Një ditë të vrenjtur në fundin e vjeshtës,
Nga ato kur dielli kurrë s'ka dal',
Ajo papritmas u shfaq para meje,
Ndërsa i vetëm pija një gotë mezkal.
"Jam Mortja" tha dhe unë ndjeva lektisje,
Nga ajo qënie e hajthme,
E zbehtë
Dhe e tejpashme.
Flokë të gjata pa ngjyrë,
Sy të perënduar,
Buzë bojëqielli nga rridhte
Një e folur e ngadalshme.
Rrokjet e theksuara qartë
Teksa bëheshin bashkë më rënqethnin.
Ishte e vërteta më e kthjellët,
E papërzjerë,
Ndriçuese
E njëjtë si rrezja që përshkon qiellin.
"Me ty kam qënë që kur linde
Dhe në çdo hap jam përkujdesur,
Më shumë se të gjithë,
Të dashurit e shtrenjtë,
Miqtë,
Shokët,
Vajzat me të cilat kaloje netët xhveshur.
Ndaj mos më shih me frikë
Pranë teje do jem gjithmonë,
Më tej se çasti kur do bashkohemi në ekstazë,
Dhe si një mori tingujsh do i drejtohemi amëshimit
Duke u përplasur mureve të Gjithshkasë,
Dhe të kthehemi në të përjetshme jehonë."