Blushi ja ka dalë të jetë në qendër të vëmendjes me daljen nga PS dhe me përpjekjet për krijimin e një partie të re shqiptare. Ide rreth të adhmes së partisë të tij, kanë hedhur analistë seriozë, si Lubonja, Lela, Nano e ndonjë tjetër. Nuk di se sa ndikohet Blushi nga idetë e analistëve, (ka një lloj prirje të tij për të dëgjuar veten, gjë jo shumë e mirë për një politikan), por duket se ai I befasoi më të shumtët. me njoftimin se Partia e tij do jetë parti e Qendrës. Gjatë demaskimeve, që ai i bënte Rilindjes në këto dy vjet, i mëshohej idesë se grupi drejtues kishte tradhëtuar elektoratin e majtë dhe sidomos shtresat më të pambrojtura të tij. Dukej që Blushi do përpiqej të ngjasonte me Cipras dhe lëvizja e re. që mund të krijonte dhe udhëhiqte, do ishte e një ideologjie të majtë.
Por a ka devijuar Blushi nga idetë e tij politike të shumë viteve më parë, apo edhe të viteve të fundit?
Historikisht, ai nuk i ka përkitur së Majtës. Në rast se Berisha nuk do ishte ky që është(autokrat në pakufi), Ben Blushi i “Rilindjes Demokratike”, sot do ishte një nga figurat kryesore të PD-së. Rrjeshtimi i tij në frontin anti-PD të para 1997-ës ishte anti-Berishë dhe jo kundër së djathtës. edhe gjatë viteve të pushtetit të së Majtës, ai ka qënë në qëndrimet e tij më pranë Qendrës.
Në rikthimin e PS-së në pushtet, kritikat e tij ndaj Ramës dhe Rilindjes ishin më tepër për mosmbajtje premtimesh, mungesë koherence dhe mbytje të demokracisë brenda partisë. Nëse me të drejtë, ai kritikonte braktisjen e të varfërve, masat e ashpra ndaj mospaguesve të faturave të elektrikut apo ndaj atyre që riparonin shtëpitë pa leje, koncesionet, rritjen e borxhit publik, këto ishin kritika me karakter të ndryshëm ideologjik, se vinin edhe nga e Majta por dhe nga e Djathta, për të treguar se vendi po qeverisej keq.
A ka në ShqipërI, të Majtë , të Djathtë, Qendër dhe populistë?
Në vend ka dy Parti të mëdha,të cilat e quajnë veten të majta, ka një parti të madhe që vetëquhet e djathtë dhe shumë partiçka të tjera që i përkasin të Majtës së Djathtës dhe Qendrës. Partitë që alternohen në pushtet, kur qeverisin kanë profile jo të qarta. PD-ja ka bërë ligje dhe ka ndjekur edhe politika të majta dhe e kundërta mund të thuhet për PS-në. LSI-ja poi het që ka qeveriur me të dy krahët dhe megjithatë kjo nuk e ve në Qendrën e spektrit politik, se flirton më shumë se të tjerat me “mbeturinat” e Diktaturës. Ndaj pa frikë, “lojtarët” kryesorë në politikën shqiptare mund t’i quash edhe të Qendrës edhe populistë. Ata pretendojnë se punojnë për interesat e gjithë polpullit shqiptar, karakteristikë kjo e pastër e populizmit. Ndaj me të drejtë analisti Lela vëren se në këtë Qendër të ngjeshur, nu ka vend për “Listën” Blushi-Hafizi.
Mendimi im është, që nëse dy deputetët e posalarguar nga PS-ja do arrijnë të krijojnë një formacion politik me një jetë të brendshme demokratike, me një program reformator, nuk ka pse të druhen nëse mund të gjejnë apo jo njerëz, të cilët do I ndjekin dhe do i votojnë pas 7 muajsh dhe më shumë pas 5 vjetësh.
Ajo, e cila i mungon më shumë politikës shqiptare, është një grupim politik, që funksionon demokratikisht, hapur dhe me koherencë. Tek një lëvizje e re e Qendrës mund ta ndjejnë veten të përfaqësuar shtresa e mesme e popullsisë, studentët, pronarët e vegjël, punonjësit shtetërorë, fermerët e shumë të tjerë. Atë do e mbështesin të gjithë ata , që kanë kuptuar se diçka shkon shumë shumë keq në politikën shqiptare.
A ka Blushi karakteristikat e një politikani, që mund të udhëheqë një lëvizje të fuqishme?
Duke kundërshtuar atë që thotë ish-shoku i tij Rama, Blushi ka bërë jo pak, në 20 vitet e tij në politikë.
E para është, që ai është ndjerë si politikan kryesor edhe pa patur poste zëvendës kryeministri, ministri të jashtëm apo të brendshëm, në ndyshim nga rreth 20 të tjerë, të tre partive kryesore, që kanë mbajtur poste të larta që prej vitit 1997.
Së dyti, në shkrimet dhe fjalët e tij, Blushi ka dëshmuar se e njeh politikën si disiplinë, më mirë se gjithë politikanët e tjerë.
Së treti, edhe nëse ai ka mangësi në krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit, Blushi është shkrimtari, veprat e të cilit blihen më shumë , gjë që e bën të komunikojë me një numur të madh njerëzish dhe pasuesish.
Së katërti. edhe në raportet me të huajt, ai nuk është mes politikanëve që injorohen.
A do jetë në gjendje të ngrejë një tufan në politikën shqiptare apo do bëjë vetëm një furtunë në gotën e Qendrës?
Këtë e di vetëm Koha( jo ajo e Nikollë Lesit).