Wednesday, 15 June 2011

Tregime te babajt.

Po ve disa tregime te pabotuara te babajt, te cilat i kam perpunuar se fundmi. Jam munduar qe ato c'kam shtuar te jene brenda logjikes se tij, asaj te kohes dhe mundesisht me nje gjuhe te perafert. Nuk eshte e lehte se jo vetem me mungon pervoja per kete lloj pune, por edhe se nuk e kam njohur ne thellesi babane. Ndonese me ytregonte shume dhe nuk me genjente kurre, ai mbante shume gjera te fshehura, duke dashur te me mbronte ne nje kohe te veshtire e shume te pasigurt. Me poshte eshte tregimi i pare qe kam mbaruar. Korrektimet letrare jane te Benit. Variantin e korrigjuar nga Riku nuk e kam hapur akoma. Po qe se kane ndryshime do e ve ne nje post tjeter.



            PIKTORET

            Kishte qëndruar me krahët e kryqëzuar para dritares së madhe të studios. Vështrimin e kishte hedhur tej qelqit, por në të vërtetë nuk shihte gjë. Ishte i topitur,pa ndonjë mendim a ndienj[, thuajse i zbrazët. Merrte frymë qetë dhe bashkë me ajrin thithte aromën e gëlqeres së freskët me të cilën kishte lyer studion dhe që disi mbulonte erën e zakonshme të bojrave dhe terpentinës. Ndoshta ajo erë po e mbante të mos e kaplonte përgjumja e të shtrihej në shezlongun e tij i përhumbur në ëndërrime, pa u ngutur për asgjë. I pëlqente të ëndërronte gjatë, në vetmi. Për të një punë e vërtetë duhet të ishte përfundimi i një meditimi të thellë e të pangutur.
            Mirëpo këtë rradhë nuk mund të mos ngutej. Për dy muaj hapej ekspozita e 1 Majit dhe kishte premtuar që do merrte pjesë, e për më tepër, me një kompozim rreth jetës të punëtor[ve. Ishte një ide që ja kishin sugjeruar shokët e tij dhe që muaj më parë sikur e kishte tërhequr edhe atë vetë. Ata kishin këmbëngulur që nuk duhej të mbetej vetëm me peizazhet, ndonëse ai përsëriste që edhe peisazhet ishin art i vërtetë . Dhe tek ato ai vertet ndjehej mire kur punonte ne natyre, i shkëputur nga gjithshka, por edhe kur ju rikthehej ne studio dhe luante me njollat, te cilat mbase nuk i kishte pare, por i ishin krijuar n[ m[nyr[ t[ mistershme në ndonjë kënd te nënndërgjegjes. Jo t[ nj[jt[n gjë ndjente kur punonte portrete apo natyra të qeta. Megjithate, kur shihte se si të gjithë kishin filluar të merreshin me kompozime, edhe peneli i tij sikur miklohej nga dëshira për të bërë gjëra të mëdha. Ndaj dhe kishte guxuar të premtonte. Vetëm se koha kishte fluturuar pa bërë gjë dhe, tani që i kishin dhënë studion, ndjente një detyrim më të madh. Mund të punonte lirshëm dhe i përqëndruar, i papenguar nga ngushtësia dhe rrëmuja e mjedisit familiar të apartamentit të tij të vogël. Mirëpo asgjë....Ndonëse kishte shfletuar, përfytyruar, menduar...nuk kishte krijuar asgjë. Ky mendim sikur e shpoi dhe i lëndoi vetëdijën e përgjegjësisë. Koha po ikte dhe ai nuk po stiste dot asgjë të tijën, jashtë të rëndomtës, të gjallë e kuptimplotë, në harmoni me forcën e tij të shprehjes.
            Kishte medituar gjatë. Pas qelqit të veshur të asaj dritareje. Jashtë ishte e njëjta kodë e gjebëruarr, më tej një rrip fushe dhe tutje një kantier ndërtimi. I kishte parë e stërparë dhe tashmë as meditim nuk i nxitnin, sikur të mos ishin më aty. Pse nuk ishte në gjendje të ndillte asnjë ide rreth kompozimit? E mbanin të lidhur peizazhet dhe penelatat e plota që hidhte lirshëm në to? Apo e kishte vështirë të pikturonte duart, lëvizjet e njerëzve? Ndoshta nuk mund të ishte e lehtë të pikturoje njerëz duke punuar dhe t'ju fshihje duart si kishte bërë jo rrallë Goja në tablotë e tij të mëdha....Megjithatë, ai e njihte mirë anatominë dhe lëvizjen e gjymtyrëve dhe ende kishte në studio dhjetra e dhjetra etyde me duar, këmbë e gishtërinj në pozicione nga më të ndryshmet.
            Pamja e mbërthyer në qelqin e dritares dukej si e dremitur, e mbuluar nga një cergë e pamatë dhe e hirtë. I plumbtë ishte edhe qielli. Dimri atë vit kishte qënë gjithë rreshje dhe ndonëse dëbora kishte shkrirë gjelbërimi dukej i mbushur me pellgje uji. Në planin e fundit, plepat e zhveshur e të mjegulluar shëmbëllenin me fjolla tymi që dilnin nga thellësitë e tokës dhe ngjiteshin qiellit. Dukej që edhe shumë ditë të tjera do shihte të njëjtat ngjyra dhe do kishte të njëjtën monotoni në kokë. Asnjë shkëndijë pune rreth telajos, paletës me pak ngjyra dhe peneleve që prisnin me kokë lart në vazon prej porcelani të bardhë.
            Nga poshtë, ku ishte studioja e mikut të tij skulptor, vinin goditjet e skalpelit mbi gur. Tak-tak-taktak...dhe përsëri tak-tak, me ritmin e një pune që dukej se ecte mirë. Pas pak trokitja u dëgjua më pranë. Ishte në derën që u hap dhe pas të cilës u duk një djalosh fytyrëlëmuar, me sy të rrumbullt e të mëdhenj, vetulla të trasha e flokë të ndara anash dhe që i binin pakëz djathtas.
            - Eja, Jetnor - foli ai dhe u çapit drejt tjetrit, mbi këmbët e tij të gjata.
            - Kam qënë i zënë profesor dhe nuk kam ardhur dot më parë, ndonëse e ndieja shumë të nevojshme t'ju shihja.
            - S'ka gjë. Faleminderit edhe që erdhe tani.
            - U ktheva pak edhe te profesor Gjergji. M'u duk që kishte ecur shumë me punën. Po ju filluat? - dhe hodhi sytë mbi kavaletin pa telajo.
            -Jo, ende - u përgjigj ai me plogështi dhe u rikthye në shezlong, sikur të ishte i rraskapitur - Ulu Jetnor - dhe i tregoi djaloshit nje fron të rrumbullakët. Ai u ul duke vështruar profesorin, që heshtte, ndërsa dy rrudha sikur i ishin thelluar mbi ballë. Jetnori hezitoi të vazhdonte me pyetjet, sikur e ndiente që mund ta lëndonte.
            - Ke kohë këto ditë të shkojmë në fonderinë ku punon një shoku im? Kemi qënë bashkë ne kurset e pikturës në Pallat, por më vonë ai nuk pati mundësi të studionte. Dua të të tregoj edhe disa skica me ngjyra që kam bërë për një kompozim me metalurgë. Nuk jam i sigurt për raportet mes figurave.
            Tjetri e vështroi disi vëngër me sytë e tij të gjelbër në trajtë bajameje. Kishte një pikëpyetje të thellë në ato sy të lodhur. Vërtet i kërkonte ndihmë djaloshi apo donte të ndihte atë vetë.
            - Ndoshta edhe ti mund të më ndihmosh... - nxori prej buzëve, të cilat i hapeshin pak kur fliste dhe që e kollitura nuk i lejoi të formonin buzëqeshje.
            Jetnori u përgjegj rrëmbimthi:
            -Oh mund të shohim shumë gjëra bashkë, bile edhe me Besimin. Ai e njeh mirë pikturën e sotme. Edhe fonderia do të të çuditë me kontrastet e ngjyrave që krijon gjatë derdhjeve. Ca hije të magjishme dhe një shkëlqim diellor të pastër.
            -Po po ... - mërmëriti me mosbesim profesori dhe hodhi prapa me dorën e djathtë perçen e gjatë të flokëve plot fije bardhoshe duke par[ sërish ngultas tjetrin. Dukej sikur me vete thoshte, "Të kuptoj se ku çuket, o zogth. Tu rritën krahët hë? Kërkon tani të mësosh atë që të ka hapur sytë? "
            Në studio hyri një burrë shpatullgjërë, me pamjen e dikujt që dikur kishte qënë sportist i afirmuar, me beretë në kokë e llullë në gojë.
            - Mirë se ju gjej-lëshoi me një zë të plotë dhe shaloi një karrige, duke e afruar pranë dy piktorëve. - Unë nuk lodhem të ngjitem deri këtu, e ti kalon para derës e nuk kthehesh.
            - Ti je më i ri e të bie të vish më shpesh - qeshi tjetri.
            - Po, nja tre vjet më i vogël e flokët nuk i kam të bartdha se i ngjyej. Për të hyrë tek unë mjafton të kapërcesh pragun se edhe derën rrallë e mbyll dhe kjo nuk pengon asnjë moshë - shpotiti Gjergji me fjalë të radhitura si varg rruazash. Pastaj thithi llullën, nxorri nje shtëllungë tymi nga goja dhe heshti. Të tre shihnin diku nëpër punët e varura në mure, pa ditur ç'të thoshin. Si për ta rifilluar bisedën e lënë piktori i vjetër tha:
            - Jam druajtur mos të të ndërprisja vrullin që kishe gjatë skalitjeve.
            - A kot ke pasur merak, se koka ka ecur mirë dhe s'ka njeri të më ulë ritmin tani - shpejtoi të shtonte tjetri, si të kishte kuptuar ngacmimin.
            - Edhe këtë e di. Gjithmonë kam pasur besim tek ti.
            - Besimi tek të tjerët është i mirë, por më shumë vlen besimi te vetja, - dhe duke u kthyer nga piktori i ri e pyeti duke i kërkuar mbështetje. - Si thua ti Jetnor?
            Djaloshi pohoi me kokë, pastaj heshtja u përsërit.
            - T'i themi ca gjëra më praktikisht? - u hodh përsëri Gjergji, që nuk duronte dot pauzat e gjata mes bisedave.
            - Rreth praktikës të besimit në vetja apo te të tjerët? - e ndërpreu tjetri, sikur të mos i pëlqente se ku rrihte çekani i skulptorit.
            -Mua më falni, - nxitoi të ngrihej djaloshi. - Më duhet të shkoj.
            -Mirupafshim, Jetnor! - përshëndeti skulptori - Mos rri pa u kthyer, se koka ka akoma punë dhe duhet edhe një sy tjetër ta shohë...Eshtë flori djalë, - i tha shokut kur dera ishte mbyllur pas piktorit të ri.
            -E njoh më mirë se ti, se e kisha student katër vjet... - shqiptoi rradhazi fjalët piktori, pa e vështruar në sy kolegun - ...i mirë është,por...
            - Ku e ke fjalën?
            Me një qetësi që dukej se fshihte një shqetësim të thellë piktori vazhdoi:
            - E kam thënë edhe më parë... - mori frymë me gjithë mushkëritë dhe u kollit - ...nuk shpëtojnë dot nga sëmundja e moshës, ju pëlqen mendja dhe duan të fluturojnë pa ju hapur krahët mirë.
            Skulptori shkundi llullën që i ishte shuar dhe filloi ta mbushë me një duhan të verdhë dyllë, që e nxirrte nga një qese e lëkurtë.
            - Mos e bëj kaq, - tha.
            - Pse? Nuk e kanë të rritur mendjen? Nuk hiqen se i dinë të gjitha?
            - Mos i fut të gjithë në një thes. Pastaj, në këtë zanatin tonë, dalta dhe peneli ta ulin hundën shpejt. Jetnori nuk më duket i tillë.
            Piktori nuk ja vuri veshin dhe vazhdoi:
            - I ke parë peizazhet e disave? Jo vetëm çalojnë nga koloriti dhe atmosfera, por edhe kanë gabime elementare në perspektivë. Të njëjtat kusure në portretet. Duan edhe të hidhen drejt e në kompozime.
            - Mbase po përgjithëson të veçantën, të pjesshmen, të përkohshmen... Jetnori hyn në të rinjtë me shumë talent. Kompozimi që ka në dorë është vërtet i mirë.
            - E ke parë?
            - Skicat dhe bocetin.
            - E ke zakon të entusiazmohesh shpejt - vërejti me bindje piktori.
            - Ah këtu i ke rënë në të. Gjërat e bukura vërtet më entusiazmojnë - ia ktheu me një fije ironie tjetri.
            - Tjetër është boceti, që jo rrallë mund të dështojë në përmasa të mëdha.
            - Ke për të parë. Edhe ty do të të pëlqejë.
            Piktori i vjetër heshti për pak, pastaj, sikur po fliste me vehte, belbëzoi:
            - Ashtu qoftë, por nxitimet dhe dëshira për tu dukur nuk më pëlqejnë. Vitet janë gjykatësit e artit... E di ç'më tha pa ardhur ti?
            - Hë, - mezi priti të dëgjonte Gjergji.
            - Eja të të mësoj si të kompozosh, - tha me nxitim dhe fytyra e gjatë sikur ju zbeh më shumë.
            - Pikërisht këto fjalë të tha?
            - Në mos tamam, diçka që e nënkuptonte.
            - Si?
            - Hajde të të tregoj një fonderi ku mund të frymëzohesh.
            Tjetri e kuptoi turbullimin e piktorit dhe do donte t'ia shpërndante. E dinte që ishte shumë i ndjeshëm dhe siç besonte në shumë gj[ra, po aq i pasigurt ishte para të panjohurave.
            -Do të të flas troç?..Nuk duhet t'ia marrësh për keq fjalët. Ai të ka bërë një propozim për të gjetur një subjekt për kompozimin që ke premtuar të bësh.
            - Ashtu?!
            - Bablok... t[ ta them hapur? Je mbyllur shumë në vetvehte dhe nuk po takon më njerëz që s'janë si ti e unë. Edhe kur ke qënë me lejen krijuese, vetëm në studio je mbyllur ose je ngjitur maleve.
            - Jetën e natyrën prej vitesh i njoh mirë.
            - Natyrën mbase por jetën dhe njerëzit jo.
            Piktori mbeti si i ngjitur pas shezlongut, duke mos pasur forcë të kundërshtonte. Mendja sikur ju ndrydh, ndërsa sytë ju gozhduan në një njollë të njërit nga peizazhet e mbështetur pas murit. Skulptori po e shihte me kujdes dhe dhëmshuri atë njeri të talentuar, por rob të koncepteve të mbetura pas, që i përkisnin më tepër një kohe të zvargur dhe një jete të cungët.
            - E ç'duhet të bëj? -  belbëzoi piktori. 
- Ç’të bësh? Lere shezlongun se të është ngjitur pas trupit dhe shko ku ka zhurrma e   dritë, njerëz e ngjyra. Mbushe gjoksin me to dhe leri të të shpien vetë diku.
- Në këtë moshë?
- Nuk është vonë asnjëherë. Mbase edhe për ekspozitën mund të bësh diçka, edhe pse vetëm dy muaj mbetën. Shko me Jetnorin, - tha skulptori dhe mori për nga dera duke e lënë të mpirë kolegun.




2

Në kavalet ishte një tablo e pambaruar dhe, në një dërrasë ngjitur, ishte mbërthyer boceti. Piktori i vjetër kishte filluar të hidhte penelatat e trasha atë mëngjes. Në një stol rrinte me llullë në gojë skulptori, i cili ndiqte me kujdes punën e mikut të tij, duke i hedhur herë herë sytë nga boceti. I kishte pëlqyer kur e kishte parë dhe mezi priste ta shihte të realizuar në tablo. E tërhiqte kontrasti mes dritës së gojës së furrës dhe sfondit në vjollcë të errët të mjedisit. Edhe dy figurat e derdhësve, të ndriçuara nga poshtë nga drita që ngrihej prej kovës me metal të shkrirë që ata mbanin, binin në sy pa qënë tepër pompoze. I riu q[ paraqitej me fytyrë, kishte një trup muskuloz dhe tipare të forta, sidomos nofullat. Sytë i kishte të mbuluara me syze shkrirësi. Tjetri dukej në një gjysëm profil nga prapa dhe linja e lakuar e trupit kundërshtonte vertikalitetin e qëndrueshëm të furrës. Dukej sikur ashpërsia e furres dhe veshtirësitë e punës mposhteshin nga guximi dhe optimizmi i njerëzve. Piktori i vjetër vazhdonte të punonte i përqëndruar te tabloja dhe, ndonëse lëvizjet i dukeshin të ngathëta, i kishte të përpunuara mirë në mendje dhe çdo njollë që hidhte mbi telajo ishte e saktë. Here herë terhiqej dy- tre hapa dhe e kundronte tabllonë me sy gjysëm të mbyllur. Gjatë njërit prej tyre Gjergji u largua nga studioja pa dashur të ndërpriste fillin e mendimeve dhe penelatave të shokut.
Piktori i vjetër i mbylli për një çast më shumë sytë dhe filloi të kujtonte gjthshka ndodhi javën e fundit, njohjen me Besimin, vizitën në fonderi, stërkalat e zjarrta që dilnin nga furra e shkrirjes, fytyrat e derdhësve të ndotura nga pluhuri i formave. E kishte skicuar disa herë Besimin duke ndenjur në bisht dhe punuar mbi format, shkrirësit që shtynin metalin e l[ngsh[m brenda furrës edhe një vajzë simpatike që kontrollonte prodhimin. Më pas në studion e tij kishin bërë disa etyde me Jetnorin duke diskutuar nëse në qendër të kompozimit duhet të ishte furra e shkrirjes apo punëtorët. Ai mendonte që sa më tepër të theksohej furra, aq më shumë do t[ dilte në pah vendosmëria e njeriut për ta kontrolluar zjarrin e për ta përdorur, gati njëlloj si në mitin e Prometeut. Jetnori, nga ana e tij, kerkonte qe formuesit dhe derdhësit të ndriçoheshin nga drita e metalit që derdhej në formë, e që ndriçonte sytë e tyre plot optimizëm, krejt ndryshe nga "Patatengrënësit" e Van Gogut. Piktori kishte vendosur për idenë e kontrastit të ngjyrave dhe linjave duke nxjerr[ në plan të parë nëj nga portretet të djersirë e të ndohtur, për t'i dhënë më shume dinamizëm tablosë. Edhe Jetnorit i kishte pëlqyer boceti. Bile kishte dashur edhe të ndërhynte në të me ndonjë penelatë dhe profesori nuk ja kishte prishur. Prej atyre ditëve, piktori i vjetër nuk kishte më dyzime dhe vazhdonte të punonte për orë të tëra pa u ngutur, i vendosur, duke mos e vrar[ mendjen nëse sigurinë ja kishte sjellë fonderia, zgjidhja e kompozimit, bashkëpunimi me ish-studentin apo te gjitha nga pak sëbashku. Do dëshëronte t'ja tregonte tablonë e përfunduar Besimit dhe ndonjë tjetri nga fonderia dhe të shihte si do t’iu dukej në ngjyra beteja e tyre me metalin e shkrirë.
Në studio derdhej drita e bukur e asaj pasditeje prilli. Piktori ktheu kokën nga dritarja dhe lëshoi menjëherë mbi tryezë mjetet që kishte në duar, hodhi flokët prapa me një lëvizje të kokës dhe foli me zë të lartë:
- Uaaa...ç'ngjyra!Ajo nuancë e pazakontë e të kuqes mbi kantier mund të shkojë mirë diku pranë furrës - dhe vazhdoi të sodiste i përqëndruar panoramën që shpalosej para syve të tij. Një qiell i nderur si cohë mëndafshi e kaltër dhe, aty këtu, të shpërndara, disa pllaska të bardha të bardha leshi rudë e kokorridh, si ornamente të vendosura me dorë. Mbi malet e largëta qielli si për çudi valëvitej si një pëlhurë ngjyrë të gjelbër të çelur. I hoqi sytë vetëm kur dëgjoi disa çapa të lehtë brenda studios.
- Paske ardhur Jetnor? - i tha dhe filloi te hetonte fytyrën e zbardhur të djaloshit. Piktori i ri u mbështet pas murit, pastaj e lëshoi vehten mbi stolin ku ishte ulur pak më parë Gjergji. Buzët i dridheshin dhe dukej që nga çasti në cast mund të dëneste.
- Ka ndodhur një aksident në fonderinë e Besimit...ai dhe dy të tjerë janë keq në spital...
- Si? -  ju zu fjala në grykë piktorit të vjetër.
- ...është keq...nga spitali po vij, - shtoi Jetnori dhe u mbush me frymë për të rifilluar tregimin e dhimshëm - ...në derdhjen e fundit të turnit të tretë, giza e shkrirë vërshoi nga gryka e furrës dhe të treve ju morën rrobat zjarr...nuk arritën t'ua u shuanin në kohë...ambulanca po vononte dhe i nisën në spital mbi karrocerinë e një kamioni...kishin hipur vetë dhe qëndronin më këmbë me mishin e hapur që ende ju digjej... - tha dhe lëshoi një ofshamë.
Piktori i vjetër u trondit nga përshkrimi i ish-studentit dhe i mbetën në mendje derdhësit që digjeshin mbi karrocerinë me skorie duke shkuar me urgjencë drejt spitalit, dielli që porsa dilte mbi qytet dhe buria e pandërprerë e kamionit. Nuk mundej të fliste ndonëse e dinte që heshtja nuk e ndihmonte mikun e tij të ri.
- ...ndoshta arrijnë t'i shpëtojnë, ose i nxjerrin jashtë shtetit. Në këto raste të gjithë vihen në lëvizje, - arriti të nxjerrë nga buzët dhe ndjeu shpresën edhe brenda qenies së tij.
Djaloshi kishte mbuluar fytyrën me duart që kishin akoma shenjat e ngjyrave të vajit. Supet ju tundën nga një dënesë, që po mundohej ta përmbante.
- ...në qershor do hynte të konkuronte për në Institut. Sa mbaroi Liceun e mbrëmjes...
Tjetri nuk dinte ç'të thoshte, vetëm i hodhi dorën kraheve dhe dridhjet e djaloshit i përshkruan trupin.





3


Posa kishin dalë nga studioja anëtarët e komisionit të ekspozitës. Piktori i vjetër, i shtrirë në shezlong, po e vështronte i përhumbur tablonë. Sikur ëndërronte për diçka më të gjetur a ndoshta ishte i pushtuar nga një ndjenjë e thellë kënaqësie. Sikur diçka më larg, diçka imcake e të pakapshme. Në veshë i ritingëllonin fjalë dhe i përngjizeshin mendime. I kishin folur mirë për kompozimin dhe kishin thënë se do pëlqehej edhe nga të tjerët. Dikush kishte shtuar se duhej të merej kryesisht me kompozim tani. Ai vetë, ndonëse entusiast gjatë ditëve të fundit, ju kishte thënë që nuk ishte ende e mbyllur dhe mbase duhej të ekspozohej si një bocet i zhvilluar.
- Ti gjithnjë dymbëdhjetë e ke orën, - foli piktori
- Je i gabuar bablok, - ia kthu tjetri. - Orën e kam të mirë. Kurrë s'më mbetet, - dhe kur pa që piktorit ju qesh, vazhdoi i ngazëlluar, - E fshive paletën?
- Jo, do akoma punë - dhe e vështroi ngultas në sy.
- Punë? Lere se e ke pikë e do e prishësh. E di që nesër është afati i fundit për dorëzim?
- E di, - u përgjigj piktori dhe filloi të kollitej.
- Atëhere veri firmën dhe shko t'i bësh kornizën. Unë po shkoj të shpie kokën.
Piktori mbeti sërish vetëm dhe ju rikthye tablosë. Filloi të prekte një nga portretet, pastaj ndërroi mendjen dhe e hodhi penelin mbi tryezë. Ecte ngadalë, me hapat e tij të mëdhenj e me krahët e kryqëzuar mbi prazëm, si bënte zakonisht kur e mundonte diçka. Flokët i kishin shkarë mbi ballë, por nuk po i largonte, megjithëse e pengonin të shihte mirë. Kolla sikur i shkuli nga një qoshe ku ishin fshehur kujtimet e disa vjetëve më parë. Kishte qënë mësues vizatimi në Liceun Artistik dhe më vonë, nd[r të parët pedagogë të Institutit të sapokrijuar të Arteve. Jetnori kishte qënë një nga të diplomuarit e parë. Mbrojtjen e kishte bërë me një kompozim të përmasave të mëdha, disi i guximshëm për moshën e tij, por i realizuar mirë. Gjatë dy viteve të tjera kishte punuar me nerv dhe pa u përmbajtur. Kishte ekspozuar shumë punë. Dukej që premtonte shumë, por ai do deshte ta frenonte, ta detyronte të studionte më shumë natyrën dhe lëvizjet e njerëzve e të meditonte më tepër rreth ngjyrave e shperndarjes së tyre mbi telajo. Nuk ja kishte arritur. Tani shihte tablonë e tij dhe ndjente edhe diçka tjetër. I erdhi jehona e fjalëve të Gjergjit: "Veri firmën dhe shko t'i bësh kornizën".  Zgjati dorën drejt vazos së penelave. E ngjeu në një okër të errët dhe shkroi me gërma të mëdha dy mbiemra, në këndin e majtë, në fund të tablosë.

* * *

Në sallën e gjatë po vendoseshin veprat e fundit. Jetnori kishte hezituar të hynte, por kurreshtja për të parë punët e të tjerëve, si dhe ato të hequra nga komisioni kishte qënë më e fortë. Ishte e para herë që nuk kishte një punën e tij në një ekspozitë kombëtare. Do kishte dashur ta kishte kapërcyer më shpejt tronditjen e pësuar nga aksidenti i Besimit, por tani ishte vonë. Për të, e sidomos për shokun e humbur. Ai nuk do shihte me kurre vepra arti.
Kaloi disi shpejt para tre-katër portretesh saldatorësh me maska të ngritura, tekstilistesh me bobina filli ne duar dhe, në fund të sallës, dalloi sytë e tij dhe u rrënqeth. Kishte disa ditë që ai i shfaqej jo vetëm në ëndërr, ndonëse edhe në gjumë e dinte që ai nuk ishte më. Këtë rradhë nuk ishte vegimi i Besimit, por fytyra e tij në një tablo, të ndriçuar mirë. Nxitoi të afrohej dhe dalloi tonet e vjollcës së famshme të profesorit. E kuptoi që ai e kishte ndryshuar figurën qendrore që kishte parë në bocet. Derdhësi i gjatë dhe plot muskuj tani kishte fytyrën imcake të Besimit dhe krahëve e pjesës së sipërme të këmbëve të tij të gjata i rrezatontë një ngjyrë portokalli e ndezur, si zjarri që digjte gjymtyrët e tij, mbi kamionin me të cilin e shpinin në spital. Sytë i lotuan dhe me zor dalloi dy mbiemrat e shkruar me okër, në qoshen e kompozimit. Një drithërimë e pazakontë i përshkoi trupin dhe atë çast i shkuan në mendje profesori, skulptor Gjergji, studiot me dritë të pakët të institutit dhe nj[ vizatimi fazani nga Besimi. në fëmijëri Do dëshëronte ta hiqte atë tablo nga muri e ta mbante përgjithmonë në studion e tij, në kujtim të shokëve të tij piktorë.

No comments:

Post a Comment