Diku kam shkruar se nuk dua të ik nga kjo botë, pa kuptuar të
paktën vendin tim në kohën kur kam jetuar.
Dhe vendi im është i vogël. Qyteti im edhe më i vogël. Kur u
linda ishin rreth 60 mijë vetë dhe kur u largova nuk i kalonte të 75 mijët.
Tani popullsia sillet diku rreth 50 mijë vetë. Thonë që më të shumtët janë të
ardhur nga fshatrat e largët.
Por kur i kthehem shpejt me mendje kohës kur kam jetuar, më
duket e thjeshtë dhe thuajse pa ngjarje. Një shoqëri e pakomplikuar, që hante, punonte
paraditeve, dilte xhirro pasditeve dhe shkonte për urime në fejesa e dasma dhe
për ngushëllime në vdekje. Ngjarjet e rëndësishme që më kalojnë vetëtimthi janë
vetëm vdekja e dr.Polenkës, skandali i sajuar që futi Koço Cevën në burg, “gurët
e Napuçes”, parrullat kundër Partisë e shkruara një natë në muret e shkollave dhe
rrëzimi i shtatores së Enverit. Shumë pa për një periudhë mbi 30 vjeçare. Po t’i
shtoj edhe kohët e humbura në rradhët për ushqime dhe një lloj frike kur shihje
GAZ-et e Degës mund të jap një tablo më se të turbullt të shoqërisë korçare.
Ose më mirë të theksoj, që sa më shumë kohë kalon, aq më mirë e kuptoj se nuk
kam kuptuar asgjë nga vendi ku jetoja.
Po nuk e kam vetëm unë këtë mungesë aftësie për të kuptuar.
E ndesh edhe tek të tjerë të njohur të brezit e qytetit tim. (Duhet të përmend,
që në përpjekjet për të kuptuar se ku kam jetuar, kam dëgjuar me vëmendje se ç’thonin
të tjerët, sidomos ata që i quaja të mençur; kam lexuar sa kam mundur analizat
rreth asaj kohe; kam bluar në mendje kundërshtitë e atyre ç’kam parë , dëgjuar
dhe lexuar.) Njri prej tyre, edhe pse gjithë jetën antikomunist, tani thotë, që
po qe se do jetë Partia e Punës pjesëmarrëse në zgjedhje do votojë për të. NJë
tjetër, duke i mëshuar zërit në fjalët “atij” dhe “të qelbur”, më thotë “Po mirë
ja bënte Enveri atij populli të qelbur, që e mbante të mbyllur, se ja ç’po bën
tani që u hapën rrugët!”
Më duket se edhe këta, si unë kujtojnë një periudhë gri
paqeje, që s’ka as formë as trajtë as ngjyrë dhe as erë dhe fare pak ngjarje.
Po pse më parë më gënjente mendja, që mund të kuptoja shoqërinë
ku kisha jetuar?
Thua të ketë qënë një mbetje e ndikimit të teorisë
materialiste të njohjes, që mësonim në shkollë? Që po të marrësh në konsideratë
faktorët ekonomiko-shoqërorë, raportet bazë dhe superstrukturë, si dhe traditat
etniko- kulturore, mund të kuptosh qartë se ç’është një shoqëri?
Hmmm….
E di që me këto rrjeshta do qeshë avokati im dhe më shumë këshilltari
juridik i avokatit tim dhe me mendje do thonë:
“Më në fund e kuptove!”
No comments:
Post a Comment