Disa vite më parë pata shkruar një shënim të titulluar “Po
vjen Mari Le Pen”, si një lloj alarmi për të frenuar prirjet tona
shoveno-homofobe. (Një pjesë e mirë e europianëve ende kanë në mendjen e tyre të
të tilla prirje.) Eshtë një shqetësim i të gjithë njerëzve, që nuk duan të
kthehet gjysma e parë e shekullit të XX-të, me patriotizmat e marra, me besimin
e verbër se jemi mbi çdo lloj gjallese dhe mund të bëhemi zotër mbi zotat, me
urrejtjen për të ndryshmit nga ne dhe sidomos për më të dobtit, me utopinë e
krijimit të Mbinjerëzve e të tjera ide të tilla që sollën katastrofat e dy
Luftrave Botërore.
Fillimi i këtij shekulli, për fat të keq të Njerëzimit dhe
sidomos të Europës, solli në krye të disa vendeve shumë milionshe, figura si
Putin dhe Erdogan, që i përkasin si mentalitet viteve ’20 të shekullit të
kaluar. E megjithatë, Europa arriti të ruajë si fytyrë të saj, protretin prej
politikano-shkencëtare të Anxhela Merkelit. Këshut, deri sa filluan gërvishtjet
e ashpra të politikanëve si Orban, Salvini, Farazh dhe mbi të gjithë Mari Lë
Pen. Tani, në portretin Humanist të Europës, po ravijëzohen tiparet e
social-darvinizmit racional të së djathtës ekstreme.
Sigurisht, që nuk ka asnjë kuptim të fajësojmë Lë Penin dhe
shokët e saj, sikundër janë fajësuar Hitleri dhe Musolini. Diktaturat dhe përgjakjet
që ato sjellin nuk i krijojnë vetëm demagogët dhe as idetë që ata shpalosin.
Janë milionat e njerëzve dhe siodomos elitat intelektuale, të cilat nuk janë në
gjendje të korrigjojnë të metat e sistemeve ekzistuese, të paralajmërojnë
pasojat shumë të rënda që sjellin modelet autarkike dhe më keq akoma ato “racionalo-ekonomike”,
deri sa më pas arrihet në pashmangshmërinë e përplasjeve të mëdha shoqërore.
Gjallërimi i ideve nacionaliste “sejcili vend për hesap të
tij”, u shtua sidomos me ardhjen në fuqi të Trump në SHBA dhe me politikën e
hapur të tij “Amerika e Para!” Por pafuqia e Europës për t’i vënë përballë një
ide globaliste(pozitive), “Njerëzimi dhe Globi – Të parët!”, bëri që të shtohen
tendencat centrifugale dhe në zgjedhjet e fundit europiane, paritë e ekstremit
të djathtë dhe ato sovraniste fituan mbështetje të madhe thuajse në të gjitha
vendet e mëdha.
Edhe pse rreziku i përplasjeve të armatosura nuk është i menjëhershëm,
fillimi I luftrave tregëtare dhe sidomos polarizimi I shoqërive të vendeve të
zhvilluara, mbart rrezikun e acarimeve dhe përplasjeve shoqërore, që përgjithësisht
sjell në krye të qeverive “duar të forta”. Dhe “duart e forta” nuk kanë prirje
për marrëveshje, por për konfrontime.
(vijon)