Diçka ka ndodhur në Europë me ligjet kundër duhanit. Duhani edhe ndalohet por edhe nuk ndalohet. Se edhe pse janë krijuar shumë mjedise të mbuluara, që megjithatë konsiderohen mjedise të jashtme dhe në të lejohet duhani, ato jo vetëm janë të lidhur mirë me mjediset e brendëshme ku duhani ndalohet, por mund edhe ta ndezësh edhe në mjediset e brendëshme.
Kjo ndodh në Athinë, Tiranë dhe Korçë. Ndoshta edhe në qytete të tjera ballkanike. Nga veriu dhe deri në jug. Sepse ballkanasit janë njerëz të lirisë, trima dhe njëkohësisht të prirur drejt kundërshtimit të rregullave.
Duket si jo e logjikshme që rregullat që vetë i vendosin i shkelin po vetë, por këtë të duhanit dhe ndonjë rregull tjetër ja u ka imponuar Bashkimi Europian dhe gjithnjë është i konsideruar si i palogjikshëm për ballkanasit.
Në qytetin e lindjes e gjej të vështirë të gjejnjë vend ku të shpëtoj nga tymi i duhanit. Nuk di pse më bezdis kaq shumë. Ndoshta që prej një ngjarjeje të 3 viteve më parë, kur udhëtoja me një të ashtuquajtur taksi nga Korça në Athinë, dhe ku tre nga të pranishmit, përfshirë shoferin, pinin duhan. Nuk dija ç’të thoja se i mbanin dritaret hapur dhe do më dukej vetja si një plak i grindur amerikanoverior, që gjen sbep për të bërë llafe. Për më tepër kisha refuzuar propozimin e një djali të ri që të rrija në mes në sediljen e pasme. Një udhëtim i mrekullueshëm, që ja kalonte nga komoditeti atij të autobuzit të linjës. Por koka bën dhe trupi e pëson. Në atë rast edhe mushkëritë.
Mushkëritë e dëmtuara të një 67 vjeçari, u bezdisën edhe sot në një lokal të preferuarin timin, të quajtur Meri Boutique. Eshtë i këndshëm dhe i vendosur në një rrugë ku kam jetuar gati 4 vjet. Për më tepër pronarja është një nxënëse e gjimnazit tim, që ka mbaruar dy vjet pas meje. Në një nga mjediset, (të gjitha kanë emra ekzotikë, si Havana, Tymi i Paqes, Zhvillimi i Mjaftueshëm Mendor etj.,) gjë që e bën tejet interesant për pronaren dhe gjithashtu për klientët, ka oxhak dhe quhet nëse nuk gaboj Holli i Bazarit, por edhe mund ta kem gabim.
Kisha dëshirë dhe hyra. Me dëshirën për tu ngrohur këtë mbrëmje prilli dhe për të pirë një raki të mirë kumbulle.
Pranë oxhakut ishin dy zonja, që dukeshin shqiptare dhe që nxituan të hiqnin aksesorët e tyre që i kishin lëshuar në gjithë ndenjëset me shilte përreth. U ndjeva keq, por ishte ngrohtë dhe nuk mund të ikja. Në fund të fundit Holli i Bazarit ishte për rreth 20 klientë. Në një ndarje ngjitur dy burra luanin tavëll. Nuk di në ishin klientë apo punonjës. Hapa mbiprehrësin dhe vura kufjet në vesh, për të mos dëgjuar bisedën e dy zonjave shqiptare. Ishim jo larg dhe prania e një mashkulli të panjohur që mund të dëgjonte bisedën e tyre të nivelit mbimesatar intelektual, sigurisht që mund t’i bezdiste.
Pak çaste më vonë, ndërsa po shkruaja, pashë që njëra nga zonjat, ajo më e reja ishte duhanxheshë dhe e kishte ndezur. Jo vetëm pashë tymin, por dhe e ndjeva. Pashë nëpër mure të gjeja ndonjë shënjë rreth lejimit ose jo të duhanit dhe e pashë. Nuk lejohej! “Të zura duhanxheshë simpatike nga Tirana” mendova triumfator dhe e pyeta nëse lejohej duhani. “Na kanë thënë që lejohet këtu”, tha pak e prekur” por nëse ju bezdis po e shuaj!”. “Nuk më bezdis duhani, po fakti që është kundër rregullave!” shtova si një gjysëm pordhac nga vendi i Trudove. Zonja e shojti dhe gjithshka vazhdoi rrjedhën normale, për dy minuta, kur në Holl u shfaq pronarja.
Nuk di nëse zonjat u ankuan po ajo u çudit që nuk kishte cigare të ndezura, se kapa një bisedë disi të çuditshme. Sipas njërës prej tyre, zotëria (që isha unë) ishte bezdisur dhe prandaj nuk po pihej aspak. Pronarja pa e çuditur nga zotëria (që isha unë) dhe pasi më njohu shtoi se lejohej dhe se do pinte dhe ajo vetë. I thashë që vetë e kishte vënë shënjën në mur dhe unë do mbijetoja edhe po të kishte disa duhanpirëse. Më sqaroi se ajo ishte për qeveritarët dhe kur rregullat i shkelte qeveria me të dyja këmbët nuk kishte pse mos i shkelte dhe ajo. Nuk kisha se ç’të thesha! Ishte një betejë që nuk mund ta fitoja. Mund të përfundoja si në kohët e shkollës, që kur kundërshtoja ndonjë mësuese përfundoja jashtë klasës. Jashtë Meri Boutique ishte ftohtë dhe nuk kishte as raki mani.
Kështu që ndenja në Holli Bazar, me kufjet në vesh duke dëgjuar “Dënglat e tua” të Eli Farës dhe duke thithur edhe tymin e dy duhanxheshave. Mund edhe të kapja copa bisedash ku pronarja garantonte klientet se unë nuk isha ndonjë problem, dhe mund edhe të më nxirrte jashtë nëse ankohesha sërish. Nuk u ankova sërish.
Pasi mbarova edhe dopion e dytë të rakisë (ishte vërtet e mirë) dhe shkrojta edhe më të shumtën e këtyre rrjeshtave, u ngrita, ju kërkova falje të gjithëve (bashkëshortët kishin ardhur gjithashtu) dhe si thuhet në dialektin korçar “zura by... me dorë dhe ika”.
Por kjo mund të më ndodhte edhe në Athinë, në një tjetër Meri Boutique dhe mund të përfundoja edhe më keq. I “federuar” nga një patrullë policie greke. Sepse është Ballkan dhe njerëzit janë trima dhe liridashës.
Dhe kanë dëshirë të tymosin!
