Më ndodh që kur udhëtoj gjatë të më vijnë ndërmend ç'turlish kujtime nga e kaluara. Qesh me vete dhe them se jo vetëm partia, qeveria dhe organizatat e masave na "ushqyen"trurin me gjithfarë "plehrash". por edhe të tjerë njerëz krijonin lloje të tjera kotësish të cilat partia, qeveria dhe organizatat e masave i luftonin, por gjithsesi hynin në mendjet tona prej kalamani apo adoloshenti. "Ushqime" toksike, të panevojshme, rropullipërzjerëse.
Një natë me hënë të plotë (e cila këtej nga jetoj duket çuditërisht e madhe) më erdhi në mendje një nga këto "krijime" të sernadistëve qaramanë korçarë. Nuk di nëse i përkiste repertorit të xhaxhallarëve Peleshi, Xhepes apo të tjerë krijuesve të panjohur. Gjithashtu nuk e kam dëgjuar të jetë në kasetat dhe CD-të e këngëtarëve të sotëm, që kanë jo pak nga këto këngët qaramane të rrugëve.
Eshtë befasuese se vetëm në tre strofa me një tetërrokësh të zakonshëm, autori jo vetëm tregon gjendjen e tij shpirtërore, por edhe tërë historinë e jetës dhe njëkohësisht i hedh edhe munxat vendit të tij.
Ti moj hëna lozonjare
Që ndriçon sonte mbi dhe,
Hyr në re dhe mos dil fare
Që ky vend drit' të mos ketë!
Të fut në mënyrë thuajse të magjishme në botën e një njeriu fotofobik, i cili nuk del ditën (se nuk thotë gjë për diellin), por del vetëm natën dhe dritën e hënës nuk do ta ketë as vendi i tij! C'të jetë ky njeri të cilit hëna edhe i duket lozonjare, por njëkohësisht e do edhe pas reve?!
Kuptohet në strofën e dytë, kur urrejtja e tij ndaj dritës së hënës duhet t'i ketë ndoshur për shkak të humbjes së dashurisë të tij të madhe.
Unë të mora qysh të vogël
Dhe të rrita si fëmij'
Shkaku yn' që ne u ndamë
Ishe ti që s'lind fëmij.
Unike , e papërsëritshme, ndoshta pa asnjë shembull tjetër t[ ngjash[m në ziliarda vargje, që ka krijuar Njerëzimi gjatë historisë së tij. E la gruan , që e kishte marrë me një barrë sevda që adoleshente (nuk duket se ka elemente të pedofilisë ) se nuk bënte fëmijë. Nuk kishin dalë edhe këto metodat me "vitro", që të ishte bërë dermanpër qa ramanin.
Dhe me nota të fuqishme tragjike, mbyllet kënga në strofën e tretë, kur kuptohet gjithshka që ka ndodhur. E gjora grua e lënë për shkakun "madhor" të mosprodhimit të një trashëgimtari, ka vdekur dhe autori i penduar, që nuk do hënën të shfaqet, kërkon dhe ai të vdesë një orë e më parë, por pa pranuar fajesine. Del edhe një përbërës, që shfaqet jo rrallënë serenatat krahas, rakisë, lotëve dhe leshkave, që është "varri".
Hapu varr i errësuar
Dhe pranoje trupin tim!
Vdiq ajo që më desh mua
Le të vdes dhe unë tani!
Cuditërisht kjo strofë me nota "betoviane" dhe e gjithë kënga (nga ato me dhemkë)mua më bën të qesh ndërsa shkoj me makinë në një rrugë që ka në fundin e saj një hënë stërmadhe, që të kujton ato gonget e mëdha prej bakri të tempujve aziatikë. Aspak lozonjare!