Ndoshta pas 15 viteve të jetës, tani që është në adoleshencë të plotë, blogu “Kuendemi” po adapton edhe një lloj të ri mediumi. Podcast. “Kur është në gjendje ta bëjë kryeministri Rama, që është edhe 5 vjet më i vogël se unë, s’ka pse mos e provoj” – mendova. Dhe i hyra internetit më këmbë. Duke rrezikuar të mbytem. Sepse të flasësh drejtpërdrejt është ku e ku sa më vështirë se të shkruash. Shënimet edhe i korrigjon, madje dhe mund t’i lesh për të nesërmen, kur mund të jesh më i qartë.
Të flasësh para një auditori, për mua është veçanërisht e vështirë. Nuk kam dashur të jap kurrë mësim pikërisht për këtë. Për herë të parë kam folur për 15 minuta në anglisht para 30-40 vetësh, më të shumtët amerikanë në një shkollë të gjuheve të huaja në Maine në vitin 1993. Nuk prisja sa të mbyllja atë çka kisha përgatitur paraprakisht në mendje. Ndërsa para një auditori shqipfolës, kam folur vetëm rreth 10 minuta rreth librit tim “Biseda të pakryera me babanë“ më 2022.
Ndaj e gjykoj që vërtet po “i hyj detit më këmbë“. Për fat të mirë, në episodin e parë prej 30 minutash ku fola rreth gjendjes ndërkombëëtare të shkaktuar nga Presidenca Trump, nuk ishte asnjë i pranishëm në Internet dhe edhe nëse e kam “katranosur” nuk e ka parë njeri.
Por sa kam filluar dhe nuk besoj se “vrulli” do më bjerë shpejt, ndaj do vazhdoj edhe në ditët e tjera, duke trajtuar tema, të cilat i trajtoj edhe në shënimet e mija në blog. Nuk do ketë në podcast krijime letrare apo përkthime, sepse si e kuptoj unë, podcasti është ligjëratë, e shoqëruar me intervista kur është mundësia, ose edhe dialog me një të barabartë tjetër rreth gjërave që i interesojnë atij që e ka krijuar dhe që mund të kenë interes edhe për një publik qoftë të kufizuar.
E gjykoj si një lloj “kurthi” ku po e fus veten, sepse nuk mund të kem më mungesën e “disiplinës”, që kam pasur deri tani në blog. Këtu postoj kur e shoh të arsyeshme, rri pa postuar edhe me javë të tëra, se nuk kam ndonjë ide në kokë dhe mund edhe të këpus më shumë broçkulla. Në një transmetim të drejtpërdrejtë, në rradhë të parë duhet të kesh rregullsi dhe përpikmëri, por edhe nuk mund “të shesësh shumë të trasha” se je me fytyrë para shikuesve. Në pozita më të dobëta se “i fshehur” pas një shkrimi.
Jo më kot, avokati im, që deri tani i ka ndjekur çështjet e mia pro bono, më tha që nga fillimi i “ligjëratave” live, të gjitha problemet e mija ligjore do i ndjekë kundrejt pagesës. Ai pret të jenë të shumta dhe telashhapëse, ndaj nuk mund të zerë gjithë javën të përgatitë mbrojtjet për paditë e mundshme.
Nëse faturat do jenë shumë të kripura, atëhere do më duhet që të mbrohem vetë në gjyq dhe “nga i akuzuar të kthehem akuzues”.
Ka edhe një problem tjetër jo të vogël “ nxjerrja e surratit në meidan”. Duhet të jesh i larë dhe i rruar sa herë të hysh në streaming. Në blog mund të shkruaje edhe kur i kishe sytë e sklepa.
Le të shpresoj se do them diçka që do i vlejë dikujt.
Shënim: Podcast nuk ka asnjë lidhje me aspiratat e mija për tu bërë deputet në Shqipëri.
No comments:
Post a Comment