Tuesday, 27 October 2015

Mengjes i pafund

Nuk mund të flinim
Në atë hotel varrezë,
Me shtretër komodë guri.
Ndaj pritëm agun duke u puthur,
Dhe qefinë shtruam tryezave të zbrazura
Për të shërbyer mëngjezin e pafund.
Që do nginjte pangopësinë për të jetuar,
Rrëzë një muri
Të valëzuar,
E të përkulshëm pa shumë mund,
Në dimensionin tjetër për të kaluar.
Nuk mund të bënim dashuri
Në atë shtrat epshesh të huaja,
Me të linjta ngrirë në kollë.
Ndaj ndenjëm kacavjerrë ëndrrave të kaluara,
Me frymëmarrje të ndalura
Deri sa hëna e hollë
Me dritën u tret,
Dhe retë butë na pritën
E njomën etjen për të fluturuar
Krahët i qullën
Dhe endrrave të ardhme na zbritën.
Nuk mund të preheshim
Në ato shtroje gjithë pupla
Me qetësi vdekjeje mbushur.
Ndaj ju kënduam yjeve,
Këngë grimcash kozmike
Që si pluhur i artë bridhte hapësirave
Cipën që mbante lëndën tonë ndriste.
Ndërsa jehona prej yjeve kthehej,
Në lëng jete shndruar,
Me të ardhmen e pafund që na priste.

No comments:

Post a Comment