Tuesday, 16 December 2025

Më braktisi edhe... Miu


Po bëhen 15 vjet që kam nisur këtë “të folur me vete” rrugëve të Internetit dhe kalimtarët që më shohin me habi, kureshtje, keqardhje, përbuzje, indiferencë duken se bëhen çdo ditë e më të pakët. Ndoshta se “mevetefolësit” janë shtuar shumë, ndoshta se unë bëlbëzoj të njëjtat gjëra, ndoshta se ju duket e natyrshme që dikush që po shkon drejt të 70-ve të jetë i rrjedhur.

Unë e kam marrë me lehtësi këtë braktisje (në Atdhe thonë “me sportivitet”), se unë flas rrugëve me vete jo për të më dëgjuar të tjerët, por se nuk kam kontrollin e nevojshëm vetiak për të mos e bërë këtë. Vite më parë, disa prej “ligjërimeve” të moskontrolluara i dërgoja edhe në ndonjë redaksi dhe disa prej tyre botoheshin (pa pagesë madje dhe pa falenderim), por tash nuk kam asnjë shtysë t’i nis dhe të shoh emrin tim në ndonjë qoshe gazete, apo në ndonjë platformë dixhitale.

Kam arritur në një gjendje që amerikanoveriorët e quajnë: “I don’t give a shit!” dhe përkthimi më i afërt në dialektin tim është: “Nuk më pëlcet gajdeja!”

Por e vetmja që më bën të ndjej diçka, është braktisja nga Miu i Gjirizave. Ai nxirrte shpesh kokën jashtë pusetave të rrugëve të Internetit dhe më jepte nga një kafshim të parrezikshëm, se edhe pse gjirizor, ai nuk mbarte mikrobet që sjellin kolerën, salmonelën apo sifilizin.

Miu i Gjirizave ishte personifikimi i atyre që fshihen në mediat shoqërore dhe përgjojnë çdo lëvizje të të njohurve dhe rreken të hedhin fshehtazi disa komente malinjë për të kënaqur ekziztencën e tyre të mjerë.

Diku e kisha përshkruar si një person që lexonte në mënyrë sipërfaqësore, kishte njohuri muzikore dhe një kokë pak të deformuar në lindje, ose gjatë stërvitjeve të vështira në ushtri. Nga çka komentonte ndonjëherë mendoja se mund të ishte dhe pak pedofil, se është në natyrën e tyre të presin qosheve të Internetit ku mund të ekspozohen hire gjimnazistesh, që rregullisht janë të mbuluara.

E megjithë këto që rendita, më duhet të pranoj se Miu i Gjirizave më mungon. Braktisja e tij më ka lënduar. Nuk mund të zëvendësohet nga asnjë trampist, patronazhist apo nikopeleshist. Ishte origjinal në kutërbimin e tij.

Duket se edhe pas pushimeve të herëpashershme, unë do vazhdoj të belbëzoj në këtë blog, me shpresën se ai një ditë do rishfaqet.

A është kjo një lloj simbioze?

Një Mevetefolës, që e ka të domosdoshëm bashkëudhëtarin e tij Mi?

Nuk jam i sigurt, por çka më sipër ishin ato që më shkuan në mendje këtë mëngjes dhe që nuk munda t’i mbaja vetëm në mendje.

No comments:

Post a Comment