Wednesday, 15 June 2011

Miti i Kadarese

Nuk do shkruaja kaq shpejt për Mitin e Kadaresë, po mos kisha lexuar sot letrën e lamtumirës së Mitrush Kutelit drejtuar të shoqes.
Mu rifreskua edhe njëherë ajo cka kam menduar vitin e fundit(ndoshta pa të drejtë), që Kadareja ishte pjestar i komplotit për heshtjen ndaj Paskos. Pikërisht për të varrosur veprën e prozatorit më të madh shqiptar.
Mitrush Kuteli vdiq në vitin 1967, në kohën kur po ngjizej diku në zyra ose ne mendje njerëzish të fuqishëm Miti i Kadaresë. Rreth dritë hijeve në krijimtarinë dhe sidomos jetën letrare dhe private të shkrimtarit tonë të madh është shkruar dhe abuzuar shumë nga të dy krahët. Ka që e ngrenë në  qiell dhe të tjerë që duan të hiqet zvarrë në zgavellat e ferrit. Ndonëse kam qenë qysh në fëmini nga ata që quhen "fansa" të Kadaresë, ato çka kam ditur në atë kohë rreth tij dhe veprës dhe ato çka kam mësuar më vonë, kanë bërë të vij në përfundimin që si shumë mite të tjera të krijuara në kohën e Partisë, u krijua dhe u fry edhe figura e poetit(më vonë shkrimtarit) më të madh të periudhës së Partisë-Ismail Kadaresë. Kjo përkoi më vonë edhe me jehonën(e merituar) që pati vepra e tij në Francë.
Po përse i duhej diktaturës(sidomos Hoxhës) miti i një shkrimtari, i cili mund të eklipsonte edhe vetë mitin e Udhëheqësit?Për më tepër përse duhej të zgjidhej Kadareja dhe jo Shuteriqi, Agolli, Markoja, Musaraj, Arapi apo dikush tjetër?(Këtu përjashtohen Lasgushi, Paskoja, Malëshova,Trebeshina e të tjerë talente që përfunduan burgjeve.)Në fund të fundit, shkrimtari zyrtar i BS në fillimet kishte qënë Gorki, që kishte edhe kontribut në fillimet bolshevike. Kadareja ishte një i ri i talentuar i cili kishte dhënë shenja mosbindjeje ndaj dogmatizmit të Partisë dhe prirje ndaj letërsisë moderne të fillimit të shek. të XX. Ai mund të krahasohej me Jevtushenkon, por Partia jonë i ngjiste asaj të Stalinit të viteve '30 dhe jo të Hrushovit te fillimit të viteve '60.
Talenti, sigurisht talenti kishte të bënte me përzgjedhjen. Kadareja ishte padyshim poeti më i talentuar që pas vdekjes së Migjenit. Ai kishte dëshmuar se mund të shkruante me sukses edhe në proze, pasi disa vjet më parë kishte botuar Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur. Me mënyrën e të shkruarit të Kadaresë, propaganda mund të kishte shumë më tepër sukses se sa nga veprat e 50 e më shumë poetëve të tjerë mesatarë dhe të mirë por frikamanë. Këtë sigurisht e kishte nuhatur sho Enver, që ishte njohës i mirë i letërsisë bashkë me sho Ramiz e të tjerë aparatçikë me shije për kulturën e artin. Poema e tij "Perse mendohen këto male" e shkruar më 1964 dhe e nderuar me çmimin e republikës, ishte një lloj manifesti i Socializmit Nacionalist te Hoxhës pas prishjes me sovjetikët. E shkruar bukur, me frymëzim, ajo recitohej në të gjithë mbrëmjet shkollore  dhe rinore të kohës dhe i bënte krenarë të rinjtë, që jetonin në një vend si Shqipëria dhe nën udhëheqjen e ndritur të Partisë. Po njëlloj kishte ndodhur me parë me "Endërr Industriale" dhe më vonë me "Viti '60" apo "Shqiponjat fluturojnë lart".Tek to nuk ishte ajo që Kadareja sot quan "pagimi i taksës ndaj diktaturës për të mbijetuar, por një frymëzim(që ai mbase e kontrollonte)dhe që mbushte me pathos pionierë e të rinj.(Sot e kujtoj me turp kur klithja në Shtëpinë e Pionierit "Po dëgjo o kapital i dhjamur/se edhe ne i kemi shënjuar qytetet tuaja/plot xhaz, rremujë e reklama- Endërr industriale Isha 13 vjeç.)
Ka patur edhe një arsye tjetër, që Ismaili u konsiderua si më i përshtashmi për të qënë poeti zyrtar i kohës. Dihej që ai ishte në gjendje të bënte kompromise e të merte kthesa të zgjuara kur ja donte puna, shto këtu edhe etjen e tij të pakufishme për lavdi e para, që e bënte më lehtë të manipulueshëm se të tjerë bashkëkohës, të cilët mund të ishin më komunistë në botkuptim(Agolli apo Arapi). Ismaili dinte të kuptonte sinjalet që vinin nga Zeusi dhe të dërgonte sinjale në Olimp, më mirë se kushdo tjetër pa qënë as bashkëpunëtor i Sigurimit dhe as funksionar i lartë partiak.(Ishte pikërish një moskuptim i sinjaleve, që për pak e çoi në burg, pas botimit të vjershës "Pashallarët e Kuq" më 1975).Ishte pra më kameleoni dhe njëkohësisht mund të paraqitej edhe si parerendës i një letërsie moderne të epokës së Partisë(ose revizioniste po të shprehemi me termat e kohës.)
Për mua, ka edhe një arsye tjetër, që ka të bëjë me mënyrën e tij të të shkruarit dhe që ndoshta është një nga arsyet kryesore që e mban larg Nobelit. Ka shumë dashakeqësi dhe pak shenja pozitive dhe njerëzore në shkrimet e Ismailit. Ka një lloj ngjashmërie me mënyrën denigruese dhe dërmuese që përdorte Dulla ndaj armiqve të brendshëm e të jashtëm dhe jo vetëm që pëlqehej nga pasuesit e tij po e kënaqte edhe popullin. Një letërsi e tillë agresive, e nxiste frymën luftarake të miletit, gjë që i nevojitej regjimit. Vrojtimet dhe gërmimet e tij shpirtërore janë kryesisht, në pjesët e errta të personazheve, që besoj se e kanë burimin në sasinë e madhe të skutave të errta të vetë mendjes së Kadaresë. Unë nuk i njoh veprat e shumë prej nobelistëve të 60 vjetëve të fundit, por mund të përmend se ka shumë humanizëm tek Kamy, Heminguej, Garcia Markez, Oktavio Paz, Sartri bile deri tek Orhan Pamuk. I ngjashëm me ta është humanizmi i Kutelit dhe bukuria e fjalës së tij.
Po përmend vetëm një frazë të Kadaresë në "Ftesë në Studio", që më ka lënë pa mend kur e kam lexuar më '88 ose '89 kur është botuar. Lidhej me poetin e vdekur Bilal Xhaferri, i cili rreth fillimit të viteve '70 ose pak më parë e kishte kritikuar shkrimtarin"...dhe i nxituar si gjithmonë, shkon e vdes parakohe në egzil".
Ndoshta është në natyrën e ballkanasve të kënaqen nga fatkeqësitë e të tjerëve sidomos të armiqve, por të tilla standarte janë të palejushme për gjenijtë. Si kjo ka edhe dhjetra të tjera, nga goja e personazheve ose nga e autorit, në letërsi të mirëfilltë e në deklarata të tij.
Por le t'i rikthehemi pyetjes së parë, përse i duhej Komandantit miti i një shkrimtari, që mund të rivalizonte me mitin e tij?Përgjigja, për mua është në fjalën e sho Enver në dhjetor të vitit 1974:"Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmësit e Partisë".
S'ishte mbushur as një vit, që kur sigurimsat dhe anëtarët injorantë të organizatave bazë ishin lëshuar mbi shkrimtarët e artistët dhe një frikë nderej mbi të gjithë, përfshi këtu edhe Kadarenë, të cilit po i përgatiteshin kartrat për ta plasur brenda. Mbrojtësi i tij Ramiz Alia, sa kishte shpëtuar vetë nga një burgim i mundshëm dhe i duhej të shfaqej më katolik se papa për të ruajtur vehten e familjen. rrezikun e teprimit e ndjeu Dulla që s'kishte lënë kusur ndaj Todit, Fadilit dhe shumë njerëzve të artit, të cilët tashmë kishin zënë Spacin ose fushat e Torovicës dhe Myzeqesë. Në atë fjalim, sho Enver ju spjegoi "gjymave ekstremistë", që shkrimtarët e artistët duhen për propagandë dhe shumë nga këta të fundit morën frymë lirisht edhe për disa vjet.
Në vitet '60-'70, Komandanti ndjehej i plotfuqishëm dhe ndonëse mund të ishte paranoiak ndaj ushtarakëve ose të tjerë njerëz me pushtet që kishte rrotull, nuk rrezikohej nga Miti i një shkrimtari, qoftë edhe i një kalibri të lartë dhe që po fitonte famë edhe në botë. E dinte që një fjalë e tij në një plenium e bënte Kadarenë të merte gjithë kthesat e nevojshme dhe po mos e bënte atë, mjaftonte një lëvizje e dorës që të zellshmit ta "prishnin". Ai i bënte më shumë punë edhe për sofistikimin e Mitit të tij, pasi figura e Dullës në veprat e Kadaresë arrin lartësi të papara dhe të pakrahasueshme me veprat e të tjerëve(Dimri i madh, Viti '60, Shqiponjat fluturojnë lart, Skënderbeu, Pashallarët e Kuq etj.)Tek poeti i dytë zyrtar i kohes, Dritëroi, frymëzimi shkonte deri në një ilustrim bajat i Historisë së Partisë, sic ishte rasti i poemës "Nënë Shqipëri".Arsyeja e tretë ishte, që me Mitin e shkrimtarit të rritur e edukuar në epokën e Partisë, liheshin në hije plotësisht shkrimtarët dhe poetët e të kaluarës, pra mund të thuhej gojëplot që Letërsia shqiptare filloi pas luftës nac-clirimtare dhe tamam, tamam me Kadarenë. Kjo gjë i vinte pas hesapit edhe egocentristit ismail, të cilit nuk i mjaftonte hija që ju bënte të tjerëve me talentin e tij, por do dëshëronte që mos kishte rrotull të krahasueshëm. për mendimin tim, ka dy kolosë të letrave shqip që mund të krahasohen me Kadarenë. Migjeni dhe Mitrush Kuteli. Me të parin, Kadareja tregohet i drejtë, se nuk i intereson më të qenit poet. Poezia pak shkon në tregun ndërkombëtar dhe poezia e tij është 90% propagandë e figurshme dhe e shkruar bukur. Në të kundërt, ai nuk është ndjerë për Mitrushin as në kohën kur i gjori Pasko rronte dhe sa di unë(për këtë nuk jam plotësisht i sigurt)edhe pas viteve '90.
Po i bie shkurt se sikur u lodha.Kadareja verte i ka dhene shume brezit tim dhe mua personalisht, por edhe na ka dëmtuar shumë ne trushpëlarje. Megjithate, ajo qe doja ishte ta ulja pak ne toke ate dhe vepren e tij, se nuk eshte krejt ashtu si eshte trumbetuar e trumbetohet.Ne fund të fundit, deri ne mesin e viteve '80, unë shumë gjëra i shihja nëpërmjet syzeve të Kadaresë.Dikush mund të thotë"prandaj ishe aq gomar atë kohë?" dhe do i përgjigjem që isha kërriç se moshën e gomarit sa e kam arritur.

Kur e fut vehten ne hulli të panjohura dhe sidomos në një moshë të shtyrë si puna ime, ose do pranosh që je hajvan me gjithë rroba, ose do këmbëngulësh në ato që thua, gjë që është pak a shumë indetike(ndrimi i vendeve të n-së është i qëllimtë).Me kokëfortësinë që më ka karakterizuar po shkruaj këtë shtojcë mbi mitin e sajuar nga unë rreth mitit të Kadaresë. rrëntë zemërimi i Olimpit mbi mua, në shkrofsha më dhe m'u prishtë makina e barit, se e madhja e la me gojë, dy orë pasi mbarova vijimin e Malos!

Ka diçka qe duhet tç sqaroj, më tepër se të shtoj, rreth shenimit me dy pjese për të ashtuquajturin Mit të Kadaresë. Kam bindjen, që të gjithë sistemet diktatoriale, veç miteve të Diktatorit ose diktaturës, krijojnë edhe mite të tjera ndihmëse për një sundim më të lehtë. I gjithë ky sistem mitesh(e bëra mit dynjanë)bën të mundur trushpëlarjen e shumicës e sidomos të rinjve, të cilët janë më lehtë të manipulueshëm. Nuk di se ç'benin kmerët e kuq në kamboxhia, por për diktaturat europiane të majta e të djathta ka shumë shembuj e nuk dua të zgjatem. Bëhet një krahasim i diktaturave me një sistem ingranazhesh të cilat të vogla apo të mëdha janë pjesë e makinës dhe s'mund të bëhen me faj, por unë nuk e pranoj këtë teori, se pastaj më bie poshtë kjo e "lezhendave" dhe bashkë me të edhe nevoja për lezhendën e Komandantit lezhendar.
Miti i Kadaresë nuk u krijua për botën. Ndonëse e mbante një sy jashtë, sho Enver e dinte, që sa të ishte lufta e ftohtë dhe marëveshja e Jaltës në fuqi, rrezikun e kishte nga brenda. Ndaj i duhej një propagandë e fortë, për të mbushur mendjen e "jini ju pa jemi ne", që historia e industrisë, bujqësisë, mbrojtjes, arsimit, shëndetsisë e kulturës fillon më 29 Nëntor 1944. Para asaj është Hici, ose diëka embrionale.
Në këtë kuadër, hiseja për arritjen më të madhe në letërsi i ra Ismailit. Dhe kjo u ngjiz qënë vitet e para të viteve '60, kur Kadareja, Agolli e të tjerë u kthyen nga BS dhe nga vendet satelite. Bashkë me shkollimin, ata mbartnin edhe bagazhin pozitiv të leximit të shumë kryeveprave botërore në rusisht, dhe eksperiencën jetësore në vende të huaja. Përpjekje për krijimin e mitit të Shuteriqit, kishte patur ne vitet '50, por ai nuk pati talentin e Kadaresë dhe as prodhimtarinë e tij, për të zënë vendin e njëshit absolut.
A i interesonte Kadaresë kjo? Sigurisht që i interesonte, jo sepse kjo është krejtësisht normale, po sepse i tillë, më shumë se nga cilido krijues tjetër i madh shqiptar, ishte Kadareja. Në fushën e arteve figurative e kishte i ndjeri Odhise Paskali, ndaj dëgjohej ai dhe mbetej në heshtje, ai që pranohej nga të gjithë si më i talentuari, Janaq Paçoja.
Unë e konsideroj të dobishëm bile shumë të dobishëm ambicien e Malos për të qënë jo vetëm i pari, por i pari pa të tjerë përreth. Kështu, gjuha shqipe dhe letrat shqipe patën mundësinë të pasuroheshin shumë me veprën e tij, por që është bërë reklamë dhe vazhdon të bëhet, këtë nuk kam se si t'ja fsheh syve të mendjes sime. Jo më larg se një vit e gjysëm, në prani të Malos që firmonte librin e tij për blerësit, botuesi Hudhri thoshte në televizion që jam i lumtur që jam botuesi i shkrimtarit më të madh në botë. Malua kënaqej dhe vazhdonte të lëshonte firma!
Le t'i kthehemi një pyetje të vështirë. Mirë, po pranojmë që Hoxhës i interesonte legjenda, po mos janë edhe francezët pjesëmarës në këtë" komplot"?
Unë them që absolutisht jo. Shkëlqimi i Ismailit në Francë, ashtu si e tregon ai vetë, nuk ka të bëjë aspak me përpjekjet e diktaturës për të reklamuar produktin Kadare, por i dedikohet cilësisë të veprës dhe sidomos të përkthimit. Dihet nga të gjithë cilësia e punës të Vrionit ndaj nuk po ndalem në të. Atëhere a bie poshtë teoria se është ekzagjeruar në Shqipëri rreth nivelit të veprës së tij?
E ritheksoj se është tepruar shumë dhe qëllimisht, nga mekanizmi i ingranazheve që fillonin në zyrën e sho Ramiz dhe përfundonin në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe në shtëpinë botuese "Naim Frashëri". E dinin të gjithë bashkëkohësit, të cilët ishin pranë këtyre sektorëve dhe që si ilustrim përdornin një shprehje anekdotike të poetit Vehbi Skënderi. Në një konkurs kombëtar, për herë të parë, ju dha Vehbiut, çmimi i parë për vëllim me poezi dhe Ismailit i dyti.- ja kalove Kadaresë Vehbi-e ngacmonin kolegët.- E ai kkkkka zhzhzhurrmën me vvvvehte- u përgjigj Vehbiu belbcak.  Dhe Malua ishte vërtet mjeshtër i përdorimit të mjeteve jo letrare për të arritur suksesin. Edhe sot arrin t'i gënjejë ata që nuk kanë mbajtur ditar!


No comments:

Post a Comment