Friday, 8 November 2024

Patriotizmi ynë qesharak


Ne parapëlqejmë të hiqemi si patriotë të flakët në festa, parakalime dhe në stadiume.

Mbështillemi me flamuj, vemë në kokë qeleshe dhe klithim "O sa mir me ken shqiptar!"

Nisemi nga çdo qoshe e globit për të mbushur stadiumet e huaja dhe dëshmojmë se edhe pse një popull me një numur relativisht jo të madh mund të konkurojmë për tifozeri edhe me vende që kanë 80 milion vetë e më shumë.

Bëjmë vend e pa vend shënjën e shqiponjës me duar para gjoksit, veçanërisht kur është e mundur të provokojmë ata ë tradicionalisht i quajmë armiq.

Një gjë nuk kemi të qartë. Përse jemi patriotë dhe cila është çështja më thelbësore kombëtare për shqiptarët sot.

Votimet e fundit në SHBA dhe veçanërisht reagimet në Tiranë tregojnë se ne nuk e dimë, ose nuk na bëhet vonë për çështjen kombëtare.

Në botën e sotme, kur gjithnjë e më shumë vendet po përpiqen të përfitojnë sa më shumë për etninë e tyre, çështja jonë kardinale është bashkimi me Kosovën dhe me një Kosovë të pacënuarnë kufijtë që ka.

Sërbët janë të entusiazmuar nga zgjedhja e Trump dhe po festojnë nën avujt e shlivovicës duke thirrur që Albin Kurtit i hedhi fundi. 

Të entusiazmuar janë edhe përkrahësit e Berishës dhe Metës në Tiranë, të cilëve nuk ju bie ndërmend për Shqipërinë dhe Kosovën, por vetëm duan që  Berisha dhe Meta të mos jenë të arrestuar.

Edhe nëse nuk ka të njëjtin entusiazëm, i gëzuar është edhe Rama, që e njeh mirë tashmë politikënndërkombëtare dhe di që po vjen një kohë e artë për autokratët. Ai i ka hedhur hapat për marëdhënie të shkëlqyera me administratën e Trump duke bërë koncensione në Sazan dhe Nartë për Ivankën dhe bashkëshortin e saj.

Edhe nga konsolidimi i Ramës në pushtet si një autokrat me mbështetje nga administrate e re, jeta eshqiptarëve dhe e ardhmja e tyre bëhet më e zymtë.

Por "kuqezinjtë" që jetojnë në Amerikë, që drithërohen për ndeshjet e kombëtares së futbollit, nuk ekanë vrarë shumë mendjen se çfarë shënon për Shqipërinë rizgjedhja e Trump. Një pjesë e tyre edhe pse emigrantë, kënaqen më shumë për deportimin në masë të latinove se sa për të ardhmen e Shqipërisë.

Shumica dërmuese e tyre votuan për "the Donald".

Eshtë mirë të pranojmë atë që është e dukshme dhe e vërtetë historikisht. Nuk kemi pasur asnjëherë një ndjenjë të fortë kombëtare. Sikundër u ngritëm të fundit kundër Turqisë dhe më vonë ndaj Fuqive të Boshtit, të fundit do të jemi gjithnjë në mbrojtjen e interesave tona kombëtare!

Wednesday, 6 November 2024

Shumica e amerikanëve jetojnë sot për sot


Edhe pse e pritshme, fitorja e mbrëmshme e Trump i tejkaloi pritshmëritë. Për më tepër edhe një numur i madh i të rinjve votuan për të dhe për kandidatët e tjerërepublikanë. Duket që "the Donald" do "mbretërojë" pa asnjë lloj pengese legjislative në katër vitet e ardhme. 

Dy ishin faktorët kryesorë që ndikuan në rikthimin e tij në pushtet. Gjendja ekonomike-financiare e familjeve amerikane dhe emigracioni.

Gjithë çështjet e tjera, që i takojnë një të ardhmen jo të largët, sikundër janë ngrohja globale dhe efekti i saj në globin tokësor, situata e demokracisë dhe e institucioneve të saj, ndikimi pozitiv ose jo i SHBA në marëdhëniet ndërkombëtare, rritja e mundshme e ideologjisë fashiste kudo në botë, patën kaluar në planin e tretë dhe të katërt.

Eshtë ky një tregues i fortë, që shumica e amerikanëve jetojnë sot për sot.

Rrënjët janë jo vetëm në arsimimi jo shumë i mirë i shumicës, koha e pakët që mbetet për të kuptuar botën si rrjedhojë e orëve të zgjatura të punës, por edhe tek një lloj vetbesimi arrogant si nënshtetas të shtetit më të fuqishëm në botë. Ndaj ndodh edhe që një përqindje jo e vogël e popullsisë beson se "bota është e sheshtë"(të gjithë këta janë përkrahës të presidentit Trump).

Me këtë nuk dua të justifikoj dështimin në politikat ekonomike dhe të emigracionit të administratës së sotme amerikane, (kam qënë gjithnjë mosbesues në aftësitë e Biden për të drejtuar), por bëj një përpjekje për të kuptuar se si është e mundur që kaq shumë njerëz nuk shohin dot më larg se hunda e tyre.

A vjen "fundi i botës" nga rizgjedhja e Trump?

Edhe pse nuk ka bazë për një parashikim të tillë apokaliptik, mendoj se 4 vitet e ardhëshme do jenë tepër të paqëndrueshme në planin ndërkombëtar dhe do varen shumë nga humori i një njeriu të pastabilizuar dhe të paparashikueshëm. 

Hapa pas do ketë në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. 

Hapa pas do ketë në rritjen e demokracive kudo në botë. 

Hapa të mëtejshëm do ketë në rritjen e forcave të ekstremit të djathtë dhe shtimin e autokracive.

Trump e koncepton politikën si biznes dhe si marrëdhënie transaksionale dhe në këtë mënyrë do të negociojë vetëm me udhëheqës "të fortë" pa patur pengesa ligjore dhe institucionale në të dy krahët.

Do ketë një gjallërim të ekonomisë, por është tepër naive të thuash se të gjithë mund të përfitojnë nga idetë e tij ekonomike, Prirja sot në botë është që të pasurit pasurohen gjithnjë e më shumë dhe hendeku midis tyre dhe masave thellohet gjithnjë e më tepër. Kjo prirje do kristalizohet edhe më shumë gjatë viteve të tij.

Ka vetëm një lloj ngushëllimi.

Janë vetëm katër vite dhe të zhgënjyerit do rikthejnë njerëz më të arsyeshëm, qofshin të djathtë apo të majtë në krye tëvendit më të madh dhe më të rëndësishëm në botë.