Në fundin e viteve '60, në kinematë shqiptare u shfaq filmi "Cili jeni ju zoti Sorge?". Ishte nga ata filma, të cilët i quanim me shaka "franko-italo-gjermanoperëndimor", sepse duke qënë fëmijë dhe pa njohuri rreth prodhimit të filmave në ekonominë e tregut, na dukej e çuditshme, që një film mos i përkiste një kombi të vetëm.
Dy seritë e "Sorges"u ndoqën me shumë interes në Shqipëri në një kohë, që filmat e huaj nuk ishin të shumtë dhe për më tepër kishte edhe një lloj ndalimi të filmave sovjetikë duke përjashtuar filmat e tipit "Capajev" apo "Aleksandër Matrazov".
Titulli i filmit ishte vërtet kuptimplotë për publikun shqiptar, i cili nuk kishte idenë se kush ishte në të vërtetë Riçard Sorge. Ne nuk dinim që edhe vetë sovjetikët vetëm para disa vitesh kishin pranuar që Sorge kishte qënë agjent sovjetik para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetë filmi perëndimor ishte realizuar para se sovjetikët ta pranonin një gjë të tillë dhe përpara se të realizohej filmi, gjermanët e perëndimit e kishin cilësuar si një patriot, që kishte dhënë kontribut të madh në përmbysjen e ngjarjeve të Luftës së Dytë në dobi të Aleatëve.
Po a e vranë japonezët agjentin, që është cilësuar si Xhejms Bond i sovietikëve?
Teknikisht po. E megjithatë, ata që e vranë në të vërtetë ishin vetë sovjetikët e Stalinit. Japonezët disa herë patën kërkuar ta këmbenin me agjentë të tyre të kapur nga rusët dhe përgjigja e Stalinit pat qënë "Nuk e njohim!"
Rasti i Sorges është tipik i fatit të njerëzve me integritet dhe dinjitet tek regjimet totalitare. Në bazë të fakteve të gjetura në arkivat e kohës, sovjetikët kishin pasur në plan edhe ta likuidonin vetë, për shkak të "mosbindjes" së tij ndaj direktivave të qendrës. Sistemi që propagandonte sloganin "Njeriu- kapitali më i çmuar", nuk e kishte për gjë të ekzekutonte heronjtë që i kishin shërbyer vetëm e vetëm se nuk ishin konformistë dhe nga paranoja se një ditë mund t'ju ktheheshin kundër. Ndoshta kur patën mësuar më shumë, edhe komunistët shqiptarë, pasi e shfaqën dy -tre herë në televizion e hoqën nga qarkullimi filmin. Dikush që pat qënë i papërshtatshëm për Stalinin, nuk mund të ishte i tillë për regjimin stalinist të Enverit.
Regjimeve autokratike dhe totalitare nuk ju duhen Sorget.
Ju duhen ushtarë të bindur, të cilët nuk e venë kurrë në dyshim autoritetin e Liderit.
Sepse Lideri të vret!