Tuesday, 31 December 2024

Edhe mishi të piqet, edhe helli mos na hyjë...


Cështja Veliaj është komplikuar më shumë pas lëvizjes së tij drejt SHBA dhe konferencës së shtypit të kryeministrit Rama. Veçanërisht intriguese është shprehja e Edi Ramës:

"Veliajt i rrezikohet jeta e tij...familjare!"

Deklarata munde të merret si kërcënim ndaj Erit, si dramatizim i çështjes për efekte propagandistike, ose si "dhurimi" i një materiali video për tu përdorur nga Veliaj në rast se kërkon azil politik në një vend perëndimor.

Rama nuk është budalla dhe nuk ka pse të bëjë një deklaratë absurde për efekte dramaticiteti. Askush brenda vendit (duke përfshirë edhe diplomatët e huaj) nuk beson se Shqipëria nuk është një vend i sigurt dhe se kryeministri që mburret për sukseset në të gjitha fushat e jetës së Shqipërisë mos garantojë dot jetën e bashkëpunëtorit të tij më të afërt. Më e llogjikshme është që kjo deklaratë të jetë lëshuar për një nga dy arsyet e tjera ose për të dyja bashkë. Nënteksti është pak a shumë "Kjo puna jote është e përfunduar dhe gjej një zgjidhje që çështja jote ligjore mos jetë nëpër këmbë gjatë fushatës!"

Rama nuk është i interesuar që Veliaj të arrestohet.

E para sepse nuk është i sigurt se sa mund të rezistojë Veliaj të mos e shesë nëse para i tundet kërcënimi për një dënim të gjatë.

E dyta është edhe ngarkesa politike gjatë periudhës së zgjedhjeve me "një udhëheqës të PS" (sipas tij) prapa hekurave.

Por a ka gisht (si thuhet korridoreve) Rama në dosjen e fundit për të cilën rrezikohet Veliaj të arrestohet?

Nuk është e çuditshme që mendja perfide e Ramës të ketë ideuar një skemë të tillë shumë muaj më parë. Edhe pse mund të mos duket shumë racional një argument i tillë, unë jam i prirur të besoj se Balluku nuk mund të ketë dërguar dosjen "Nesti Angoni" pa marrë miratimin e Ramës. Dosja "Angoni" është veçanërisht për Veliajn dhe shumë më pak si vlerë monetare nga dosja e djegësve apo ajo e "5D". Dosjet e tjera të rënda ndaj tij (për të cilat SPAK nuk po shkon thellë) të shpien tek Veliaj dhe Rama. Njëkohësisht Veliaj edhe mund të ketë bërë abuzime pa i ndarë me Ramën që i japin edhe një arsye më shumë Ramës ta "likuidojë".

Ndaj në këtë situatë të vështirë për Kryeministrin një "djegie" e Veliajt dhe një arratisje e tij jashtë vendit për të kërkuar strehim politik është zgjidhja më e mirë e mundshme.

Në këtë mënyrë edhe Drejtësia lihet të veprojë, edhe zgjedhjet fitohen dhe njëkohësisht "helli" nuk hyn në prapanicën e Ramës.   



Saturday, 28 December 2024

Oborri i degjeneruar i "Skënderbeut" të ri


Edhe pse në fillim, krahasimi i Ramës me Skënderbeun bërë nga militantja Spiropali dukej si një budallallëk me brirë, duhet pranuar se pas 20 vitesh të drejtimit të PS-së dhe 12 vitesh të drejtimit të qeverisë, në disa aspekte jo pak të rëndësishme, Rama mund të quhet si mbajtës i kurorës së Skënderbeut. 

Kur nga Fuqitë e Mëdha pat qënë përcaktuar se forma e shtetit shqiptardo ishte monarki, nga të gjithë patriotët shqiptarë u pranua se drejtuesi i shtetit do trashëgonte kurorën e Skënderbeut. Nuk kishim një traditë tjetër më të fortë monarkike. Në fillim kurora ju dha Princ Vidit, më pas e morri Mbreti Zog dhe veprimi i fundit i këtij lloji ishte ai, kur "patriotët" antizogistë ja shpunë në Romë Mbretit të Italisë Emanuel i II.

Rama me vullnet, dinakëri, intriga, por edhe "punë natë e ditë" e ka ngulur fort në kokë kurorën e Skënderbeut dhe thuajse e ka kthyer Republikën e Shqipërisë në një monarki absolute, të cilën e sundon me dorë të hekurt.

Sigurisht që si çdo monark dhe ai ka oborrin e tij, me veçantinë, që titujt ja u jep dhe ja u heq vasalëve sipas dëshirës së tij. Kjo sjell edhe intrigat e oborrit, të cilat i interesojnë monarkut se e bëjnë gjithnjë e më të patundur pushtetin e tij absolut. Vite më parë ishte rivaliteti mes viskontëve Veliaj dhe Tahiri, kur rënia e turpshme e këtij të fundit, solli ngritjen e Veliajt deri në titullin Dukë. Më pas duka Veliaj dhe dukesha Balluku komplotuan kundër  markezit Ahmetaj, të cilin më pas "Skënderbeu" e dërgoi në syrgjyn.

Edhe pse dukej se po kalonte një periudhë qetësie, hargalisjeje dhe orgjish me baroneshkat dhe markezinat e oborrit, intrigat e fundit mes dukeshës Balluku dhe dukës Veliaj duket se e kanë detyruar Ramën të nxjerrë në skenë mbretëreshën Linda e cila deri tani kishte vetëm detyra ceremoniale. Duka Veliaj po kalon përpëlitjet e fundit të shkaktuara nga thika pas shpine e dukeshës Belinda.

Kështu po e pret Vitin e Ri, oborri i degraduar i "Skënderbeut" të ri. Mes defrimeve dhe komploteve.

Të presim titujt dhe intrigat e reja që do vijnë në muajt në vijim.