilën ai qëndron.

Nëse ne mendojmë dhe pranojmë se baza e Berishës, Nanos dhe Ramës, në kohët që kanë qënë kryeministra ka qënë përkrahja nga Uashingtoni, Londra apo Berlini, atëhere me të drejtë mund të shpresojmë (apo shqetësohemi) se Ramës po i vjen fundi. Por e vërteta është larg saj, Drejtuesit politikë të një vendi si i joni nuk mund të katapultohen nga Fuqitë e Mëdha. Nëse do ishte kështu do kishim parë kryeministra Eduard Selamin, Shenasi Ramën apo Evi Kokalarin. Gjithashtu do kishim largimin përfundimtar nga politika të Berishës.

“Ndërkombëtarët” mbështesin dikë që ka treguar se është në gjendje të kontrollojë një grupim politik dhe që është në gjendje të marrë vota, qoftë edhe duke përdorur turli marifete. Në Shqipëri sot për sot ka vetëm dy të tillë- Rama dhe Berisha dhe ky i fundit ka humbur dhe do humbë çdo fushatë kundër PS-së.

Por le të shkojmë me logjikën e atyre që mbrojnë plotfuqishmërinë e amerikanëve dhe pretendojnë se po të duan amerikanët krijojnë me anë të CIA-s një “revolucion portokalli apo çiklamin” sikundër kanë bërë në disa vende të tjera dhe e ndryshojnë regjimin.

Por edhe këtë revolucionet me ngjyra nuk lindin nga Hiçi. Zakonisht ka një lëvizje proteste të një grupi të caktuar, që ka udhëheqësit e tij dhe që mund të fuqizohet duke u mbështetur nga ambasada amerikane dhe të tjerat.

Në Shqipëri nuk ekziston një lëvizje e tillë.

Por si ti spjegojmë ftohtësinë e amerikanëve ndaj Ramës, telegramet e Uashingtonit dhe goditjen ndja Ballukut?

Duke parë qartë marëdhëniet transaksionale të administratës së sotme amerikane me vendet e tjera, them se këto janë kamzhikime ndaj Kryeministrit për të qënë gjithnjëe më i bindur ndaj politikave amerikane dhe atyre të NATO-s, si dhe për të bërë edhe më shumë favore ndaj klanit Trump. Përmendja e karteleve të drogës në telegramet e urimit është pikërisht i tillë. Amerikanëve nuk ju bëhet vonë për narko-shtetet për sa kohë ata janë shërbëtorë të bindur të tyre. Për më tepër, grupet e trafikantëve shqiptarë që pastrojnë paratë në Tiranë, janë të fuqishëm në trafikimin e drogës në Europë, por jo në SHBA dhe për të rinjtë europianë që humbasin jetën nga mbidozat, Shtëpisë së Bardhë nuk i “lagen hiç drutë“.

Por a mund të themi se Rama është psikologjikisht i tronditur?

Vërtet është, por nga fakti se si çdo udhëheqës me prirje diktatoriale ai është paranoiak dhe edhe pse mund t’i dijë më mirë se unë këto çka rrjeshtova më lart, nuk mund të mendojë gjithnjë në mënyrë racionale,

Ramën mund ta rrëzojnë, madje shpejt, vetëm shqiptarët!

Por për shumë arsye ata kanë zgjedhur topitjen dhe një tradicionale “E mo ç’i q. tëmën!” ndaj dhe mandati katërvjeçar do mbyllet normalisht, sigurisht me disa ndryshime emrash dhe me disa burgosje të tjera.

A gaboj në këtë parashikim të zymtë?

Edhe nëse gaboj , nuk është ndonjë çudi, se nuk është hera e parë që më ndodh.

Saturday, 13 December 2025

Fund tetori

Mbetur mes një trotuari të ftohtë tetori,

Dhe gërvishtjeve të një harku violine,

Mbi tela të keqtendosur.

Plagët deti i kripur dot s’i përthan,

Janë të thella,

Vragët e zemrës së plagosur,

Kaq tmerrësisht të ndryshme

Nga hijeshia e një rime.

Krejt i prishur ritmi i rrokjeve

Dhe cipa e timpanit ku dikur trokisja,

Sa shpejt erdhën thatësia dhe fundi,

Sa të zbehta tingëllimat,

E largët nisja

I kotë mundi.

Në kët breg të shkretë leshterikë mbushur,

Një thirrje e shurdhët.

Më nxorri.

Më la mbetur mes gërvishtjes të një violine

Dhe një trotuari të ftohtë tetori.

Friday, 12 December 2025

Dy Frenkët e Arkitekturës



Para disa ditësh mbylli sytë Frenk Geri (Grank Gehry) arkitekti më i fmashëm mes të gjallëve. Edhe me ndikimin më të madh tek brezat e arkitektëve.

Gjatë këtyre ditëve çshtë shkruar shumë për poezinë e tij arkitekturore dhe unë nuk kam ç’farë të shtoj qoftë dhe në mënyrë modeste. Dua vetëm të krahasoj efektin që pati vepra e tij, mr atë të veërës së një tjetri gjeni të arkitekturës – Frenk Lloid Rajt (Frank Lloyd Wright).

Janë dy qasje thellësisht revolucionare dhe krejt të shkëputura nga veprat e tjera arkitekturore të kohëve të tyre.

Dekonstruktivizmi i Gerit (edhe pse vetë nuk e pranonte këtë kategorizim të veptës së tij) la gojëhapur rrethet arkitekturore në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, sepse dallohej edhe nga rrymat e tjera postmoderniste, pë përmendur faktin që në të njëjtën kohë shumë arkitektë ende projektonin vepra të arkitekturës brutaliste. Në të njëjtën mënyrë, pat shokuar Vila mbi ujëvarë (vepër tipike e arkitekturës organike) në vitin 1934, të njëjtat rrethe që ishin të përqëndruar në arkitekturën moderne, të cilën e quanin si fjalën e fundit dhe të pakapërcyeshme të arkitekturës së shekullit të XX.

Ashtu si më parë Rajti, Geri e sheh ndërtimin të larguar nga ligjet e ngurta të statikës dhe përllogaritjeve matematikore si dhe kufizimeve që sjell funksioni utilitar, por të frymëzuar nga ligjet e estetikës që ekzistojnë në natyrë si dhe prirja për të dhënë vepra arkitekturo-skulturore. Veçanërisht tek Geri vdes maksima e famshme “Forma ndjek funksionin” (Form follows function).

Tek të dy mund të hasësh atë që do e quaj “komplksin e të qënit Perëndi”, nga mënyra se si operojnë me krijimin e formave dhe të hapësirave. Të duket se ndjehen në kohën e Gjenezës, atëhere kur Zoti brenda një jave krijonte Gjithësinë me planetet, Tokën me detet, lumenjte, malet dhe luginat. Këtë ndjej kur shikoj veprat më të mira të të dyve.

Ka shumë përkime të vogla e të mëdha në jetët e të dyve.

Të dy janë arkitektët amerikanë më europianë. (Edhe pse u lind në Toronto dhe u largua prej saj kur ishte 18 vjeç. për shkak të arsimimit dhe të studiove të tij nuk mund ta quaj Gerin kanadez.) Ky përcaktim i imi niset nga fakti, që rrethet artistike europiane kanë qënë gjithnjë më të hapura ndaj rrymave të ndryshme të artit. Në Europë është eksperimentuar më shumë në arkitekturë. E megjithatë dy më të mirët janë formuar në SHBA dhe kanë punuar atje.

Geri ishte 67-68 vjet kur projektoi kryeveprën e tij Muzeu Gugenhajm i Bilbaos, dhe po aq ishte Rajti kur projektoi Vilën mbi ujëvarë.

Kryeveprat gati magjike, Muzeu i Bilbaos dhe ai i Nju Jorkut, lidhen të dyja me fondacionin Solomon Gugenhajm (Solomon Guggenheim). Tek të dyja nuk di nëse të mrekullojnë më shumë veprat e artit që ndodhen brenda tyre, apo arkitektura e interiereve dhe eksteriereve.

Geri dhe Rajti nuk u mjaftuan vetëm me projektimin e veprave arkitekturore, por edhe të shumë sendeve duke nisur nga bizhutë dhe deri tek shishet e pijeve.

Të dy jetuan mbi të 90-tat duke krijuar shumë për fatin tonë dhe të të gjithë brezave pasardhës.

Nëse vërtet ka një Parajsë dhe një kënd arkitektësh brenda saj, me siguri dy Frenkët duhet të jenë duke biseduar tani me njëri tjetrin pa ndalur të prehen në paqe.

Paqen arkitekturore e kanë skalitur në mendjet e zakonshme tonat.

Tuesday, 9 December 2025

Jemi pe Korçe - kemi kulturë (fund)


 (vijim)

Për çka përmenda më lart, por edhe për shkak të një centralizimi ekstrem të gjithshkaje në Tiranë, Korça jo vetëm se nuk ishte më metropoli i kulturës shqiptare (si e cilëson gazeta zvicerane), por me kalimin e viteve filloi të shfaqë karatkeristikat e një province larg kryeqytetit. Kjo dhe në sajë të një mungese dashamirësie nga ana e Qendrës. Kështu psh në vitet ‘60 ishin hapur dy institute të arsimit të lartë në Shkodër dhe Gjirokastër, por edhe pse me tradita të forta arsimore, Korça nuk ishte konsideruar e tillë nga “Biroja Politike”. Vite më vonë, kur u shtua edhe një institut në Elbasan, në Korçë

u hap Instituti i Lartë Bujqësor. Kjo linte të kuptohej se e gjithë krahina vlerësohej më shumë për arritjet e saj në Bujqësi, se sa për vlera në fushat e tjera.

E përmend këtë fakt, sepse shkollat e larta luajnë rol të rëmdësishëm në kulturën e një qyteti, por Instituti Bujqësor nga natyra ka një efekt më të vogël dhe për më tepër, ai i Korçës mbeti si një njësi e izoluar pa lidhje të forta me qytetin dhe banorët e tij.

Në vitet ‘70, Korça ishte tashmë shumë pas kryeqytetit në mënyrën e jetesës dhe të veshjeve, dhe po aq më pas veprimtarive kulturore dhe artistike. Ishte ndër qytetet e fundit në Shqipëri për shitjen e librave dhe frekuentimin e Bibliotekës. Po ashtu ishin të pakët piktorët, kompozitorët dhe shkrimtarët e nivelit më të përparuar kombëtar. Madje në disa fusha të artit edhe më pas qyteteve pa ndonjë traditë, si Vlora, Durrësi dhe Fieri.

Izolimi i Shqipërisë kishte patur një efekt dërmues për kulturën e qytetit.

Rënia vazhdoi graduale deri në fundin e viteve ‘80. kur filluan edhe reagimet e para kundër Diktaturës. Edhe këto ishin më të zbehta në Korçë se në disa qytete të tjera, një tjetër dëshmi e bjerrjes kulturore.

Por dhe liria e viteve ‘90 dhe dalja e Shqipërisë nga izolimi nuk solli përmirësim të nivelit të kulturës. Kjo kryesosht për faktin e Tirana e ruajti fort centralizimin e gjithshkaje ndaj sërish talentet në çdo fushë patën prirrje për të shkuar në kryeqytet. Gjithashtu emigrimi në Greqi dhe vendet perëndimore ishte një faktor shtesë. Rënia e vazhdueshme e popullsisë nuk mund të sjellë rritje ekonomike dhe kulturore.

Tashmë qyteti ngjan më shumë me një qytezë turistike, ku kalojnë fundin e javës plot shqiptarë të kamur për të ngrënë kërnace dhe lakror me dy petë dhe për të dëgjuar gjatë gostive, të ashtuquajturat serenata.

Ka edhe disa veprimtari të përvitshme kulturore, më tepër në funksion të turizmit se sa veprimtari që gjallojnë nga brenda forcave artistiko-kulturore të qytetit.

Një nga treguesit kryesorë të rënies së vazhdueshme të Kulturës është “servilizmi” ndaj Tiranës dhe lehtësia me të cilën e administron Korçën “klani Peleshi”. Në disa fusha dhe veçanërisht në urbanistikë dhe arkitekturë, gjithshka e diktuar nga Rama (imponimi i arkitektit australian psh) është ligj jo vetëm për pushtetarët lokalë servilë, por edhe për bashkësinë. Zërat kundërshtuese brenda qytetit kanë qënë dhe janë të mekura. Thuajse nuk ka asnjë intelektual me peshë, që të udhëheqë një lëvizje rezistence ndaj atyre çka nuk duhen ndërtuar në qytet. Dhe mungesa e shpirtit kundërshtues është tregues i rënies së madhe kulturore.

Kultura nuk është as si sëmundjet e trashëgueshme dhe as si “gripi”, që mund të të ngjitet kur je pranë njerëzve apo bashkësive të kulturuara. Ndaj dhe mburrjet (na natyrën e tyre injorante) se “jemi pe Korçe dhe e kemi kulturën në gjak”, i ngjasojnë asaj thënies lapidare të labit krenar kokëbosh:

“Mos ma merrni për mburrje, por jam nga Kuçi- zemra e Labësisë!”


Sunday, 7 December 2025

Jemi pe Korçe - kemi kulturë (2)


 (vijim)

Lufta përgjithësisht paralizon jetën kulturore, por duhet thënë se gjatë pushtimit italian (1939-1943)nuk kishte në Korçë dhe rrethinat e saj nuk kishte veprime luftarake të natyrës së fronteve të luftës europiane. Jeta ishte më e qetë, pa bombardime dhe prania e një numuri të madh ushtarësh italianë dhe përpjekjeve të pushtuesve për të imponuar kulturën italiane, shumë njerëz mësuan italisht, njohën përfaqësuesit më të shquar të filozofisë dhe letërsisë italiane dhe u familjarizuan me muzikën klasike italiane dhe atë të belkantos. Nëpër klube buçisnin gramafonët me disqe italiane.

Duhet thënë se edhe pse në anën e aleatëve, korçarët ishin më pak dashamirës me pushtuesit grekë (ata qëndruan 5-6 muaj në Korçë) se sa me ata italianë. Pushtuesit grekë, nisur nga historitë e hidhura të fundshekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX i konsideronin më të rrezikshëm për pavarësinë e Shqipërisë. Njerëzit e dinin që një ditë italianët do e humbisnin luftën kundër Aleatëve.

M këto ndikime të Europës Perëndimore, shoqëria korçare hyri në periudhën e pasluftës të Dytë, duke qënë me një orientim demokratik që anonte më shumë nga e Majta, por një e majtë social-demokrate, sepse edhe se komunistë në emër, shumica nuk kishin ide të qarta se si do formohej shoqëria e pasluftës. Edhe propaganda e krerëve komunistë bënte fjalë për demokraci dhe zgjedhje të lira.

Në të vërtetë filloi terrori. Dhe bashkë me të edhe e tatëpjeta ekonomiko-kulturore e Korçës.

Diktaturat komuniste kanë një raport të veçantë me arsimin, artin dhe kulturën.

Edhe pse nxisin arsimimin e masave, detyrojnë programe shkollore të kufizuara nga një ideologji dhe nuk nxisin atë, çka duhet të jetë në bazë të formimit të të rinjve- ballafaqimin e shumë rrymave dhe atë që quhet “skepsis”. Ndaj edhe pse shqiptarët u arsimuan në masë të madhe, madje një pjesë jo e vogël nëpër universitete, ata kishin një formim arsimor-kulturor të cunguar. Po kështu në art. Diktatura hapi shumë shkolla artistike, nga dolën me shumicë piktorë, muzikantë aktorë etj., por edhe formimi i tyre kishte kufizimet që sillte “realizmi socialist”, të cilit i shtoheshin autocensura dhe censura.

Por nëse kjo vlente për gjithë Shqipërinë, për Korçën bëhej veçanërisht negative. Njerëzit më të arsimuar dhe ë të kulturuar të saj ose përfunduan burgjeve, ose u larguan drejt qyteteve të tjera për t’i shpëtuar persekutimit të komunistëve të “Pazarit”(pasi u përkisnin shtresave të pasura), ose u tërhoqën nga qeveria në Tiranë, për të punuar në institucionet arsimore dhe kulturore të posakrijuara. Shumë korçarë filluan të jepnin mësim në institutet e arsimit të lartë, që më pas u kthyen në Universitet; të shumtë ishin ata që mbushën koret e Ansamblit të Ushtrisë dhe të Operas: mjaft të tjerë ishin pjesë e bërthamave shkencore të instituteve studimore të posakrijuara.

Detyrimisht, largimi i një numuri të madh talentesh artistike apo intelektuale do ndikonte në shoqërinë korçare të pasluftës. E gërshetuar kjo edhe me një politikë të emërimit në vende kyçe të arsim-kulturës, të partiakëve të devotshëm dhe jo të njerëzve të zotë, do sillte një rënie graduale të nivelit kulturor të të gjithë bashkësisë korçare. Këtë të dytën e sintetizon bukur një fjali e një ish-liceisti antikomunist në fillimin e viteve ‘60:

I dënuar me burg të gjatë menjëherë pas lufte, në ditët e para të lirisë në qytet, një i njohur e pyeti: Cfarë të bën më shumë përshtypje në Korçë pas gati 20 vjetësh?

-Që M.N. është bërë doktor dhe Dh.B. drejtor i gjimnazit!

(vijon)

Saturday, 6 December 2025

Jemi pe Korçe – kemi kulturë


Shkas për këtë shënim të gjatë, u bë një miku im, që gjithë entusiazëm më dërgonte foton e një gazete të Zyrihut të vitit 2017, ku shkruhej se “Skënderbeu” i Korçës – metropol i kulturës shqiptare- luante në Bernë me ekipin vendas.

Në vend të gëzimit, fraza më shkaktoi një lloj keqardhje, se më ngacmon një plagë të vjetër të shpirtit, atë të bjerrjes së kulturës në Korçë, pas Luftës së Dytë Botërore. Thuajse njëlloj sikundër kur dëgjoj disa kastravecë gjysëm analfabetë, që mburren kafeneve të vendit dhe jashtë tij se “jemi pe Korçe dhe kemi kulturë“.

Nëse dikush në vitin 2017 e ka informuar gazetarin zviceran për kulturën e Korçës, e ka informuar për një mit. Vërtet në vitet ‘30, si e ka cilësuar Indro Montaneli, Korça ishte qyteti më perëndimor i Shqipërisë edhe pse në skajin lindor të saj. Ka patur shumë arsye, që një qytet i ri shqiptar, u zhvillua shpejt ekonomikisht dhe u ngrit nga ana kulturore më lart se të tjerët. Në shënime të tjera të këtij blogu kam përmendur rënien e Voskopojës dhe përfitimin e trashëgimisë së saj, pozicionin e favorshëm gjeografik në kryqëzimin e rrugëve që të çonin në Manastir, Selanik dhe Durrës, fenë ortodokse të shumicës së popullsisë (më tolerante se ajo islame) dhe veçanërisht emigracionin në Misir, Rumani, por sidomos atë në Amerikë.

Fshatarët e Korçës, që u kthyen nga emigracioni dhe u vendosën në qytet, ishin më të pasur dhe më me eksperiencë perëndimore, se sa homologët e tyre të Shkodrës, Durrësit apo Elbasanit. Kjo sillte dëshirën për të arsimuar fëmijët e tyre dhe për të ndërtuar një jetë shoqërore të ngjashme me atë të qyteteve amerikanë ku kishin punuar. Ata që kishin punuar në Misir, përgjithësisht ishin kthyer me shuma të mëdha financiare dhe kishin filluar prej atje të shkollonin fëmijët e tyre në universitetet europiane.

Kështu kultura e qytetit filloi të ngrihej dhe ta bënte Korçën të dallohej nga qytetet e tjera shqiptare. Dhe me kulturë dihet që nuk kuptojmë vetëm veprimtaritë artistike dhe arsimore, por mënyrën e jetesës, të veshjeve, të ndërtimeve, të gatimit dhe mbi të gjitha të sjelljes së njerëzve dhe qëndrimit ndaj rregullave dhe ligjeve.

Edhe qytete greke dhe maqedonase të të njëjtës madhësie ishin nën nivelin kulturor të Korçës. Dallim bënte vetëm Selaniku, që kishte një traditë të gjatë historike si dhe një komunitet të pasur hebre.

Duke imituar qytetet më të përparuar europiane, në Korçë u formua e para shoqëri sportive shqiptare, e para orkestër frymore, u hap kinemaja e parë e me rradhë. Etja për veprimtari artistike- kulturore ishte në rritje veçanërisht pas hapjes së Liceut Francez, i cili ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e kulturës qytetare korçare.

Por pa e idealizuar, duhet thënë se ishte një dëshirë në rritje e një shoqërie me rrënjë jo të thella kulturore, sepse si e përmenda më lart, shumica e shtresës së pasur dhe të mesme, ishin fshatarë të kthyer në borgjezë të vegjël. Në Korçë nuk kishte arsitokraci. Shumë njerëz që shkruajnë në rrjetet sociale apo dhe mediat tradicionale, ja fusin kot kur përmendin termin e sajuar “aristokracia korçare”.

Ndaj është plotësisht realist konstatimi i Spiro Comorës në komedinë “Karnavalet e Korçës” në portretizimin e familjes së Nikollaq Jorganxhiut, si një familje të pasur por jo me themele të shëndosha kulturore. Comora kishte jetuar në qyetet për shumë vjet dhe e kishte njohur atë realitet.

Ndaj edhe pse qyteti më i kulturuar, Korça kishte më pak biblioteka personale të pasura si mund të kishte Shkodra apo Elbasani. Gjithashtu studiuesit dhe shkencëtarët e mirëfilltë ishin më të pakët në numur se në dy qytetet e mësipërm.

Por kishte piktorin më të mirë shqiptar (Vangjush Mio), sopranon më të mirë (Tefta Tashko), pianisten më të mirë (Lola Gjoka), tenorin më të mirë (Kristaq Antoniu) dhe kompozitorin më të mirë (Kristo Kono). Në fushën e letrave korçarët nuk ishin në nivelet e Fishtës, Mjedës apo Koliqit, por kishin gazetat më serioze të kohës.

Kjo deri fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

(vijim)


Friday, 5 December 2025

Gjithshka “për sytë e botës”


Ajo për çka flitet sot shpesh në media dhe që kudo e quajnë “imazhi” është se si gjithsejcili duket në “sytë e botës”. Veçanërisht për ata tek të cilët “sytë e botës” përqëndrohen më shumë. Dhe “imazhi” i mirë ju duhet jo vetëm individëve, por edhe korporatave. Apo edhe bizneseve të zakonshme.

I gjithë ky preokupim për “stisjen dhe ujdisjen” e imazhit dëshmon se bota(mileti) në shumicë kërkon që njerëzit të jenë të moralshëm, të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe mbi të gjitha njerëzorë. Ndaj dhe VIP-at mundohen që të duken sa më të moralshëm, të sinqertë dhe njerëzorë edhe pse mund t’ju mungojnë të tre cilësitë e sipërpërmëndura. Ato që bota nuk i sheh, shpesh janë jo vetëm amorale dhe të kundraligjshme, por herë herë edhe tmerronjëse. Aq tmerronjëse sa edhe në botën e burgjeve, të dënuarit për veprime të tilla përçmohen dhe madje edhe asgjesohen nga bashkëvuajtësit.

Cjerrja e “imazhit” dhe nxjerrja e fytyrës së vërtetë të dikujt të rëndësishëm ndodh shpesh, por gjatë këtij viti dhe veçanërisht në rastin e “Xhefrit të Epsheve”, kjo ka ndodhur shumë më shumë.

Nuk e kam fjalën për princin Endrju, sepse fytyra e tij e fëlliqur prej një “zuzari” që do të shkojë me gjimnazistet, ishte bërë e njohur prej shumë e shumë vitesh. Flas për gjithë Oborrin Mbretëror, që dinte me hollësi se deri ku shkonte perversiteti i tij dhe veprimet e dënueshme nga ligji. Dhe heshtnin.

E para, e ndjera nëna e tij, Mbretëresha Elisabet u mundua ta mbronte deri në fund, duke u justifikuar tek njerëzit e besuar: “E kam djalë!”

Më pas gjithë mbretërorët e tjerë, duke filluar nga mbreti Carl dhe “të virtutshmit” e tjerë princi Uilliam dhe Dukesha Kejt. Duhet të dilte në dritë libri i të shkretës Virxhinia Xhufre (viktima 16 vjeçare e princit) dhe më pas e-mailet e Endrjut me Xhefrin pasi ky i fundit ishte dënuar, për tu “skandalizuar” Oborri dhe për ta xhveshur nga të gjithë titujt dhe funksionet shtetërore.

Kujt i vlenin këto masa veç “imazhit” prej njerëzve të drejtë dhe patriotë të banor[ve t[ Pallatit Bukingam?

Të gjitha përpjekje për të mbrojtur privilegjet dhe pushtetin e tyre të trashëguar në breza.

Një skotë njerëzish të përlyer në skandale dhe që megjithatë përfitojnë nga taksat e anglezëve, kanadezëve dhe të tjerëve.

Por nuk janë vetëm VIP-at anglezë, që po mundohen të pastrojnë “imazhin” e tyre. (Ka nga ata që shpenzojmë edhe shuma të mëdha me kompanitë që merren me të ashtuquajturat “public relations”.)

Ishpresidenti i Harvardit, Lerri Sammers, u detyrua të largohej nga shumë funksione pasi dolën në dritë këmbimet e mesazheve me Xhefrin m[ pas ky i fundit ishte dënuar.

Presidenti Trump, mik i dikurshëm Xhefrit, që dikur deklaronte për të “është një djalë terrifik, që si unë i pëlqen gratë e bukura, po anon nga të njomat”, tani mburret se i kishte ndërprerë prej kohësh marëdhëniet me pervertin.

Janë vetëm disa nga dëshmitë e njerëzve të pasur e të fuqishëm, që nuk kanë asnjë parim moral, veç atij të grumbullimit të parave dhe pushtetit për tu mbrojtur nga ligji dhe për të fshehur veprimet e tyre të ndyra.

Për fat të keq, Bota (mileti) është e verbër dhe nuk sheh ose nuk do të shohë fëlliqësitë dhe mungesën e skrupujve të tyre. Dhe kjo vlen për të gjitha shoqëritë e vendeve të quajtura “të lira” se atje ku sundojnë autokratët apo më keq Diktaturat, edhe të shohësh nuk vlen.

Atëhere përse vlejnë rregullat morale dhe ligjet?

Për shumicën e njerëzve, dhe jo për “elitat”.

“Ajkat” e shoqërive do jenë gjithnjë në gjendje të manipulojnë “imazhet” e tyre për “sytë e botës”.

Mijëra vjet të shoqërisë njerëzore janë dëshmitarë të kësaj dukurie.


Monday, 1 December 2025

Spiunë apo patriotë?


Ka disa kohë që në internet qarkullon një listë e informatorëve të Shërbimit Informativ Shqiptar, shkurt SHISH, të cilët në mënyrë disi keqdashëse i quajmë spiunë.

Informatorët e pushtetit, në anët tona tradicionalisht i kemi quajtur spiunë, edhe shumë kohë përpara bashkëpunëtorëve të famëkeqit Sigurim i Shtetit, por gjithashtu mund të themi se kemi qënë të pushtuar, ose në një gjysëm-diktaturë si ajo e Zogut të Parë- Mbretit të shqiptarëve.

A duhet t’i quajmë edhe sot po njëlloj këta njerëz, të cilët i shërbejnë Atdheut, apo duhet të mendohemi më thellë dhe të themi se po bëjnë detyrën patriotike të mbrojtjes së Shqipërisë nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm?

Po le të kthehemi në fëmijërinë tonë apo edhe në atë të fëmijëve të ditëve të sotme.

Informimi i autoriteteve tinëz (prindër apo mësues) për një sjellje jo të pranueshme të motrës, vëllait, bashkënxënësit apo shokut, quhej me të drejtë “spiunllëk”. Tregonte një lloj dobësie të karakterit në formim të fëmijës. Do ishte ndryshe nëse “informimi” do bëhej hapur, ose më mirë akoma pas një “mos e bëj më këtë gjë se do i tregoj babit (apo mësuesit)”.

Ndaj ata që informojnë për të tjerët, qoftë në kushtet e një mjedisi pune apo të një kolektivi, me të drejtë mund të cilësohen si njerëz me karakter të dobët dhe që duan të përfitojnë nga autoritetet. Po a duhet përdorur i njëjti standart për ata që informojnë për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare?

Edhe këtu kemi të bëjmë me dy kategori. Ata që janë informatorë të rekrutuar dhe me pagesë dhe me dikë që informon (tinëz) sepse nuk mund ta bëjë hapur se mund t’i rrezikohet familja apo jeta.

Të rekrutuarit në Shqipëri në të gjithë rastet janë njerëz të dobët, që duan të përfitojnë, ose që duan të fshehin paudhësitë e mëdha të tyre.

Në listën e publikuar nga hakerat online, ka shumë oficerë policie, juristë dhe nëpunës, të cilët nuk kanë ndonjë arsye të bëhen informatorë të SHISH, veç asaj të të pasurit mbrojtje për veprimet e paligjshme që kanë kryer. Disa kanë mbajtur ose mbajnë funksione të larta në aparatin shtetëror. Pikërisht në këtë mënyrë, duke ju dhënë poste dhe mbajtur nën presion, fshihet “forca” për të qëndruar në majat e politikës e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ata e njohin mirë dhe e kontrollojnë këtë “pjesë të kalbur” të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.

Ndaj dhe hakerat iranianë duhen falenderuar për ekspozimin e këtyre spiunëve, që nuk mund t’i quash patriotë.