Sunday 21 July 2024

Një hap para për mbrojtjen e Demokracisë në SHBA


Xho Gafa më në fund u dorëzua, Duhet ta kishte bërë kohë më parë, por më mirë vonë se kurrë.

Tërheqja nga gara e presidentit në fuqi është vërtet një hap para në mbrojtjen e Demokracisë jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën. Një fitore absolute e Trump do inkurajonte të gjithë diktatorët dhe autoritaristët duke nisur me Putin e Kim dhe duke vazhduar me Xi, Erdogan, Orban e të tjerë. Diktatorët e kanë të domosdoshme të ketë një botë në tension të vazhdueshëm, për të sunduar sa më lehtë në vendin e tyre dhe për të realizuar dhe aneksime të territoreve të tjera nëse ja u kërkojnë interesat.

Por a do të thotë se me tërheqjen e Biden, do i humbasë zgjedhjet Trump?

Kjo nuk është e sigurt, se ai ka një mbështetje të madhe në krahun e djathtë dhe ekstremin e djathtë të popullsisë amerikane. Por një kandidat tjetër demokrat do sjellë mobilizim të elektoratit anti-Trump dhe do tërheqë edhe shumë të lëkundur, gjë që do sjellë që kundërshtarët e "the Donald" të kenë të paktën njërën dhomë të Kongresit amerikan,për të balancuar "revanin" e MAGA-s në përpjekjet për të ndryshuar institucionet amerikane.

Ngjarjet e dy javëve të fundit dëshmuan, që të paktën njëra parti amerikane ka një bon-sens për të larguar nga gara dikë që nuk është në lartësinë e detyrës së Presidentit. Partia Republikane nuk ishte në gjendje ta bënte këtë, por tregoi unitet ndaj një politikani të paparashikueshëm, që edhe dje tregoi hapur për simpatinë që ka për Putin dhe Xi, që sipas tij "komandojnë vendet e tyre me grusht të hekurt."

Edhe më shumë amerikanë kanë për të kuptuar se edhe nëse politikat e Trump mund t'ju sjellin disa dollarëmë shumë në xhepat e tyre, do kenë pasoja për Demokracinë amerikane. Shembull i qartë ishin vitet e administratës së tij  dhe veçanërisht vendosmëria për të mos pranuar humbjen në zgjedhje dhe nxitja e kryengritjes së 6 janarit. 

Sunday 14 July 2024

Trump shpëtoi...Bota Jo!


Një gjë është e sigurt pas atentatit të djeshëm ndaj Trump. 

Ai do jetë President për 4 vitet që vijnë.

Duket që çdo gjë që ka ndodhur në botën politike amerikane ka qënë në dobi të "the Donald". Në fillim ishte zelli "idiot" i një pjese të kundërshtarëve të Trump në prokuroritë amerikane për ta dënuar me burg; më pas ishte vendosmëria miope e demokratëve për të patur kandidat një 81 vjeçar të rrjedhur dhe në fund ky veprim i çmendur i një 20 vjeçari, që jo vetëm bën të sigurt fitoren e Trump, por që morri edhe jetën e një njeriu të pafajshëm në mitingun elektoral.

Por tashmë të gjitha kanë ndodhur dhe njerëzit, që tremben se çdo sjellë për botën një mandat i ri i Presidentit narcisist, duhet të bëjnë përpjekje për të zvogëluar sa më tepër që të jetë e mundur efektin negativ të administratës së tij.

Eshtë e domosdoshme që Bajden të largohet nga gara elektorale. 

Jo për të shmangur fitoren e Trump (e cila tashmë duket 99% e sigurt), por që demokratët mos humbin edhe dy dhomat e Kongresit. Në të kundërt Trump "do shijë" duke ndryshuar shumë ligje dhe duke dëmtuar thellë demokracinë amerikane. Një Kongres i kontrolluar nga demokratët mund të shmangë përpjekjet e Trump për tu larguar nga NATO, për të dëmtuar Bashkimin Europian dhe për të minimizuar rolin qëka OKB-ja në politikën ndërkombëtare.

Trump pritet të jetë më i egër në të ardhmen. Të ngjan se fytyra e tij në çastet kur një plumb i kishte prekur veshin do jetë fytyra e tij e vërtetë.

Perëndia e shpëtoftë Botën nga të këqiat që Trump mund të sjellë!

Monday 8 July 2024

Ngrohja globale- ndikim në mendjet e sëmura


Në këto vite të rritjes së tensionit në botë, të shkon mendja nëse efekti serë dhe rritjet e temperaturave në botë ndikojnë për keq në mendjet e atyre "që na kanë në dorë".

Nuk ka asnjë të dhënë statistikore të mbështesë këtë hamendje, por në një "leshnajë" informacioni dhe ngjarjesh të pazakonta nuk arrin dot të kapësh fillin e ngjarjeve, nëse ato vërtet kanë një fill.

"Mendja e sëmurë" e Putin vazhdon jo vetëm luftën, por edhe kërcënimet për "pasoja katastrofike", "shoku Kim" vazhdon të hedhë raketa dhe të lerë popullin të vdesë urie, Hamasi vret dhe rrëmben njerëz dhe Bibi i përgjigjet duke vrarë më shumë, këta hajnat tanë nuk vrasin njerëz po vjedhin me budallallëk. Me këtë të nxehtë nuk i ve dot faj as Xho Gafës, që nuk tërhiqet nga gara, se ndoshta i duket që Trump është më i rrjedhur se ai. Edhe po kështu bashkëshortes së tij dhe njerëzve që e rrethojnë.

E megjithatë duket se mendjet e shëndosha të njerëzve të zakonshëm duket që nuk i nënshtrohen efektit

të të nxehtit.

Ka pasur brenda një jave lajme të mira. 

Në Britani votat shkuan për një parti të qëndrës, që edhe pse nuk është e përsosur(si gjithë partitë tradicionale) është ku e ku më pak e rrezikshme se ekstremet e majta dhe të djathte.

Në Iran votuesit zgjodhën një president të moderuar, që ndryshon disi nga mullat fanatikë.

Në balotazhin e Francës, votuesit e ndalën marshimin drejt udhëheqjes të Francës të Mari Le Pen. në Amerikë të gjithë mediat po bëjnë thirrje për largimin e Biden nga gara.

Ndaj jo gjithshka është e gjitha "e nxehtë" dhe "e zezë". 

Ka shumë të ngjarë që Trump të fitojë në nëntor (gjë jo  emirë për botën), por situate globale do ishte më e vështirë me Frontin Nacional në krye të Francës dhe një "skifter të egër" në krye të Iranit.

Le të presim vjeshtën dhe freskun që do sjellë.