Mund të dukej disi e çuditshme gjatë presidencës së parë të “the Donald”, por duket se po ngjan gjatë një muaji të presidencës së dytë të tij.
Një njeri i vetëm po përmbys rendin ekzistues botëror.
Sistemi ndërkombëtar i tre dhjetvjeçarëve të fundit (pas Luftës së Ftohtë) karakterizohej nga globalizmi i cili ishte një prirje për qarkullimin e mallrave dhe kapitaleve nëpër botë, përpos disa rregullave që favorizonin më të mëdhenjtë, por që linin mundësi edhe për të vegjëlit dhe me pe prirje për të shmangur konfliktet e armatosura. Edhe pse SHBA u angazhua në dy konflikte absurde (ai i Irakut dhe Afganistanit), më tepër se lëvizje të llogaritura mirë politike, ato ishin si rrjedhojë e sulmit të 11 shtatorit dhe njëkohësisht e një “tërheqjeje prej hunde” nga ana e Izraelit për të goditur armiqtë e tij në rajon.
Lufta e Ukrainës e prishi drejtpeshimin e rendit botëror dhe Trump tani po i jep goditjen e fundit.
Një nga rrjedhojat më negative të Luftës në Ukrainë është ajo se “kufijtë mund të ndryshohen me luftë!”
Tashmë administrata amerikane jo vetëm e ka pranuar këtë në rastin e Ukrainës, por e paraqet edhe si një gjë të natyrshmë për të mëdhenjtë, që duan të mbrojnë interesat e tyre kombëtare. (Mund t’i ndryshojnë kufijtë pa përfillur më institucionet ndërkombëtare apo ligjet ndërkombëtare.)
Europa duket tërësisht e çorientuar nga politika e re e administratës amerikane. Gjatë dekadave të fundit, shumë vende kryesorë europianë kishin ulur buxhetet e tyre të mbrojtjes në dobi të programeve të tjera sociale. Tani, duke ndjerë mundësinë e braktisjes nga SHBA për mbrojtjen e tyre, janë rritur zërat që jo vetëm shpenzimet ushtarake duhet të rriten në mbi 3% të buxhetit, por edhe të përpiqen të militarizojnë një pjesë të industrisë së tyre. (Deri më tani 80% të paisjeve ushtarake Europa i importonte nga SHBA.)
Por çdo të thotë kjo situatë e re për vendet europiane dhe veçanërisht për vendet e vogla, në të cilët hyn edhe Shqipëria, sidomos nëse NATO dobësohet ose prishet.
Gjithsejcili duhet të armatoset deri në dhëmbë ose të gjejë një çadër të re mbrojtëse. Pra ose të futet nën sqetullën e një Fuqie të madhe, (ndaj të cilës duhet të kthehet në një vend vasal)ose të jetë pjesë e një aleance ushtarake me fqinjët për të mos u “gëlltitur” nga vendet më të mëdha dhe më të fuqishme ushtarake.
Problemet më të mprehta dhe më të shpejta do jenë për tre vendet balltike, por edhe Ballkani, me problemet e përhershme të tij, nuk ka për t’i shpëtuar acarimeve të mëdha dhe njëkohësisht edhe provokimeve ushtarake. Nuk është e pamundur të ketë përplasje mes Turqisë dhe Greqisë për ishujt e Egjeut, mes Bosnjës dhe Sërbisë, Hungarisë dhe Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë dhe për atë që jemi më të interesuar - mes shqiptarëve dhe Sërbisë. Duket se shumë probleme të kufijve dhe të pakicave kombëtare në këto vende do të zgjidhen në favor të më të fortëve në një Marëveshje të ngjashme me atë të Jaltës mes Putin dhe Trump.
Drejt kujt duhet t’i drejtojë sytë Shqipëria në rast se skenare të tilla mund të nisin të realizohen në vitet e ardhme.
Kam frikë se aleati më i mundshëm ushtarak do jetë Sulltani Erdogan, dhe pas një shekulli ne do kthehemi të gjithë në dumbabista.
Kështu ndodh kur je i vogël dhe i pafuqishëm.