Saturday, 28 December 2024

Oborri i degjeneruar i "Skënderbeut" të ri


Edhe pse në fillim, krahasimi i Ramës me Skënderbeun bërë nga militantja Spiropali dukej si një budallallëk me brirë, duhet pranuar se pas 20 vitesh të drejtimit të PS-së dhe 12 vitesh të drejtimit të qeverisë, në disa aspekte jo pak të rëndësishme, Rama mund të quhet si mbajtës i kurorës së Skënderbeut. 

Kur nga Fuqitë e Mëdha pat qënë përcaktuar se forma e shtetit shqiptardo ishte monarki, nga të gjithë patriotët shqiptarë u pranua se drejtuesi i shtetit do trashëgonte kurorën e Skënderbeut. Nuk kishim një traditë tjetër më të fortë monarkike. Në fillim kurora ju dha Princ Vidit, më pas e morri Mbreti Zog dhe veprimi i fundit i këtij lloji ishte ai, kur "patriotët" antizogistë ja shpunë në Romë Mbretit të Italisë Emanuel i II.

Rama me vullnet, dinakëri, intriga, por edhe "punë natë e ditë" e ka ngulur fort në kokë kurorën e Skënderbeut dhe thuajse e ka kthyer Republikën e Shqipërisë në një monarki absolute, të cilën e sundon me dorë të hekurt.

Sigurisht që si çdo monark dhe ai ka oborrin e tij, me veçantinë, që titujt ja u jep dhe ja u heq vasalëve sipas dëshirës së tij. Kjo sjell edhe intrigat e oborrit, të cilat i interesojnë monarkut se e bëjnë gjithnjë e më të patundur pushtetin e tij absolut. Vite më parë ishte rivaliteti mes viskontëve Veliaj dhe Tahiri, kur rënia e turpshme e këtij të fundit, solli ngritjen e Veliajt deri në titullin Dukë. Më pas duka Veliaj dhe dukesha Balluku komplotuan kundër  markezit Ahmetaj, të cilin më pas "Skënderbeu" e dërgoi në syrgjyn.

Edhe pse dukej se po kalonte një periudhë qetësie, hargalisjeje dhe orgjish me baroneshkat dhe markezinat e oborrit, intrigat e fundit mes dukeshës Balluku dhe dukës Veliaj duket se e kanë detyruar Ramën të nxjerrë në skenë mbretëreshën Linda e cila deri tani kishte vetëm detyra ceremoniale. Duka Veliaj po kalon përpëlitjet e fundit të shkaktuara nga thika pas shpine e dukeshës Belinda.

Kështu po e pret Vitin e Ri, oborri i degraduar i "Skënderbeut" të ri. Mes defrimeve dhe komploteve.

Të presim titujt dhe intrigat e reja që do vijnë në muajt në vijim.

No comments:

Post a Comment