Thursday, 30 May 2024

Trump u dënua- A do i humbë zgjedhjet?


Juria prej 12 vetësh e deklaroi fajtor "The Donald" për falsifikim dokumentesh për të mbuluar pagesën për "heshtjen" e aktores porno Stormy Daniels, për një aferë që kishte patur vite më parë me të.

Unë vetë kam menduar që ndjekja në pafundësi e çështjes "Daniels"nuk do e lëkundëte Trumpnga pozita udhëheqëse në garën elektorale. Zelli i madh i prokurorëve ( që kryesisht anojnë nga demokratët) mund t'i shërbente linjës së tij "po sulmohem nga establishment për të mos u zgjedhur president" dhe të shtonte simpatinë për të në shumë njerëz të lëkundur. Eshtë në natyrën njerëzore. që të ndjesh keqardhje për të persekutuarin. E megjithatë çështja penale shkoi në gjyq dhe sistemi i drejtësisë amerikane (ndër më të mirët në glob) funksionoi. Edhe një ish president mund të dënohet edhe për faje jo shumë të rënda, ndërsa në vendet me një qeverisje autarkike ose me demokraci hibride, krerët e shtetit kryejnë nga korrupsioni e vjedhja dhe deri në vrasje të kundërshtarëve apo atyre që ju cënojnë pushtetin.

Sigurisht që Trump as do shkojë menjëherë në burg, sepse ka disa shkallë apelimi dhe nuk dihet se si do përfundojë procesi gjyqësor, që do zgjatë edhe shumë kohë pas zgjedhjeve të Nëntorit. Në rast se Trump fiton ai e ka në dorë të falë veten. Në rast se humbet nuk ka ndonjë interes të madh se si do vijojë procesi. Madje do ishte e arsyeshme që Gjumashi Xho ta falte kandidatin humbës.

Por si e përmenda më lart, nuk është çudi që vendimi i sotëm të shtojë simpatinë për Trump. Dhe jo vetëm në meshkujt e bardhë, që përgjithësisht mendojnë "E mo se nuk bëri ndonjë gjë të madhe se shkoi me një pornostar", por edhe në shtresa të tjera të popullsisë, madje edhe në gratë, që janë të prirura të ndjejnë keqardhje për "viktimën". (Në këtë rast vërtet Trump është viktima, se Daniels shkoi me dëshirë dhe për më tepër edhe u pagua "që mos i rrëfente miletit".)

Diçka do duket në sondazhet e ardhmen, e megjithatë duhet thënë se dhe ato nuk janë përfundimtare. Ka ende dhe shumë për të rrjedhur deri të martën e parë të nëntorit.

Nëse Trump do humbasë si rrjedhojë e këtij vendimi atëhere do i shtohet numurit të burrave që janë rrëzuar nga mosfrenimi i epsheve.

Në mënyrë përmbledhëse këtë e ka shprehur dikur veteran Avni në një bisedë me një shok të Birosë. Kur shoku X i tha "Eh more Avni, shumë shokë na morri lufta!", veteran hazërxhevap ju përgjigj "Vërtet shoku X, po më shumë na i morri ajo plaçka!:

Monday, 20 May 2024

Vërtetohen të tjera profeci të Nostradamusit për 2024


Edhe pse të vështira për t'u kuptuar plotësisht, të gjithë studiuesit seriozë të kuatreneve të Nostradamusit pajtohen me faktin se shumica e profecive të tij për vitin 2024 jane realizuar. Deri më tani janë provuar tërmeti në Japoni, diagnostikimi i Mbretit Karl dhe dukeshës Kejt me "sëmundje të keqe" dhe rritja e çmimeve të ushqimeve.

Sot u njoftua se edhe aksidenti me helikopter i presidentit Iranian ka qënë i parashikuar në kuatrenin:

Mes gjëmimeve në majën

E malit me mjegull

Humbet veziri.

Entuziastët grekë të profetit të shquar francez, kanë dhënë shpjegim edhe për kuatrenin:

Kovaçi do lerë farkën

Dhe do vendosë 

Për ligjet në Europë.

Sipas tyre parashikimi lidhet me kandidinimin e Fredi Bejlerit për në Parlamentin Europian. Sikundër është e njohur, në Mesjetë nuk kishte hidraulikë të specializuar, por rëndom instalimet me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë për të pasurit kryeheshin nga koveçërit. Nuk dihet nëse Micotaqis është ndikuar nga kuadreni i Nostradamusit për kandidimin e Bejlerit. Ende pritet të verifikohet nëse tepelanasi i burgosur nga Rama do arrijë të fitojë në zgjedhjet e qershorit.

Shumë diskutime ka rreth një kuadreni, për të cilin nuk janë gjendur ende spjegime të pranueshme nga shumica e studiuesve. Bëhet fjalë për vargjet:

Njeriu i fiqve do përndiqet

Dhe po nga fiqtë

Do dalë i kulluar.


Friday, 17 May 2024

Unë e mirëpres kryeministrin tim


Nuk di ta spjegoj tamam se ç'është forca magnetike me të cilën na tërheq Atdheu, që nuk ka se si të jetë e ngjashme me Forcën e Tërheqjes së Gjithësishme, se në të kundërt nuk do kisha ikur si shumë të tjerë. Por ja po të më pyesin se cili është kryeministri im, menjëherë hidhem dhe them Rama dhe jo sikundër do ishte më e logjikshme, të përgjigjesha - Trudo. Eshtë si një lloj fiksimi i përhershëm mendor Shqipëria, shqipëtarët,gjuha shqipe, gjërat shqipe, shqiponjat, shënja e shqiponjës me duar e të tjera si këto. Kur udhëtoj mes natyrës së këtij vendi të pamatë, në kokë më rrinë vetëm vargjet :

"Kanadaja plot liqene

Si Shqipëria s'je moj qene!"

të cilat i kam dëgjuar nga goja e ndonjë patrioti, ose janë sajuar nga pjesa nacionaliste e Nënndërgjegjes sime

Ndaj dhe mezi pres që në turin e madh të takimeve të kryeministrit tim me emigrantët në Milano, Dyseldorf dhe Londër, të shtohet edhe një takim  në Toronto ose në Montreal.

U ngazëlleva kur pashë entusiazmin e emigrantëve të Athinës, që përzjehehej me entusiazmin e punonjësve të administratës shqiptare, që nuk duan të humbasin vendet e punës dhe privilegjet e ndonjë pisllëku që bëjnë ndërsa ushtrojnë detyrën.

Ja për të këtilla gjëra ke!mi nevojë ne qyqet e Mërgatës shqiptare kudo që jemi. Flamuj, folklor, thirrje patiotike si "O sa mir me ken' shqiptar", dhe më në fund gjunjëzimin e kryeministrit, Padishahut vetë, para popullit të tij. (Se ne nuk jemi koka e Zeusit- thoshte dikur idhulli i Edi Ramës.)

Nuk di se sa do jetë e mundur të realizohet kjo ëndërr (jo vetëm e imja , por e mijra qyqeve të Kanadasë), se është e vështirë të jepen viza për qindra e qindra socialistë shqiptarë që duan të shoqërojnë Ramën kudo që shkon. (Për shpenzimet nuk është ndonjë problem i madh se edhe sikur mos e përballojë dot buxheti i shtetit, diçka do japin Maneja me Kastratin.)

Në se do ketë gjasa që të bëhet, do shkoj menjëherë të ble një kostum të kuq, të më shkojë me këpuzët e zeza, një flamur pak më të madhe se një çarçaf dopio dhe një bikerinë me vezë për t'i pirë esëll mëngjesave të dy javëve para takimit.

Për të thirrur me sa kam në kokë:

"Yjaaaaaaaaaaa!!!"

Thursday, 16 May 2024

Rikthehen atentatet politike


Në këtë vit të krisur, me luftë në Ukrainë dhe Gaza, me gjyqe dhe fushatë elektorale në SHBA, me kërcënime armësh bërthamore, sikur këto mos ishin të mjafta, rikthehen edheatentatet politike ndaj një politikani në shkallët më të larta në pushtet. Një i moshuar sllovak mbi 70 vjeç, është përpjekur të vrasë kryeministrin Robert Fico. Për fat të mirë Fico e ka kaluar rrezikun e humbjes së jetës.

Ndjehet një atmosferë e tensionuar në Europë, që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Atentat ndaj një personaliteti të lartë nuk kishte ndodhur që prej vitit 2003, kur klani i Zemunitvrau kryeministrin sërb Zoran Xhinçiç. 

Partia e kryeministrit Fico, të cilin europianët e quajnë një politikan populist dhe pro Putin, akuzojnë për atentatin, shtypin sllovak liberal, që sipas tyre ka ngjallur urrejtje në pjesë të caktuara të popullsisë sllovake ndaj kryeministrit. Nuk është e pamundur të jetë edhe kjo, por si ndodh zakonisht në politikë, palët janë të predispozuara të gjejnë fajtorët në kundërshtarët edhe pse vetë mund të përdorin të njëjtën gjuhë të helmuar ndaj të tjerëve. Kështu bëjnë pjesa më e madhe e partive politike dhe në mënyrë të veçantë ato me prirje populiste.

Kur ndodhin ngjarje të tilla të rënda dhe për të cilat akuzohen mediat liberale, të shkon mendja që është mirë tek ne, ku Lali Eri dhe Rama kontrollojnë dhe përdorin në dobi të tyre 90% të mediave. Edhe pse mund të ketë deformime në informacion, të paktën shoqëria jonë e ka të garantuar jetën e udhëheqësve. Se kudo mund të gjenden pleq 70 e ca vjeçarë, që ushqehen nga mëngjesi deri në darkë me gazeta dhe lajme nga kanalet televizive dhe larg qoftë, ngrihen dhe i këutin ndonjë koqe plumbi kryeministrit apo kryetari të bashkisë.

Se nuk ka gjë më të keqe se vrasja e një lideri!

Nga pikpamja njerëzore, shoqërore dhe ekonomike. I kemi hequr këto trauma kur ndodhi atentati ndaj Heroit të demokracisë Azem Hajdari, kur funerali u kthye në grusht shteti dhe Berisha me të tijtët u "nisën të shpëtonin Shqipërinë", por nuk i la ta shpëtonin ambasadorja amerikane Lino. Dhe i ndjeri hero Azem nuk kishte qënë as ministër ndonjëherë. Mendo ç'katrahurë mund të sjellë (allahsëndëk) atentati ndaj një kryeministri.

Më e thjeshta pasojë është një javë zi kombëtare, ndërprerja e tërë veprimtarive kulturore dhe sportive, e vazhdimi më pas me vendosjen e shtatoreve në sheshin Skënderbe, në Veliera në Durrës dhe në Lungomaren e Vlorës. E të gjitha shpenzimet nga xhepat e taksapaguesve. Se për heroin e Demokracisë (që nuk ishte as ministër) dhe kemi një përmendore në Qëndër të Tiranës dhe një shtatore në Qytetin e Studentit.

Të rrënqethet trupi vetëm ta mendosh një ngjarje të tillë.

Po si e përmenda dhe më lart, demokracia shqiptare është e imunizuar nga të tilla mundësi, "kur të vjen nga se pandeh"se mediat janë të moderuara dhe njëkohësisht dashamirëse ndaj pushtetit. Ka zëra që kryeministri po përgatit një ligj për mediat që të jenë edhe më të moderuara edhe më dashamirëse dhe kjo do sjellë garanci për vazhdimësinë e pushtetit nën sloganin "Ymër Padishahut!"

Friday, 10 May 2024

A duhet të presim "mrekullitë" nga SPAK?


Si të gjithë mesdhetarët, ne shqiptarët jemi të paduruar, Ndoshta edhe më të paduruar se të tjerët (përjashto këtu grekët). Dikush mund të thotë se pas 34 vjetësh tranzicion kemi të drejtë të jemi të paduruar se gjërat kanë shkuar më keq dhe nuk duket se mund të përmirësohen.

E vërteta është se ka gjëra që kanë shkuar më keq, por edhe shumë gjëra janë përmirësuar në Shqipëri. Vërtet shkalla e korrupsionit është rritur dhe skandalet janë nga më të paimagjinueshmet, por ka edhe zyrtarë që janë duke u ndjekur penalisht për korrupsion, si dhe ndjehet një "atmosferë frike" për nëpunësit e lartë se mund të arrestohen nga SPAK.

SPAK është kryefjala e shumë debateve në media dhe opinionet janë nga më të ndryshmet: institucion efikas, institucion i kapur, institucion që punon me dy standarte, i kontrolluar nga amerikanët, i kontrolluar nga Rama dhe të tjera variante dhe nënvariante të ngjashme.

Por në thelb c'farë janë SPAK dhe Gjykata e Posaçme?

Janë institucione shqiptare , në të cilët punojnë juristë shqiptarë, të formuar në shkolla shqiptare. Detyrimisht nuk ka se si të jetë një "makinë perëndimore" që funksionon me përpikmëri. Për vetë formimin e tyre njerëzor dhe profesional, prokurorët e SPAK janë të ngjashëm me kolegët (si i quan Veliaj) e tyre në të gjitha fushat e jetës shqiptare. Kanë mangësitë e tyre profesionale dhe mangësitë në karakter, që mund të variojnë nga ashpërsia e panevojshme, në përdorimin e dy standarteve, në "elasticitetin" ndaj të fuqishmëve, në dëshirën për protagonizëm dhe deri në mendësitë primitive të hakmarrjes. Edhe presioni apo kontrolli që mund të bëjnë amerikanët nuk mund t'i kthejë ata në juristë të devotshëm apo juristë të klasit të parë.

Përgatitja e dosjeve penale për ato që quhen "krime të jakave të bardha" është një proces i vështirë edhe në vendet me shumë përvojë juridike, me juristë të klasit dhe me numur të madh punonjësish. Ndaj shpesh herë është objektive edhe mungesa e cilësisë në përgatitjen e dosjeve ndaj zyrtarëve shqiptarë, që ka sjellë dënimet minimale të tyre.

Nga SPAK nuk duhet të presim të ç'rrënjosë korrupsionin. Ai institucion nuk mund të sjellë "mrekullira" sepse e tillë është dëshira jonë edhe sikur të ishte i përbërë nga juristë anglo-saksonë. Në një vend me korrupsion të gjërë dhe të kudondodhur SPAK vetëm mund të vendosë disa "standarte frike" për ata të cilët i druhen burgut ose kanë turp të shkojnë atje. Pasi në shumë të rinj shqiptarë tani ka hyrë edhe psikologjia se "le të kem mundësi të bëj 3-4 milion euro, pa i bëj edhe dy vjet burg!"

Pra mrekullia e krijimit të një shteti me korrupsion të pakët dhe institucione të fuqishme do dy gjëra: Kohë dhe përpjekjen e gjithë shoqërisë për të luftuar korrupsionin nga rryshfeti më i vogël dhe deri në vjedhjet stërmëdha të taksapaguesve.

Sigurisht që këtë mrekulli nuk mund ta sjellë Rama. Ai ka meritën se ka ngritur në shkallën më të lartë korrupsionin shtetëror. Dalja e tij nga skena politike do ishte një mrekulli, por edhe kjo do kohë që të ndodhë.