Kafsha shkruan se një kafshë më e egër, e gjatë ose e
rrumbullt, ka rrahur një kafshë më të butë, të hequr apo veshgjatë.
Që një kafshë e egër të rrahë një kafshë më të butë nuk është
ndonjë çudi e madhe, por problem është se lajmi jepet nga një kafshë e tretë
dhe nëse rrahja dhe ngrënia janë cilësi kafshërore, dhënia e një lajmi të vërtetë
ka pak të ngjarë që të jetë cilësi kafshësh. Shumë shumë mund të quhet si cilësi
shpendërore, po qe se marrim shembullin e këndezit, që jep lajmin e mirë të
mbritjes së ditës së re. Por këtu nuk kemi të bëjmë me shpendë, por me kafshë
dhe kafshë aspak të dobishme. (Nëse ka kafshë të dobishme dhe të padobishme, ky
është një diskutim i gjatë dhe i thellë, që do njohuri të gjera, ose asnjë lloj
njohurie, sepse të gjithë qëniet përderisa ekzistojnë janë të dobishme po aq sa
të dëmshme.)
Po a përbën lajm nëse e rrahu apo jo kafsha kafshën?
Në dokumentarët rreth botës së kafshëve, ka shumë episode ku
drerët zihen me drerët, gorrillat meshkuj me gorrillt meshkuj, arinjtë me
arrinjtë e plot të tjera. Ka një lloj koreografie të rastësishme, që të pëlqen
edhe pse shfaqja është violente. Po kjo ndodh se na shuan kureshtjen për diçka,
që nuk e shohim përditë, se zënien e qenërve të rrugës nuk kemi dëshirë ta
shohim. Pra rrahja mes kafshëve të ngjall kureshtjen nëse ndodh mes kafshësh që
nuk rrojnë pranë nesh edhe pse nuk përbën lajm. Lajm është diçka që nuk e dimë
ose nuk ka ndodhur kurrë më parë, ose ndodh aq rrallë sa kur përsëritet mund të
quhet lajm.
Përse rrihen kafshët?
Për seks dhe ushqim. Të dyja përmblidhen në “luftën për territor”.
Po “kafshët politike”(political animals)?
Për të njëjtën gjë. Seks dhe ushqim. Ushqimi përmbledh të
gjitha llojet e dëfrimeve që përmbushin të gjitha llojet e orekseve. Dhe kafshët
politike kanë orekse “të papame”.
Ndaj rrihen stallave, shpellave të hapura e të fshehta, rrëpirave
dhe grykave të lumenjve, brinjave , kodrave, fushave e gërxheve.
Ne paguajmë për të kënaqur kafshërinë e tyre.