Thursday 11 April 2024

Të vjedhim çdo gjë, kudo dhe kurdoherë


Në fillimin e viteve '70, sektori i Komitetit Qendror që merrej me përpilimin e parrullave, sajoi si parrullë të rendit të ditës "Të kursejmë çdo gjë, kudo dhe kurdoherë". Parrulla përbënte politikën ekonomike të viteve '70, kur pas ftohjes me Kinën nga kupola dihej që burimet materiale dhe financiare do bëheshin gjithnjë e më të pakta dhe do fillohej racionimi në çdo gjë. Parrulla shënoi fillimin e rënies së sistemit socialisto-diktatorial, që do çonte në ndryshimin e sistemit 17-18 vjet më vonë.

Tashmë, sistemi i krijuar nga Nano-Berisha-Rama si parrullë për politikën ekonomike të vendit kanë krijuar parrullën që nuk thuhet hapur por nënkuptohet: "Të vjedhim çdo gjë, kudo dhe kurdoherë". I fundit i treshes krijuese, sipas teorisë materialiste të revolucionit permanent e ka ngritur aplikimin e parrullës në nivelin më monstruoz.

Por më e rrezikshme se sa mbushja e administratës me hajdutë nga Kryeministri dhe deri tek kryetarët e bashkive, është gjendja inerte e asaj pjese të shoqërisë e cila nuk vjedh. Eshtë e trembur, e demoralizuar apo e gjithë shoqëria është e mbushur me realistë, pragmatistë, indiferentë, çiqitëmistë, delenxhinj, mashtrues, oportunistë, peqelepistë dhe kategori të tjera të ngjashme sojsëzësh?

Ajo që të tremb është kur shikon se Kryetari i Bashkisë (hajduti Erion Veliaj) flet para nxënësve të shkëlqyer të një gjimnazi të Tiranës. Në mënyrë të ngjashme me kohën e Diktaturës, në vend që gjimnazistët të ngrihen e të reagojnë ndaj kryehajdutit, ata rrinë të heshtur dhe nuk arrin të kuptosh se ku nis frika dhe ku vazhdon pajtimi i të rinjve me modelin e "suksesshëm Rama-Veilaj".

Që të thuash se gjimnazistët e Tiranës nuk dinë se ç'ndodh në Tiranë dhe në Bashkinë e Tiranës është absurde. Atëhere shpirti rebel i adoleshentëve (gjë e njohur historikisht) ose është i fashitur ngafrika ose për ta është normale që të vjedhësh dhe më pas të mundohesh të mbulosh me deklarata vjedhjen.

Takimi i Erit me gjimnazistët, pavarësisht se bajat, mashtrues dhe i pështirë, është një sinjal pozitiv për Ramën dhe hajdutët e tjerë, se e kanë tashmë të qartë që nuk ka forcë në Shqipëri tani dhe në një të ardhme të afërt që t'i rrëzojnë.

Ndaj do vazhdojnë të vjedhin në çdo gjë.


No comments:

Post a Comment