Wednesday, 20 January 2016

Mendime të çartura

Ejani sërish mendime të çartura,
Të shuani këtë tingëllim bosh,
Brenda temporaleve.
Muza që fluturoni
Krerëve me kurora dafinash
Dhe me ide të arta i ndrisni
Pak çaste prisni,
Edhe mbi mua
Hidhni hirin e fjalëve.
Dua të tregoj për ato që kam humbur,
Dhe për ç’kam dëshëruar,
Se sa zor është të jesh i lumtur,
Dhe për të tjerët i përgjëruar.
Të tregoj ëndrrat,
Drithërimet,
Prekjet e të bukurës sime,
Qetësinë dhe frikën se një ditë do vdes,
Ejani sërish të çartura mendime,
Ejani,
Ju mirëpres!

No comments:

Post a Comment