(vijim)
Eshtë një histori shumë e çuditshme , kjo e trajtimit të njerëzve të talentuar nga regjimi feudo-komunist. Në njërën anë, ai e kishte të domosdoshme të kishte njerëz të penës dhe penelit, se i duheshin për propagandë, por edhe nuk i vlerësonte si duhej . Rrogat e piktorëve të dekorit ishin mizerabël dhe në disa procese ju vendoseshin ndonjëherë edhe normë prodhimi. Në ratet e punimeve të parrullave vertikale apo portreteve të mëdha, piktorët duhet të hipnin edhe majë shkallëve që lëkundesshin, sepse kushtet në mjediset e punës nuk ishin aspak të përshtatshme. Megjithatë, njerëzve ju dukej si punë “luksi”. Kështu ju dukej më shumë funksionarëve, që ndonjëherë refuzonin t’ju jepnin bojë të bardhë, “sepse e bardhë ishte letra apo bezeja”!!
Piktorët nuk kishin talente të njëjta. Disa ishin më të mirë në shkrimet, disa në përgatitjen e shpejtë të sfondeve dhe të tjerë në kompozimin e ndonjë pllakati gjigand. Psh Dhimitraq Kolevica shkëlqente në portretet, dhe atë të Sekretarit të Parë të PPSH mund ta bënte përmendësh edhe në gjumë. Mjedisi dhe puna “qesharake” që bënin sillte edhe situata humori dhe batuta, aq sa mund t’ju besohej atyre me të cilët punonin. Disa vinin nga familje të pasura dhe që nuk shiheshin me sy të mirë nga autoritetet vendore, por i mbanin se kishin talent. Midis tyre kishte edhe anëtarë partie,por përgjithësisht, si artistë, ata nuk ishin militantë dhe bënin shaka me luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit, apo me slogane të tjera, nga të cilat ishin lodhur duke i shkruar me gërma të mëdha.
Në vitin 1966, pas Letrës së Hapur të Komitetit Qëndror dhe modelit kinez të demaskimit me “daci-bao” u hap periudha e Fletë- Rrufeve. Kudo, edhe në qoshet më të humbura të Shqipërisë duhet të ngrihej Këndi i Fletë Rrufeve, që duhej bërë nga piktorët. Më pas, edhe një pjesë e madhe e fletë rrufeve, ju jepej t’i shkruanin piktorët e Riparim-Shërbimeve, sepse njerëzit donin t’i kishin të shkruara bukur, me gërma të mëdha dhe të lexueshme edhe për pleqtë mbi të 80-tat. Sipas porosisë të Enverit “Cilido, me zë të lartë dhe me gërma të mëdha të thotë dhe shkruajë atë që mendon për punën dhe njerëzit.”
Nuk di detaje të “gallatës” q] bënin piktorët kur shkruanin në kartona të mëdha marrëzitë e njerëzve (shumë herë të drejta), por që ngjallnin ilaritet. Unë kujtoj shumë të tilla që prej vitit 1967, sepse Këndi i Fletë-Rrufeve të qytetit ishte përballë me pallatin ku jetoja dhe kisha mësuar të lexoja. Por më shumë dëgjoja nga të rriturit që komentonin përgjigje me humor që jepnin njerëzit e kritikuar. Nuk ishin vetëm nga Kor]a. Kështu psh rasti i një plaku që kritikohej nga të rinjtë se kishte dy gra dhe që përgjigjej: “O moj rinia me fletë-rrufe/ Po ju jap dy plakat më jepni një të re!”
Në vitet ‘70 dhe ‘80 shumë fletë rrufe bëheshin edhe nga dizenjatorët e ndërmarjeve. Në ndërmarjet e mëdha kishte nisur të mbanin në organikë një piktor për të përballuar emulacionin dhe propagandën. Reparti i Dekorit nuk mund të përballonte më gjithshka.
“Enverët memecë“ të Dhimitraq Kolevicës, ishin të pranishëm jo vetëm në Minierën Mborje -Drenovë dhe sektorët e saj, por edhe në shumë institucione të Kor]ës. Piktori kishte mësuar që ishte më mirë të qeshte se të qante për veten, kur pikturonte tiparet e Djallit- bukurosh. Nuk ishte më e nevojshme të përdorte metodën me “kuti]ka” që ishte më e sigurta për kopjimin e portreteve. I dinte tashmë mirë raportet sy-vetull- hundë dhe buzë të tulta të gjirokastritit gjakatar.
Vangjo Manjati kishte filluar të mbante beretë si piktorët francezë, Maqo Lakrori bënte pllakate për propagandën shëndetsore, Pandi Nandoja bënte ]anta plastike të dekoruara me lule, Mihallaq Kita vazhdonte të ishte përgjegjës, ndërsa Krisanthi Turtulli ishte bërë Krisanthi Kocibelli dhe bashkë me Pandi Luarasin e ndonjë tjetër, ishin në repartin e pikturës të Artistikes, ku pikturonin grila prej kashte gjithashtu sipas modelit kinez.
Të gjithë këta njerëz të talentuar, që mund të ishin peisazhistë dhe portretistë shumë të mirë, ishin të detyruar të lodheshin mbi piktura dekorative pa ndonjë vlerë. Vetëm pas rënies të Diktaturës, disa e ndoqën pasionin e rinisë dhe hapën edhe ekspozita personale.
Në një kohë Lirie, edhe pse ende mund të kishte nevojë për vizatime dhe piktura komerciale, ishte shumë më e lehtë të bëje art të vërtetë. Shumë syresh nuk arritën ta bënin për shkak të moshës apo se tashmë kishin vdekur. I kishte lodhur “e kuqja “ e shumtë që përdorej për gjithshka propagandistike në atë sistem absurd.
Nuk ishte e kuqja e Ticianit. Ndoshta i shkon më shumë ta quajmë “e kuqja e Shejtanit”!

No comments:
Post a Comment